Çapja: Do rikthehem për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2013 | 13:53

Çapja: Do rikthehem për titullin kampion

CapjaSynimi kryesor i verdhebluve në këtë merkato vere është rikthimi në skuadër i atyre lojtarëve që, në sezonin 2005-2006, e shpallën për herë të dytë Elbasanin kampion në historinë e vet. Disa e kanë lënë futbollin, të tjerë janë në aktivitet dhe disa prej tyre janë shprehur të gatshëm t’i mbrojnë sërish ngjyrat verdheblu. Në stërvitjen e ditës së djeshme i pranishëm ka qenë edhe mesfushori Hetlem Çapja, i cili mund të quhet edhe afrimi më i ri i verdhebluve. Lojtari, pas disa shtegtimesh në skuadra të ndryshme përgjatë këtyre viteve, ndërsa edhe më parë ishte rikthyer tek Elbasani kur luante në Superiore para tri sezonesh, ka rënë dakord me klubin që të kontribuojë për të paktën një vit për skuadrën që e bëri futbollist.
Çapja – Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori 30-vjeçar shprehet se ende nuk ka firmosur me klubin, por kanë rënë parimisht dakord. Ai rikthehet për ta ngjitur Elbasanin në Superiore dhe më pas, pse jo, të pretendojnë sërish për titullin kampion. “Kam dalë në stërvitje me ekipin pasi, me shumë gjasa, këtë sezon do të luaj për Elbasanin, ndonëse ende nuk kam firmosur, por kam rënë dakord me klubin për gjërat më të rëndësishme. Rikthimi në Elbasan ka qenë një dëshirë e imja, pasi dua të kontribuoj si dikur për ngjyrat e skuadrës së zemrës. Do të jap maksimumin për të arritur objektivat e klubit, të cilat janë ngjitja me patjetër në Superiore. Unë besoj se me projektin ekzistues kjo gjë do të arrihet”. Gjatë këtyre ditëve tek Elbasani pritet të vijnë disa lojtarë të huaj, të cilët do të provohen nga ana e stafit teknik.
VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"