Besa “godet” në merkato, kavajasit rikthejnë ish-mesfushorin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 14:28

Besa “godet” në merkato, kavajasit rikthejnë ish-mesfushorin e Tiranës

Besa “godet” në merkato. Edhe pse tregu i shit-blerjeve është mbyllur, kavajasit kanë siguruar shërbimet e një “ish”-i. Alket Çelhaka është rikthyer te verdhezinjtë. Lajmi është zyrtar sepse mesfushori, pasi ka arritur akordin me presidentin Nexhat Bizhdili, është vënë direkt nën urdhrat e trajnerit Gentjan Begeja. Lojtari mund të federohet lehtësisht, derisa ishte pa kontratë që pas “divorcit” me Tiranën. Rregullorja e FSHF-së i jep mundësi çdo futbollisti që të gjejë ekip në rast se është i lirë.

celhaka2

Dhe këtë shans e kanë shfrytëzuar që të dyja palët, jo vetëm Çelhaka që gjen ekip, por edhe kavajasit që sigurojnë shërbimet e një futbollisti me vlera për linjën e majtë. Për “Panorama Sport”, 24-vjeçari konfirmon arritjen e marrëveshjes me skuadrën “mëmë”. “Kam arritur akordin me ekipin e vendlindjes, aty ku hodha hapet e parë të karrierës dhe u formova si profesionist. Kam bërë zgjedhjen e duhur, kur dihet që Besa ka pretendime madhore këtë sezon. Gjatë verës kam qenë në bisedime me disa ekipe të Superiores, por për arsye të ndryshme nuk kemi rënë dakord”, tha Çelhaka.

LLOGARITË – Humbja në Pogradec ka mërzitur jo pak presidencën e stafin teknik. Me objektiv kthimin në elitë, skuadra dha sinjale që në javën e parë se ngjitja do të jetë një “malore” e vërtetë. Kjo vështirësi shtohet kur kemi parasysh ekipe si Bylisi, Lushnja, Apolonia, Egnatia, Pogradeci apo ndonjë tjetër. Dhe për të mos komplikuar misionin final, në Kavajë duket se kanë vendosur që të mos shpërqendrohen me Kupën e Shqipërisë.

Burime brenda stafit teknik saktësojnë se Besa nuk do të ketë pretendime duke filluar nga ndeshja e sotme që do të luajnë me Kamzën. Madje, ky 90-minutësh do të jetë i gjithi në shërbim të ndeshjes së ardhshme ndaj Apolonisë. Dhe kthesa vlen jo vetëm për pikët, por edhe për përmirësimin e gjendjes psikologjike. Kur dihet që ekipi është ri në moshë, vetëm kështu mund të motivohet grupi.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"