Burreli prezanton trajnerin Patushi, zbulohet edhe stafi: Ekipi do ketë moshë të re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2021 | 13:57

Burreli prezanton trajnerin Patushi, zbulohet edhe stafi: Ekipi do ketë moshë të re

Pak ditë më parë, në krye të pankinës matjane u zyrtarizua Saimir Patushi, ish-futbollist i Burrelit. Fundjavën e shkuar ai është prezantuar me pjesën tjetër të stafit, me të cilët do të punojë për sezonin e ri 2021-2022. Administratori i klubit të Burrelit, Bajram Ballabani, e njohu trajnerin e ri dhe stafin e tij me ambientet ku do të punojnë.

IMG-20210619-WA0005

“Stafin teknik e njoha me ambientet e stadiumit, ato të brendshme, por edhe fushën. Pak ditë më parë vendosëm së bashku me kryetarin e bashkisë, Agron Malaj, t’ia besonim drejtimin e ekipit trajnerit Saimir Patushi, ish-futbollist i Burrelit. Prezantuam edhe stafin që do të drejtojë skuadrën për sezonin e ardhshëm. Trajneri Patushi ka ardhur bashkë me zëvendësin e tij, Endri Kaca, ndërsa trajner i portierëve do të jetë Marjan Lleshaj, drejtor teknik, Klevis Gjoka. Puna ka nisur dhe po diskutojmë të gjitha mundësitë e ndërtimit të skuadrës që do të përfaqësojë Burrelin në sezonin e ri. Jemi në rrugë të mbarë dhe në kohë për të ndërtuar një ekip dinjitoz, që do t’i bëjë ballë garës shumë të fortë që do të zhvillohet kampionatin e ardhshëm”, u shpreh administratori i Burrelit, Bajram Ballabani.

TRAJNERI– Ndërkohë, Patushi zbuloi një pjesë të planeve për sezonin e ri. “Është kënaqësi që unë jam pjesë e klubit mëmë, Burrelit. Te ky stadium, te kjo fushë, te këto shkallë, kam hedhur hapat e mi të parë si futbollist. Stafi është kompletuar dhe çdo ditë po bisedojmë me lojtarë që duam t’i kemi për sezonin e ri. Ekipi do të jetë me një moshe të re, pasi duam t’i japim shumë hapësirë elementit vendës, por pa hequr edhe ata të eksperiencës. Fillimisht punën do ta nisim me përzgjedhjen e lojtarëve vendës, nga grupmoshat deri tek ekipi i parë. Na duhen edhe lojtarë me eksperiencë, pasi për të arritur tek objektivat, duhet bërë gërshetimi dhe besoj se më pas puna do të ecë shumë mirë”, tha në prononcimin e tij Saimir Patushi. Sipas drejtuesve të klubit matjan, skuadra pritet të grumbullohet gjatë muajit korrik, ndërsa do të punohet për gjetjen e elementëve cilësorë.

DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"