Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2013 | 13:09

Berisha, legjenda e Partizanit që punon si shofer ambulance

Uvil ZajmiNga UVIL ZAJMI
Shkurt i vitit 1971. Në Tiranë do të luhej ndeshja Shqipëri- Gjermani, e vlefshme për eliminatoret e Europianit. Gjermania, e tronditur pas barazimit 0-0 në ’67-ën, kishte ardhur me skuadrën më të plotë e më të famshme se kurrë. Bekenbauer, Myler, Netzer, Overat, Majer janë disa prej legjendave të sjellë në Shqipëri nga Helmut Shën. Kuriozitet, përgjegjësi dhe shumë tension kishte edhe në kampin shqiptar. Të gjithë prisnin me ankth për një përfaqësim jo vetëm dinjitoz, por edhe me rezultat pozitiv. Shi, kohë e keqe dhe ditë e mërkurë, ora 14.00, kur është caktuar fillimi i ndeshjes në stadiumin “Qemal Stafa” të tejmbushur. Askush nuk kishte informacion për përbërjen e ekipit. Parashikohej që në mbrojtje të jenë Berisha dhe Cani, dy qendrorët e Partizanit dhe të preferuarit e Boriçit në Kombëtare. Por, në vigjilje të ndeshjes, Boriçi ka tjetër mendim: Në nxehje nuk del Berisha dhe është Dhales, qendërmbrojtësi i 17 Nëntorit. Pse jo Berisha, por Dhales? “I madhi Boriçi, pak minuta para ndeshjes, më thirri dhe më informoi se kishte një ide për të luajtur me Dhalesin dhe jo me mua”, – kujton vetë Berisha, ish-lojtari i shquar i Partizanit. “Duke qenë terren rrëshqitës, ai gjykoi se karakteristikat e Dhalesit i përshtateshin më mirë atij terreni, ndërkohë që kundërshtarët nuk aplikonin shumë lojën në ajër. Dhe kaq, pra ky ishte motivi pse unë nuk luajta atë takim, por Dhales. Unë dhe Bujar Cani kishim kohë që luanim bashkë te Partizani, pra kishim një eksperiencë dhe mendohej që do të ishim ne të dy boshti kryesor i mbrojtjes kundër Gjermanisë. Pas këtij takimi, luajtëm kundër Polonisë në Tiranë. Unë u aktivizova në pjesën e dytë dhe prej asaj ndeshjeje kam luajtur titullar dhe nuk lëviza më asnjëherë nga formacioni”, – përfundon Berisha.
Historia Si futbollist e ka zanafillën nga të rinjtë e “Lokomotivës”, ku dallohet dhe ka premisa për të ardhmen. Pas Spartakiadës së vitit 1965, luan me të rinjtë dhe një vit më vonë në Durrës vjen Loro Boriçi si trajner i “Lokomotivës”. Në pragkampionati, Boriçi hedh një vështrim tek të rinjtë. Spikat Berishën dhe e merr menjëherë me ekipin e parë, ku do të gjejë Cikon, Bespallën, Gramin, Dumën e të tjerë. Pas dy sezoneve titullar me Lokomotivën, vjen edhe grumbullimi i parë me ekipin “Shpresa”, për një turne që do të zhvillohet në Sibiu të Rumanisë. Në janar të vitit 1969 thirret për të kryer shërbimin ushtarak i detyrueshëm. Për 6 muaj luan me Apoloninë dhe në fundsezoni, në muajin gusht transferohet te Partizani, ku trajner sapo është emëruar Loro Boriçi. Janë vitet e dominimit të “17 Nëntorit”, të një futbolli të bukur, admirues. Kërkohet rikthimi i Partizanit në elitën e futbollit kombëtar dhe klubi thërret Boriçin për të rigjetur lavdinë e humbur. Titullar te Partizani për më shumë se 14 vjet, qendërmbrojtës modern, i fortë në lojën në ajër, i pakalueshëm dhe një mbrojtës i sigurt për “Partizanin” e Muhedinit, Ziut, Canit, Thakës, Ballukut, Bizit, Jankut e Panos. Kapiten (pas Panos) për shumë vite me “Partizanin” dhe ekipin kombëtar, me të cilin luajti 19 ndeshje, deri në vitin 1982, kur ishte 33 vjeç dhe mbylli karrierën. Me Partizanin fiton titullin kampion, Kupën e Republikës, duke u shpallur edhe kampion i Ballkanit me klube. Të paharruara ndeshjet kundër Advidabergut, Sëlltikut, Malmos, Insbrugut, ndërkohë