“Bojkoti na ka ndihmuar”, Elvi Berisha: Ahmataj më stimulon, këtë sezon prisni gola dhe asiste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2020 | 16:31

“Bojkoti na ka ndihmuar”, Elvi Berisha: Ahmataj më stimulon, këtë sezon prisni gola dhe asiste

Pasi qëndroi në stol sezonin e kaluar, këtë vit Elvi Berisha është gati të marrë rolin e protagonistit te Skënderbeu. Lojtari i krahut të majtë nuk e ka pasur të lehtë këtë periudhë në Korçë dhe vështirësitë nuk ngurron që t’i rrëfejë për “Panorama Sport”. Në këtë intervistë sulmuesi fierak flet edhe për metamorfozën që ka pësuar ekipi që pas ardhjes së Julian Ahmatajt në krye të stolit. Për 21-vjeçarin, ky sezon e gjen Skënderbeun me lojtarë të rinj, por të gatshëm për të treguar maksimumin.

elvi berisha

Gati një vit te Skënderbeu. Si ka qenë kjo aventurë për Berishën?

Përshtatja në fillim ishte pak e vështirë. Unë erdha në merkaton e janarit të sezonit të kaluar dhe nuk e pata fort të lehtë dhe kjo është më se normale për çdo lojtar. Mund të them se jam ambientuar tashmë dhe ndihem shumë mirë në ekip. Kam arritur të marr maksimumin gjatë kësaj periudhe.

Sezonin e kaluar keni qenë më shumë në stol, tani duket se jeni kthyer në pikë kyçe e Skënderbeut. Çfarë ndryshoi?

Unë erdha, sikundër e thashë edhe më sipër, në gjysmën e sezonit të kaluar dhe ishte e vështirë të futesha në skuadër menjëherë, pasi grupi kishte krijuar identitetin e vet dhe po reagonte mirë. Plus kësaj ndikuan edhe disa dëmtime të vogla që më shoqëruan në pjesë të ndryshme të sezonit të kaluar dhe më lanë jashtë për disa kohë duke bërë që të mos kapja dot formën maksimale. Një nga ndryshimet e mia për këtë sezon, që ndoshta me shumë mundësi ka bërë kthesën edhe në pozicionin tim në fushë te Skënderbeu, ka qenë ardhja e trajnerit të ri. Profesor Julian Ahmataj me këshillat e vazhdueshme dhe punën që ka bërë me mua ditë për ditë më ka dhënë tjetër stimul dhe ndjesi për lojën.

Ekipi ka ndryshuar shumë. Sa larg mund të shkojë ky Skënderbe me shumë lojtarë të rinj?

Është një sezon i ri që sikundër e thatë ju vjen me shumë ndryshime. Ekipi pothuajse është krijuar nga e para dhe kjo ka qenë gjë e vështirë në fillim, pasi duhet të përshtateshim me lojën e re dhe me lojtarët e rinj. Është bërë një punë vërtet e madhe nga ana e stafit për të sjellë ekipin në këtë gjendje që është sot. Mund të them se tani ekipi është konsoliduar pas atyre ndryshimeve. Megjithatë, mendoj se ky Skënderbe me lojtarë të vegjël dhe të rinj mund të bëjë gjëra shumë të mëdha.

Skenderbeu Ahmataj

Sa ju ka penalizuar apo ndihmuar shtyrja e nisjes së kampionatit?

Do të thosha se na ka ndihmuar shumë, si në përgatitje, në rregullimin e ekipit dhe mendoj se ka qenë një fat, nëse mund ta quaj kështu, për ne sepse mund të kishim disa probleme rrugës në qoftë se kampionati do të niste më shpejt. Por, tani jemi forcuar shumë dhe kemi konsoliduar manovrën tonë, prandaj dhe mezi presim të fillojë sezoni i ri sepse jemi gati.

Çfarë pret Berisha nga ky sezon si protagonist te Skënderbeu?

Shpresoj ta ndihmoj shumë ekipin si me asiste apo edhe me gola e të shkojmë sa më lart të jetë e mundur. Kjo pa dyshim që i shkon për shtat një ekipi si Skënderbeu. I kemi kualitetet e duhura për ta bërë një gjë të tillë.

Po bëhen gati dy muaj pa futboll, a ju mungon futbolli dhe a mendoni se duhet të nisë sa më shpejt?

Futbolli na mungon shumë sepse kjo, përveç profesionit që e kemi zgjedhur është dhe pasioni ynë. Mendoj se duhet të nisë sa më shpejt të jetë e mundur sepse do të jetë mirë për të gjithë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"