Bekim Zogaj, gjyqtari shqiptar që drejton ndeshjet e mëdha në Europë. Nga debutimi para 10 viteve te komunikimi shqip me lojtarët shqiptarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 3, 2024 | 20:40

Bekim Zogaj, gjyqtari shqiptar që drejton ndeshjet e mëdha në Europë. Nga debutimi para 10 viteve te komunikimi shqip me lojtarët shqiptarë

Në botën e futbollit, ku çdo sekondë në fushë është e mbushur me pasion dhe intensitet, roli i gjyqtarit është jetik, dhe jo të gjithë janë të zgjedhur për ta mbajtur fizarmonikën e drejtësisë sportive. Bekim Zogaj është një prej tyre, një emër që ka arritur të bëhet sinonim i integritetit, përkushtimit dhe profesionalizmit në arbitrime.

zog

Me një karrierë që ka përfshirë qindra ndeshje, duke ndarë drejtësinë në fushat e futbollit në shkallë kombëtare në Zvicër dhe ndërkombëtare, Bekim Zogaj ka treguar se një gjyqtar i devotshëm dhe i talentuar mund të bëjë një ndryshim të madh në lojën më të bukur në botë.

Rruga e tij si gjyqtar nuk ishte pa sfida; nga vendimi i parë për të marrë flamurin në dorë dhe të qëndrojë në mes të një ndeshjeje lokale, deri te momenti kur emri i tij u shkrua në listat e gjyqtarëve të FIFA-s.

Deçanasi Zogaj ka kaluar nëpër një sërë testimi dhe rritjeje, duke iu përshtatur situatave të ndryshme me vendosmëri dhe duke mësuar nga çdo përvojë e fituar në terren.

Ai është një figurë që ka fituar respektin e lojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve në Zvicër dhe në Evropë, duke ruajtur gjithmonë një qasje të drejtë dhe të paanshme, që është shumë e rëndësishme në dinamikat e ndryshme dhe të paparashikueshme të futbollit.

Karriera e Bekim Zogajt si gjyqtar është një testament i përkushtimit të vërtetë dhe i dashurisë për futbollin, duke demonstruar se edhe pa një top në këmbë, mund të ndikosh dhe të kontribuosh në mënyrë të ndjeshme ndaj lojës që bashkon miliona njerëz rreth globit.

Në një intervistë për Telegrafin, Zogaj ka folur për karrierën e tij, nga fillimi që ishte në vitin 2017 deri më tani ku ka gjykuar edhe klubet më të mëdha evropiane si PSG, Barcelona, Manchester United, Real Madridin, Inter, Juventus e të tjera.

Ai ka gjykuar ndeshje në garën më të madhe evropiane për klube Ligën e Kampionëve, por edhe në garat tjera të UEFA-s dhe FIFA-s duke e bërë atë gjyqtarin më të suksesshëm shqiptarë.

zogaj

Sa kohë keni që merreni me arbitrim?

Merrem me arbitrim që nga prilli i vitit 1997.

Prej nga lindi pasioni për të qenë gjyqtar? A keni luajtur ndonjëherë futboll më parë?

Para se të bëhesha gjyqtar, kam qenë lojtar në një klub rajonal në kantonin e Zyrihut. Si lojtar isha tepër emocional dhe kam marrë disa kartonë të verdhë. Më dukej sikur arbitrat po bënin padrejtësi dhe më zemëronte. Klubi ku luaja lypse një gjyqtar, sepse çdo klub aktiv në Zvicër duhet të ketë një arbitër për çdo ekip të tij, dhe unë u paraqita. Që nga ndeshjet e mia të para mora komplimente të shumta dhe pas dy vitesh u ftova në grupin e talenteve në rajonin e Zyrihut. Kështu filloi “karriera” ime si gjyqtar.

Pritët 16 vite për të debutuar në Superligën e Zvicrës dhe atë e bëtë në ndeshjen Aarau – Grasshopper 10 vite më parë?

Po, ka qenë një rrugëtim i gjatë. Në nëntor të vitit 2013 debutova në Super Ligen Zvicerane. Ajo pritje ishte normale, sepse fillimisht u përpjeka të arrinte si arbitër kryesor në elitën e futbollit zviceran. Kaluam nëpër 9 liga për ta arritur! Por rreth vitit 2010, kur pashë që gjasat ishin të vogla për të arritur në Super Ligen Zvicerane si arbitër kryesor, vendosa të luaj rolin e asistentit dhe pas tre vitesh debutova në Super Lige.

Sot jeni një nga gjyqtarët më të mirë anësorë në Zvicër, por edhe në Evropë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Thjesht jam i lumtur që kam dhënë maksimumin dhe kam arritur qëllimin për të qenë ku jam sot. Po përpiqem ta shijoj ëndrrën që kam pasur për të qenë pjesë e ndeshjeve të mëdha në futbollin Europian/Botëror.