që ka edhe një ndeshje në Kupën e Kampioneve, kur luajti me Vllazninë kundër Austrisë së Vjenës. Por, ku është sot Safet Berisha? Prej shumë vitesh, bashkë me familjen punon dhe jeton në Itali, në Areco, ku është i vendosur prej shumë kohësh. Futbollin e la pas krahëve, duke mos u angazhuar më me të. As dy djemtë, Eltoni 35-vjeçar dhe Juliani 32 nuk ndoqën rrugën e të atit. Ndonëse vitet kanë kaluar edhe sot, Safet Berisha është ai i viteve që ka luajtur. Nuk ka ndryshuar aspak, madje ruan të njëjtën strukturë fizike. I dashur dhe shumë komunikues me spektatorin, tifozin edhe ata kundërshtarë. Asnjëherë i ndëshkuar, por i respektuar nga arbitra e drejtues. Edhe në spitalin e Arecos, ku punon dhe ka shumë miq, është shumë u respektuar. I kanë besuar repartin e prapavijës, atë të automjeteve të urgjencës, ku jep kontributin me shërbimin e menjëhershëm e të shpejtë, pa fjalë e shumë korrekt. Me Shqipërinë e lidhin shumë ngjarje dhe ka shumë nostalgji. Vazhdon të jetë tifoz i Partizanit, ndjek Kombëtaren dhe është entuziast për lojën e rezultatet. Por, nuk harron asnjëherë të rinjtë e “Lokomotivës”, spartakiadat në Plepa (Durrës), Partizanin e kombëtaren e atyre viteve. Në veçanti Loro Boriçin, njeriun që i përcaktoi fatin e jetës, jo vetëm sportiv, por edhe më shumë.

Safet Berisha“Vara këpucët prej Birçes, i shihte lojtarët si boksierë”
Legjenda e futbollit shqiptar, Safet Ber isha, ka treguar dje në një intervistë për “Panorama Sport” tërheqjen e tij nga futbolli në vitin 1981, atëherë kur ishte në formën e tij më të mirë. Ish-mbrojtësi i shquar i Partizanit, që prej 21 vitesh jeton në Itali, nuk ngurron të japë një mendim edhe për situatën aktuale në futbollin shqiptar, duke bërë krahasimin me të kaluarën.
Zoti Berisha, sa kohë keni që jetoni në Itali?
Jam larguar nga Shqipëria që në vitin 1992. Kam shkuar në Itali me kontratë pune, duke mos hasur shumë vështirësi, siç ka ndodhur rëndom me emigrantët shqiptarë. Fillimisht u vendosa në Bari, ku qëndrova për 6 vjet, ndërsa në 15 vitet e fundit jetoj në Areco.
A e keni ndjekur futbollin shqiptar gjatë kësaj periudhe?
Po, sigurisht. Për fatin e mirë e kam ndjekur, pasi gjatë viteve të fundit kam marrë edhe platformat dixhitale, për të qenë më afër vendit tim. Nuk mund të them se e kam ndjekur shumë, por edhe kjo e ka një arsye. Jam shumë i indinjuar kur kam parë se çfarë ndodh në futbollin tonë. Dhunë ndaj arbitrave, grindje mes lojtarëve, tifozë të irrituar, ndeshje të trukuara e shumë gjëra, që personalisht më kanë lënë një shije të keqe. Në kohën kur unë kam luajtur futboll këto fenomene nuk ekzistonin.
Sa mbrapa është futbolli shqiptar në raport me atë ndërkombëtar?
Për të ecur para futbolli shqiptar duhet që të ketë një mentalitet më të mirë se ai që ekziston. Në kohën tonë, me emra si Frashëri, Pano, Përnaska, Zhega, Bici, Haxhiu etj., futbolli nuk ka qenë më i dobët se sot. Nëse marrim një shembull, unë mund të them se në kohën tonë vuanim për të pirë një çaj në pushimin e ndeshjes, ndërkohë që i merrnim barazim Gjermanisë. Sot, një futbollist shqiptar, edhe pse ka kushte, nuk e arrin dot Panajot Panon, Petrit Dibrën apo Ilir Përnaskën. Nuk shoh të tillë as në klubet tona dhe as në Kombëtare. Lojtarët e kohës sonë janë më të mirët se aktualët, edhe pse futbolli tashmë ka evoluar. Në ndryshim nga ne, tani kanë hyrë fenomene të tjera, si ai i trukimit të ndeshjeve. Kjo e lë futbollin tonë jashtë Europës.
