Blofi i parë në Kupë, FSHF përfshiu një skuadër që nuk ekziston

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 11:10

Blofi i parë në Kupë, FSHF përfshiu një skuadër që nuk ekziston

Kamza është pa ekip dhe rrjedhimisht nuk do të udhëtojë drejt Fierit sot, aty ku duhet të luante me Apoloninë për llogari të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Rrjedhimisht, fierakët e fitojnë 3-0 ndeshjen në tavolinë, e megjithatë FSHF-ja s’i ka bërë mirë llogaritë. Në një kohë që ishin vetë që e përjashtuan 5 muaj më parë, duhet të ishin informuar që nuk janë organizuar si skuadër.

Kamza-Stervitje

Duke e përfshirë në çiftet e këtij raundi, i hoqën të drejtën ndonjë tjetër ekipi të merrte pjesë në garë. “Panorama Sport” kontaktoi dje me kryebashkiakun e ri të Kamzës, i cili, kur u pyet për të ardhmen e skuadrës së futbollit, tha: “Nuk mund të përgjigjem se si do të shkojë puna me sportin, pasi prioritet në fillimin e punës sime do të jenë shkollat dhe kopshtet. Pas njëfarë kohe unë do të ulem me njerëzit e sportit dhe do të hartojmë projektet dhe programet”.

Mziu-Qarri-470x306

Kategoria e Dytë nis këtë fundjavë, megjithatë nuk dihet nëse skuadra do të organizohet në kohë. Ndaj, pas bisedës me Rakip Sulin, gazeta bisedoi edhe me presidentin Naim Qarri. Ky i fundit thotë se po pret të flasë me kryebashkiakun Rakip Suli dhe konfirmoi se nuk do të paraqiten në Fier. “E kam marrë disa herë në telefon dhe i kam dërguar mesazhe, por nuk kam komunikuar dot me kryetarin e ri. Më dhemb shpirti për ekipin dhe kurrsesi nuk dua të heq dorë, por kam nevojë për bashkëpunim. Nuk mund të mbaj një klub vetëm me të ardhurat familjes sime. Prandaj, nëse bashkia nuk jep ndihmën e vet si bashkaksionere, do të ishte mirë. Do të bëj të gjitha përpjekjet që ta ringremë përsëri skuadrën. Jemi të vonuar, sepse kemi pritur bashkëpunimin me bashkinë, gjithsesi ne do të ndërtojmë një skuadër me djemtë e rinj të Kamzës e do të përpiqemi të ngjisim sërish kategoritë me radhë, derisa të kthehemi në elitë. A do të shkojmë në Fier? Nuk jemi gati, ende nuk kemi bërthamën e ekipit dhe trajnerin”, tha Qarri.

Disa orë më vonë, presidenti na informoi se sot do të takohet me kryebashkiakun, pasi i kishte kthyer përgjigje. Në fund, foli edhe me Kukësin, që pret të luajë në stadiumin “Kamza”. “Nuk do të lejojmë që të luajë asnjë ekip në stadiumin tonë, qoftë edhe Kukësi. Ky impiant është yni dhe me letra. Jemi në Kamzë, e jo në Kukës. Prandaj, ta harrojnë, ndonëse mund t’i kenë premtuar dikush që të luajnë aty”, përfundoi presidenti.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"