Bylisi mendon për Partizanin, ballshiotët bëjnë llogaritë e ndeshjeve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 11:44

Bylisi mendon për Partizanin, ballshiotët bëjnë llogaritë e ndeshjeve të fundit

Pas triumfit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, në Ballsh janë duke menduar për sfidën e javës së 32-të të kampionatit me Partizanin. Dita e djeshme ka qenë pushim për lojtarët, pasi vijnë nga një ngjeshje në kalendar. Trajneri Dovedan ka menduar që të lërë pushim tërë skuadrën, pasi prej një muaji luan pa ndërprerje. Ndërsa pritet që Bylisi sot t’u rikthehet seancave stërvitore për ndeshjen e kampionatit.
BYLIS
Ballshiotët, edhe pse janë pjesë e Kupës së Shqipërisë, duan që t’i mbyllin sa më shpejt “hesapet” me mbijetesën. Për ndeshjen e së hënës me Partizanin, që luhet në Ballsh, rrezikon mesfushori Mario Barjamaj. Edhe pse nuk luajti në kampionat, në sfidën e javës së shkuar me Kukësin, u aktivizua ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, por qëndroi vetëm pak minuta pasi pati probleme.
Barjamaj-111111
Gjendja e mesfushorit titullar do të shihet këto dy ditë, duke qenë se ndeshja do të luhet ditën e hënë. Në Ballsh shpresojnë që ta kenë Barjamajn, për më tepër që është një futbollist që luan në dy-tri role. Pjesa tjetër e skuadrës është OK, madje edhe uruguaiani Mozone është gati. Bylisi pritet që të jetë i plotë në sfidën me të kuqtë, ndërsa skuadra e Dovedanit do të kërkojë patjetër tri pikët për të mos ndërlikuar pozitat në fundin e renditjes.

Në Ballsh po i bëjnë llogaritë për ndeshjet e mbetura. Bylisi ka tri sfida në shtëpi dhe dy në transfertë. Ballshiotët luajnë me Partizanin, Laçin dhe Luftëtarin në “Adush Muça”, ndërkohë që kanë ndeshje në transfertën e Vlorës, me Flamurtarin, dhe në javën e fundit me Tiranën në kryeqytet. Te Bylisi duan që të marrin pikët maksimale, mision i vështirë, por jo i pamundur, por më parë duhet kaluar Partizani. Vllaznia është vetëm katër pikë larg dhe në Ballsh duan që të shmangin me patjetër ndeshjen e “play out”-it, ndaj edhe në të tria sfidat e shtëpisë të paktën duhet që të marrin 9 pikë, për të shpresuar për pikë edhe në dy transfertat, Vlorë e Tiranë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"