Bylisi kthehet te fitorja, Tomori ia bën të vështirë. Trajneri Bellai: Rëndësi kanë 3 pikët, e prisja të tillë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 16:15

Bylisi kthehet te fitorja, Tomori ia bën të vështirë. Trajneri Bellai: Rëndësi kanë 3 pikët, e prisja të tillë

Bylisi rikthehet te fitorja pas disfatës me Kastriotin dhe barazimit me Elbasanin. Skuadra e Arian Bellait e nis në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e tretë, teksa në Ballsh mund Tomorin me rezultatin 2-1.

BELLAI

U duk se do ta kishte të lehtë skuadra mallakastriote, kur Ruçi shënoi shpejt golin e avantazhit, por barazuan miqtë me anë të Hysollit me një eurogol. Në pjesën e dytë, Xheferson u ka dhënë 3 pikët ballshiotëve që ruajnë kreun e klasifikimit. Ndërsa Tomori me këtë humbje vazhdon që të rëndojë pozitat në fundin e renditjes.

Ndeshja -Takimi nis me ritëm, madje ka përplasje në mesfushë, ku nuk mungojnë kartonët. Bylisi e gjen golin e parë në minutën e 17-të herët, me një aksion që nis nga mbrojtja vendase, Ruçi lirohet në hyrje të zonës dhe gjuan bukur duke ndëshkuar skuadrën e vendlindjes. Ballshiotët nuk e ulin ritmin, por edhe beratasit provojnë të ndërtojnë inkursione me Hysenin dhe Hysollin. Në minutën e 40-të, nga një goditje dënimi, Hysolli gjuan drejt e në portë nga 20-22 metra dhe portieri Beqaj e mbrojtja vendase mendojnë se topi po shkon jashtë, por “sfera” shkund trekëndëshin e portës dhe përfundon në rrjetë.

Në shifrat 1-1 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis me zëvendësime në të dy kampet, ku gjithçka lidhet me arritjen e fitores. Bylisi që në minutat e para krijon mundësi shënimi me Xheferson, Souza dhe Kamara. Presioni vjen e rritet për miqtë që ngjishen në mbrojtje të rezultatit. Por në minutën  e 64-t “thyhet” mbrojtja mike, ku Xheferson Kibe arrin të finalizojë topin e dhënë nga Trumçi dhe 2-1 për Bylisin.

Në minutat në vazhdim të dy trajnerët bëjnë rifreskimet e radhës të skuadrave, por pa mundur që të ndryshojë rezultati. Një duel që mbyllet më duartrokitje nga tifozët vendas dhe ndeshje “fair-play”. Bylisi vijon i qetë kryesimin dhe marshimin drejt Superiores, ndërsa Tomori shton pikëpyetjet për mbijetesën, gjë e cila u pa edhe te mosprononcimet pas ndeshjes nga beratasit.

 

Trajneri

Bellai: Rëndësi kanë 3 pikë, e prisja të vështirë

Arian Bellai, trajneri i Bylisit përgëzoi skuadrën për fitoren kundër Tomorit dhe pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “E nisëm fazën e tretë në mënyrën më të mirë edhe pse përballë kishim vendin e fundit. Ndodhi ajo që e kisha parashikuar, se nuk do ta kishim të lehtë. Nuk duhet ta përsërisim më, pasi në pjesën e dytë shpërdoruam raste, ku duhet të kishim shënuar edhe 4-5 gola të tjerë. Rëndësi ka që morëm 3 pikët në shtëpi dhe jemi në vend të parë. Pjesa e parë ishte e hapur, ku shënuam dhe pësuam. Pjesa e dytë u bë e vështirë, pasi Tomori u ngjesh shumë prapa. Ky takim iku, të mendojmë për sfidën e radhës. Kjo është fazë e vështirë, pasi çdo ekip ka llogaritë e veta”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"