Boçi: Teuta meriton më shumë, kundër Kukësit tregojmë vlerat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 18:28

Boçi: Teuta meriton më shumë, kundër Kukësit tregojmë vlerat

Teuta nuk arriti të shkojë më shumë sesa një pikë kundër Vllaznisë në Durrës. Muço Boçi ishte një nga pikat kyçe të mesfushës në atë ndeshje dhe duket sikur dalëngadalë ka hyrë si duhet në ingranazhet e skuadrës dhe është bërë një pikë referimi për trajnerin Martini. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Boçi ka folur rreth barazimit kundër Vllaznisë, por dhe për sfidën me Kukësin, që për mesfushorin është një ndeshje që kërkon vëmendje dhe përqendrim.

teuta kukesi

Çfarë duhej të bënit më shumë për tri pikët kundër Vllaznisë?

Patjetër që s’na vjen mirë për barazimin. Ishte një ndeshje delikate, çunat meritojnë të gjithë shumë komplimente për “luftën” e zhvilluar. Kundërshtari ka një ekip të mirë dhe ishte një duel i vështirë. Por nuk ka mbaruar asgjë akoma. Kemi katër ndeshje finale deri në fund për t’i zhvilluar.

E diela rezervon një Kukësi Teuta, si e parashikoni?

Do të jetë padyshim një ndeshje e fortë. Kukësi është ekip i mirë në kampionatin shqiptar. Të gjitha ekipet janë aty-aty, edhe pse ato janë në vendin e fundit. Nëse ne do të futemi në fushë dhe do të luajmë siç kemi luajtur, me përqendrim, thjeshtësi dhe dublim, nuk besoj se do të kemi shumë probleme. Duhet të shohim veten tonë, nuk duhet të merremi me kundërshtarët.

Kukësi vjen nga një moment jo i mirë. Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Shiko, në të tilla ndeshje nuk ka favorit, por duke nisur nga gjendja që jemi, por edhe nga entuziazmi që mbizotëron në Durrës këtë periudhë, unë mendoj se ekipi do të bëjë maksimumin që të dalë me fitore kundër Kukësit. Këto ndeshje nisin si të barabartë, pavarësisht pikëve apo renditjes. Kështu që duhet të jemi të supermotivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka. Nuk është nevoja për motivim, ne jemi të vetëmotivuar për këtë takim.

Sa pikë më tepër mendoni se mund të kishit pas gjithë atyre barazimeve dhe cila është ndeshja që ju ka mbetur në mendje?

Me atë që kemi dhënë në fushën e lojës mendoj se duhet të kishim më shumë pikë, por për shumë faktorë, këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje “peng”, por ato ndeshje që nuk i fiton të mbeten pishman dhe gjithnjë mendon se çfarë mund të kishe bërë më mirë.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë më tepër ekipi në këto ndeshje të mbetura?

Në shumë ndeshje Teuta ka dominuar dhe ka pasur mundësi për të shënuar, por nuk e ka ndihmuar dhe fati. Mendoj që problemi i golave nuk është aq i thjeshtë për ta korrigjuar, por nëse do të vijojnë me këto ritme edhe sulmuesit do të shpërblehen.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"