Berisha “engjëll dhe djall”, Gjimshiti më i miri / Notat e kuqezinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2016 | 10:20

Berisha “engjëll dhe djall”, Gjimshiti më i miri / Notat e kuqezinjve

Përballë një kundërshtari si Spanja çdo futbollist e ka të vështirë të tregojë vlerat e veta më të mira. Mbrëmë kombëtarja shqiptare u mbyll në gjysmëfushën e vet në disfatën 2-0, ku ranë në sy për mirë Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha. Mbrojtësi bëri një paraqitje mbresëlënëse kurse portieri, megjithë gabimin në golin e parë, shmangu humbjen me goleadë ndaj spanjollëve.

xhaka-agolli-vitolo

Notat për lojtarët shqiptarë:

BERISHA 4,5 – Pritje të mrekullueshme në pjesën e parë dhe një gafë e pabesueshme në pjesën e dytë. Engjëll dhe djall thuhet në të tilla raste… Ne ende besojmë se ai është engjëlli i portës sonë. Në fund të fundit Spanja është një makth i vazhdueshëm…

Hysaj vs Injesta

HYSAJ 4,5 – Një ndeshje nën mesataren. Është ndër të paktët kuqezinj të formacionit që luan në elitën e futbollit europian dhe pritshmëritë janë më të mëdha. Gabon te goli i dytë i Spanjës dhe praktikisht nuk del kurrë në krah.

Gjimshiti vs Nolito

GJIMSHITI 6,5 – Surprizë e bukur! Ishte pa dyshim më i miri i ndeshjes. Asnjë gabim, saktësi në veprime dhe qetësi e admirueshme. Lexoi si duhet çdo aksion të kundërshtarëve duke zhvilluar një ndeshje monumentale. Premtues.

MAVRAJ 5,5 – Një ndeshje e vuajtur me kundërshtarë të tmerrshëm. Mesfusha filtron si duhet dhe ai nuk bën asnjë gabim aty mbrapa. Lufton si mundet me gjigantë si Pike e Ramos në goditjet standarde dhe ia del mirë. Garanci në prapavijë.

Agolli vs Pike

AGOLLI 5 – Kapiteni sakrifikon sa mundet në krahun e tij, por Lenjani vazhdon të jetë në botën e çudirave. Nuk arrin të dalë asnjëherë para, sepse urdhrat i ka vetëm të mbrojë. E teproi me një të verdhë të panevojshëm në pjesën e parë.

ROSHI 5 – Sytë ishin të gjithë tek ai. Po, sepse e dinin se të gjithë të tjerët vetëm do mbronin dhe nëse Shqipëria do të lëshonte ndonjë shkëndijë, atëherë vetëm fieraku mund ta bënte. Por cilësia e rivalit dhe shiu duket se ia kishin fikur “barutin”…

Roshi vs Injesta

MEMUSHAJ 4,5 – Shumë i sakrifikuar para mbrojtjes dhe i markuar pa mëshirë nga spanjollët. I vetmi që mund të jepte pak frymëmarrje, por arriti të bënte vetëm rolin e shkatërruesit. Asgjë për t’u mbajtur mend.

Xhaka vs Vitolo

XHAKA 5 – Një pjesë e parë e mirë. Lufton pisët dhe përpiqet të shtyjë sa herë kap topin, edhe pse nuk ia del thuajse kurrë. Duket se i mungon një “pit bull” si Abrashi në krah, që ai të ketë pak frymëmarrje dhe të veprojë gjithnjë i kthjellët.

LILA 5 – Befasues kavajasi. Vrapon pa masë dhe në radhët e shkatërruesve është ai që e jep topin më mirë se të tjerët. Bën presion, lufton me bërryla e shkelma që të neutralizojë rivalët dhe nuk zhgënjen.

Lila vs Injesta

LENJANI 4,5 – Djaloshi derdhi edhe gjak për të ndihmuar skuadrën, por kjo nuk e shpëton nga kritikat për formën që ka dhe mënyrën se si luan. Dëshira nuk i mungon asnjëherë, por ai as nuk mbron mirë dhe as nuk shërben si duhet.

BALAJ 5 – Ndeshja më e vështirë. Për herë të parë e pa veten dje të luante si shkatërrues në nivele kaq të larta. Sapo prek topin, ka tre spanjollë pas krahëve dhe nuk bëhej fjalë që t’i afrohej portës kundërshtare.

Balaj vs Pike

ALIJI 5 – Nuk ka lidhje me mesfushën. Të paktën jo në një ndeshje si ajo me Spanjën. Lufton shumë dhe është në formë, por “zhduket” gradualisht në fushë kur e kupton se kundër kujt po luante…

BASHA 5,5 – Emri i tij është sinonim i frymëmarrjes për kuqezinjtë. Hyn në një moment kur praktikisht loja kish marrë rrjedhën që ne nuk donim. Jep qetësi dhe vertikalizime në fushë, por ishte shumë vonë për të frymëzuar kuqezinjtë.

Hyka perballe Iskos

HYKA – PA NOTË. Gjëja më e mirë që bëri në fushë ishte që organizoi skuadrën që të përshëndeste tifozët pas ndeshjes. Nuk ishte assesi një mbrëmje për të…

DE BIAZI 5 – E tepërt ta kritikosh për humbjen me Spanjën, por gjithsesi Shqipëria duhet të dijë të paktën të shkojë deri te zona e kundërshtarit. Rivalët ishin të frikshëm, por edhe ne nuk duhet të sillemi si Lihtenshtejni dhe Andorra…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"