“Besa ime, si… Ajaksi”, flet Bizhdili: Jemi i vetmi klub që mbështesim talentet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2019 | 14:21

“Besa ime, si… Ajaksi”, flet Bizhdili: Jemi i vetmi klub që mbështesim talentet

Besa kërkon që të ruajë traditën. Edhe këtë sezon, kavajasit nuk kanë në plan që të heqin dorë nga promovimi i të rinjve. Këtë gjë e konfirmon edhe vetë presidenti Nexhat Bizhdili, i cili dëshiron që të ndjekë modelin e Ajaksit. E sigurisht që diferencat me gjigantin holandez janë të mëdha, por kjo nuk e pengon kreun e klubit që të implementojë të njëjtën strategji.

Bizhdili

Një gjë të tillë e kanë aplikuar prej disa sezonesh dhe mjafton të kujtojmë që pikërisht te verdhezinjtë janë promovuar emra si Bernard Berisha, Arbnor Fejzullai, apo edhe Sokol Cikalleshi. Edhe pse pjekurinë e gjetën në klube të tjera të elitës së futbollit shqiptar, në transferimin e tyre jashtë vendit ka pasur pa dyshim ndikim edhe Besa.

Edhe në kampionatin e fundit pjesë e organikës së drejtuar nga Gugash Magani ishin një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Shaljani, Zeqiri, Krasniqi, Thaçi, Cara, Ndraxhi, Deliu, Patoshi, Mecja, Selita e Kacbufi, dhe në këtë merkato vere iu shtuan edhe dy 19-vjeçarë. Klubi ka prezantuar si blerje pikërisht Klevis Shaqen e marrë nga Tomori dhe Uheid Hoxhënj të dalë nga akademia “Vllaznia”.

Bizhdili

PRESIDENTI

Gjatë një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti zbardh planet për sezonin e ri, ndërsa saktëson se veç të rinjve, do të vijnë edhe lojtarë të përvojës.

“Do të vijojmë të evidentojmë, të afrojmë e të mbështesim lojtarët e rinj të talentuar. Për sezonin në vazhdim do të bëjmë 3-4 afrime futbollistësh të përvojës nga Superiorja, ndërsa pjesa tjetër, rreth 20 futbollistë, do të jenë talentet 18-21 vjeç. Ndoshta konkurrimi në Kategorinë e Parë na ka penguar disi të nxjerrim në treg lojtarët e formuar te Besa, por ju kujtoj se pak kohë më parë te ne u afirmuan lojtarë si Bajram Jashanica, Bernard Berisha, Arbnor Fejzullai apo edhe Vedat Murriqi, i cili sot shkëlqen në Turqi. Objektivi ynë këtë sezon mbetet përsëri Superiorja. Ndaj po ndjekim këtë strategji, duke menduar për ngjitjen në elitë, por edhe për perspektivën njëkohësisht. Ne u japim besim atëherë kur këto talente nuk i njeh e përkrah njeri. Besa ka zgjedhur të jetë klubi i vetëm në Shqipëri që mbështet lojtarët e talentuar shqiptarë, të të gjitha trojeve nga Maqedonia, Presheva, Kosova. Do vijojmë këtë strategji për të ndjekur shembullin e Ajaksit, edhe pse vështirë të bëhemi ndonjë ditë si ata (qesh)”, përfundoi presidenti i kavajasve.

Feriz Ferizaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"