Bogdani tregon objektivat: Ja diferenca shqiptarë-italianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 12:28

Bogdani tregon objektivat: Ja diferenca shqiptarë-italianë

Ka kaluar pjesën e artë të karrierës së tij si futbollist në Itali dhe prej vitesh jeton përtej Adriatikut. Tashmë është në rolin e trajnerit të Kombëtares U-19. Erjon Bogdani, në një intervistë dhënë për portalin “ilcalcioalbanese”, ka deklaruar se cilat do të jenë objektivat e Kombëtares U-19 për të ardhmen si dhe ka komentuar diferencat mes shqiptarëve dhe italianëve.

bogdani

KUALIFIKUESET – “Në kualifikuese jemi përballur me një grup kombëtaresh të forta, si Ukraina, Norvegjia apo Mali i Zi. Nuk duhet të ndalemi vetëm te rezultatet në këto ndeshje, por duhet të shohim se si këta futbollistë mund të japin më të mirën. Nuk jemi të zhgënjyer nga rezultatet, ashtu siç nuk u entuziazmuam në fillim të edicionit, kur luajtëm në dy finale: Një të fituar dhe një të humbur me penallti”.

“YJET E KOMBËTARES U-19” – “Armand Rada dhe Marash Kumbulla kanë qenë protagonistë, por janë në një moshë shumë delikate dhe nuk duhet të nxitohemi. Shumë futbollistë maturohen më vonë, megjithatë disa të tjerë arrijnë të shprehen lehtë- sisht edhe në këtë moshë”.

bogdani

DIFERENCAT ITALI-SHQIPËRI – “Ajo që duhet thënë në krahasimin mes dy kulturave në futboll, është shpirti i garës. Në Shqipëri janë krenarë për vendin e tyre dhe për fanellën që ata përfaqësojnë, e këtu nuk po flas vetëm për futbollistët, por për të gjithë, edhe stafin. Ky është ndryshimi thelbësor që unë shoh në këtë drejtim dhe elementi kryesor për të ndërtuar një bazë solide”.

OBJEKTIVI – “Qëllimi ynë është që të stërvitim futbollistët e prodhuar në Shqipëri dhe t’i drejtojmë drejt tregut europian. Në kualifikueset e radhës kundër Ukrainës, Norvegjisë dhe Sllovakisë, pres nga futbollistët maturim në krahasim me ndeshjet e kaluara. Kombëtaret me të cilat do përballemi, ne i njohim mjaft mirë dhe besoj se do të jetë një test i rëndësishëm për t’u rritur”, ka deklaruar trajneri i U-19, Erjon Bogdani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"