Bylisin e “lë nafta” në Burrel, Hima: Fitore me vlera. Bellai: Ndikuan euforia dhe gabimet individuale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 12:44

Bylisin e “lë nafta” në Burrel, Hima: Fitore me vlera. Bellai: Ndikuan euforia dhe gabimet individuale

Burreli ka arritur të marrë një fitore të vlefshme, 1-0, përballë ekipit të vendit të dytë, Bylisit. Ky triumf i shërben mjaft ekipit matjan për vetë objektivin, që t’i largohet sa më shumë zonës së rrezikut e të ngjisë shkallë në klasifikim.

burreli fest

Ndërsa Bylisi me këtë humbje është distancuar me dy pikë nga Elbasani kryesues. Takimi ka nisur i shpejtë për vendësit, por më pas janë ballshiotët që në minutën e 13-të ekzekutojnë katër goditje nga këndi, por mbrojta e Burrelit me në krye Dedgjonajn është në lartësinë e duhur. Më pas vendësit marrin iniciativën duke shtuar presion në fushën kundërshtare. Burreli vijon epërsinë dhe krijon shumë raste për të mbërritur në të 43-ën, kur sulmuesi Farruku shënon pas një aksioni të bukur nga mesfusha me protagonist Kolecin dhe Hotin.

Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë ka vijuar me të njëjtin ritëm si e para me epërsinë e vendësve. Trajneri Bellai kryen disa zëvendësime për t’i dhënë rrjedhë tjetër lojës së Bylisit, por ata që hynë në fushë nuk u ngjitën më lart sesa ata që lanë fushën. Burreli vijon të sulmojë në kërkim të golit të dytë, por pa mundur të finalizojë. Minutat ecin dhe te lojtarët e të dy ekipeve vihen re shenja nervozizmi. Kryesori Sokoli nuk kursehet në dhënien e kartonëve të verdhë për lojtarët e të dy skuadrave.

Burreli krijon volum të madh loje dhe e vendos në presion të vazhdueshëm skuadrën mike. Kjo e fundit nuk mundi ta përballojë epërsinë e vendësve që krijuan raste të tjera me Farukun, Murrën, Kurbneshin, por pa mundur të shënojë. Edhe 6 minutat shtesë nuk e ndryshuan rrjedhën e ndeshjes, që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Burrelit. Kjo fitore shërben si frymëmarrje për vazhdimësinë e skuadrën së Burrelit.

Hima: Fitore me vlera, e kishim përgatitur

Klevis Hima, trajneri i Burrelit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Padyshim kjo fitore ka vlerën e vet, sepse erdhi në momentin që i duhej skuadrës. E kisha përgatitur ekipin për këtë rezultat, se ishte i vetmi që na bënte punë. E arritëm kundër një ekipi kualitativ, që me meritë është në ato nivele dhe synon Superioren.

Zhvilluam volum të madh loje, krijuam raste dhe shënuam vetëm një gol, i cili na dhuroi tri pikë të vlefshme. Duhet të ecim me ‘këmbë në tokë’, se me këtë fitore nuk është arritur gjithçka, pasi ka edhe plot ndeshje të tjera. Kjo fitore është e rëndësishme, por e tillë është edhe ajo e radhës në transfertë kundër Luzit. Do të fillojmë menjëherë punën për këtë sfidë”.

Bellai: Ndikuan euforia dhe gabimet individuale

Trajneri i Bylisit, Arian Bellaj, pas humbjes së ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Terreni ishte paksa i rënduar dhe ekipi nuk u shpreh si duhet, por kjo nuk duhet të shërbejë si justifikim. Duhet të përshtateshim me terrenin edhe me modulin e lojës. Patëm disa mungesa, por duhet të pranojmë se ndikuan shumë në lojën tonë euforia dhe gabimet individuale në përgjegjësi.

Jam i pakënaqur me lojtarët e stolit që aktivizova. Do ta analizojmë në detaje këtë ndeshje, duke adresuar edhe përgjegjësitë me synim përmirësimin e imazhit. Asgjë nuk ka përfunduar pasi ka shumë ndeshje në lojë. Diferenca me kryesuesen është vetëm dy pikë, kështu që Bylisi do të kërkojë rikthimin në Superiore dhe vendin e parë”.

MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"