Berisha: Kësaj here në Kosovë vij për punë, duhet të kem kujdes me ushqimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2017 | 20:37

Berisha: Kësaj here në Kosovë vij për punë, duhet të kem kujdes me ushqimin

Edhe pse luan në Australinë e largët, Besart Berisha e viziton shpesh Kosovën, ku kalon pushimet pranë familjes. Por kësaj here sulmuesi ka ardhur me një tjetër mision: ta ndihmojë përfaqësuesen verdheblu në ndeshjen e së premtes ndaj Islandës.

Për këtë arsye 31-vjeçari thotë se duhet t’u kushtojë rëndësi regjimit ushqimor dhe përgatitjeve me kujdes, për të qenë në formë sa më të mirë për ballafaqimin në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

berisha kosove

“Si gjithmonë e ndiej veten shumë mirë kur vij ne Kosovë, por tani jam për punë. Duhet ta mbaj veten në formë e të kem kujdes me ushqimin, jo si herët kur për pushime pranë familjes. Duhet të punojmë fort, që të paraqitemi sa më mirë”, u shpreh për “SuperSport” sulmuesi i Melburn Viktori.

Berisha është i ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit, megjithatë ka besim se me cilësitë që ka dhe me mbështetjen e tifozëve, Kosova mund të bëjë surprizën përballë rivalëve nordikë.

“Është me rëndësi që të bashkohem sa më shpejt me grupin e të njihem me lojtarët e tjerë, pasi kemi pak ditë për t’u përgatitur. Duhet të punojmë bashkë, në mënyrë që ta përgatitim sa më mirë ndeshjen.

Islanda është një ekip që luan mirë në grup. Ka mbrojtës të fortë, ndaj ne sulmuesit duhet të gjejmë një rrugë për t’i ndëshkuar. Duhet të besojmë, pasi cilësitë i kemi.

Me ndihmën e tifozëve mund të bëjmë surprizën, pse jo edhe të fitojmë. Shpresoj të vijnë sa më shumë në stadium, sepse ne luajmë për ta dhe kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Sa më shumë tifozë, aq më mirë për ne futbollistët”, theksoi Besart Berisha, i cili grumbullohet për herë të parë nga përfaqësuesja më e re e Ballkanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"