Për çfarë ju merr më shumë malli nga futbolli shqiptar?
Për shumë gjëra. Së pari më merr malli të shikoj një skuadër shqiptare që të përfaqësohet denjësisht në Ligën e Kampioneve. Në kohën tonë Partizani, Dinamo dhe Vllaznia bënin paraqitje mbresëlënëse. Më merr malli ta shikoj stadiumin “Qemal Stafa” të mbushur plot. Njerëzit kanë nevojë të zbaviten në fundjavë, pas stresit që mund të kenë nga punët që bëjnë. Unë këtë e shikoj në Itali, mirëpo futbolli në Shqipëri nuk ta dhuron këtë kënaqësi. Pra, nuk shkon në stadium me qejf, por të shtohet stresi. Dëshira ime për futbollin shqiptar është t’u japë mundësi tifozëve të çlodhen, pas një pune të lodhshme që kanë bërë gjatë javës.
Sa i informuar jeni për dramën që kaloi Partizani gjatë katër viteve të fundit?
Sigurisht që e kam ndjekur ecurinë e klubit tim të zemrës. Nuk kam fjalë, më vjen shumë keq, jo vetëm për Partizanin, por edhe Dinamon. Është e tmerrshme të mendosh që këto ekipe të jenë në të tilla nivele. Drejtimi i klubit Partizani ka qenë shumë i keq, por jam kënaqur kur, sapo erdha para tri ditësh në Shqipëri, dëgjova për jehonën që kishte bërë ngjitja e Partizanit në Superiore. Uroj me gjithë shpirt që Partizani të arrijë nivelet më të larta. Kam luajtur 15 vjet me atë fanellë, e dua shumë. Kam qenë titullar nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit.
Pse nuk vazhduat të merreshit me futboll edhe pasi varët këpucët në gozhdë?
E kam lënë futbollin 31 vjeç, por isha në formën time më të mirë. U ktheva nga Gjermania në vitin 1981 si kapiten i ekipit kombëtar. Pas një sezoni të shkëlqyer, rrymat dhe ndikimet bënë që unë të hiqja dorë nga futbolli. Nuk e harroj kurrë një fjalë që më thoshte i ndjeri Mehdin Zhega: “U mërzit populli me fytyrën tënde”.
Më konkretisht kush ndikoi në tërheqjen tuaj?
Edhe pse isha në formë, drejtuesit e atëhershëm mërziteshin, sepse donin diçka të re. Faktikisht, edhe 4-5 vite pas largimit tim nga futbolli, Kombëtarja dhe Partizani nuk gjetën dot një qendërmbrojtës tipik. Më vjen keq që në atë periudhë lashë futbollin dhe kjo erdhi edhe si pasojë e bindjes së Bejkush Birçes. Ishte një trajner, i cili e shikonte lojtarin dhe futbollin sikur kishte bërë boks më parë. Mentaliteti i trajnerëve dhe drejtuesve në Shqipëri ishte që: po të luaje mbi 15 vjet futboll, duhet të largoheshe prej tij. Sot Zaneti i Interit është 40 vjeç dhe luan normalisht në nivele të larta.
Mund të ishit bërë trajner?
Nuk mendova për të bërë karrierë si trajner. Kam dëshirë vetëm të shikoj futboll të bukur, nuk mund ta bëja dot atë rol. Në Bari kam pasur 5 vjet një ekip fëmijësh që i stërvitja, por e bëja për qejf.
Sot punoni në spital, pikërisht në repartin e drejtimit të automjeteve të urgjencës. A ju ka shkëputur kjo nga futbolli?
Kam 15 vjet i punësuar këtu në një qendër humanitare. Shikoj nga të gjitha dhe mundohem me mish e me shpirt të ndihmoj njerëzit. Kjo punë më ka shkëputur pak nga futbolli, por gjithsesi ai që do, e gjen kohën për futbollin dhe unë jam një prej tyre.
Çfarë ndodhi në vitin 1982, kur dhe latë futbollin. Thuhet se keni vuajtur shumë për të gjetur një vend pune në uzinë, për shkak se kishit një njollë në biografi…? E vërtetë është?
Jo, nuk është e vërtetë. Për fat të keq unë nuk kam njohur prindërit e mi natyral, por s’kam asnjë njollë në biografi. Kurrë nuk kam pasur problemin më të vogël gjatë jetës sime. Nuk di çfarë është policia, këtë ua them me sinqeritetin më të madh.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"