Në Zvicër ka shumë futbollistë shqiptarë, a ndodh që të keni debate në shqip gjatë ndeshjes, apo të flisni shqip, pasi pas ndeshjes është e kuptueshme që po?

Natyrisht, ndodh që të komunikoj në gjuhën shqipe me lojtarët shqiptarë gjatë lojës. I respektoj dhe ata më respektojnë shumë. Disa lojtarë më thërrasin “bacë”, që më bën të ndihem shumë i vjetër.

Keni arbitruar qindra ndeshje në garat evropiane, klubeve dhe Kombëtareve?

Po, kemi arbitruar ndeshje në të gjitha nivelet, që nga viti 2015. Që nga U-17 deri në Champions League dhe ndeshjet kualifikuese për kampionatet Evropian apo Botëror.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë që keni arbitruar, ose ajo në të cilën keni pasur më shumë punë?

Ndoshta jo më shumë punë, por me së shumti presion, ka qenë ndeshja Milan – Totenham në shkurt të këtij viti. Po ashtu, ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian, Çeki – Moldavi në nëntor të vitit 2023, ishte lojë vendimtare për kualifikim.

Sa është e vështirë të jesh gjyqtar anësor, a keni më shumë apo më pak punë se gjyqtari kryesor?

Natyrisht, kemi ndoshta më pak presion dhe punë, por sa i përket përqendrimit, detyra e gjyqtarit anësor është tepër sfiduese.

Jeni gjyqtari i vetëm shqiptar që gjykoni ndeshje në grupet e Ligës së Kampionëve, çfarë do të thotë kjo për ju?

Falënderoj Zotin, kam qenë i vetmi, dhe tani kemi edhe kolegë të tjerë shqiptarë nga Shqipëria (Enea Jorgji me ekipin e tij) që kanë debutuar në Ligën e Kampionëve. Për të thënë të vërtetën, po përpiqem të shijoj momentin dhe jo të mendoj nëse jam i pari shqiptar apo jo. Por sigurisht, më bën të ndihem i lumtur.

Keni qenë gjyqtar në shumë ndeshje ku kanë luajtur yjet më të mëdha botërore të futbollit, a keni pasur ndonjë diskutim me ndonjërin?

Debate ka natyrisht, para lojës dhe ndonjëherë edhe momente të shkurtra gjatë ndeshjes. Por këto debate janë shumë të shkurtra. Por unë nuk shkoj në ndeshje si tifoz, shkoj të kryej profesionin tim, ashtu si e bëjnë edhe lojtarët. Deri tani, ne si ekip kemi kaluar shumë mirë.

Një moment shumë interesant ishte në Çeki, kur Kristjan Asllani futej në lojë për Interin dhe kamera u fokusua te biseda juaj. Çfarë i thatë dhe a biseduat pas ndeshjes?

Ishte momenti kur Asllani po bëhej gati për t’u inkuadruar në lojë. Unë vetëm i thashë: “Shqipe, të uroj shumë suksese.” Dhe ai u kthye dhe më pyeti: “A je shqiptar?” Unë i thashë po, jam nga Deçani i Kosovës.

Kemi dëgjuar raste kur gjyqtarët u kanë kërkuar lojtarëve fanellën pas përfundimit të ndeshjes për fëmijët e tyre apo të afërmit. Personalisht, a keni marrë ndonjë fanellë nga ndonjë futbollist i famshëm?

Ne si gjyqtarë nuk kemi të drejtë të kërkojmë fanella nga futbollistët. Në arenën ndërkombëtare, nuk është e pëlqyeshme të kërkosh fanella. Por ka disa klube evropiane që pas ndeshjes na japin ndonjë dhuratë, dhe ndonjëherë përfshihet edhe fanella. Po, kam disa fanella nga yje të futbollit botëror dhe edhe nga futbollistë shqiptarë që luajnë në Zvicër.

Si i vlerësoni gjyqtarët në Kosovë, kur edhe ata po ndajnë drejtësi në arenën evropiane vitet e fundit?

Gjyqtarët kosovarë po punojnë shumë mirë. Genc Nuza dhe Visar Kastrati kanë pasur disa ndeshje interesante me performanca të mira në futbollin evropian. Besoj se nga përvoja e tyre përfitojnë arbitrat e rinj të Kosovës dhe vetë futbolli kosovar. Kam kontakte të mira me ta dhe besoj se ka arbitra me potencial të mirë atje.

Bekim-Zogaj-793x1024-1

Cila është ndeshja që nuk do ta harroni kurrë për atmosferën që ka pasur, duke qenë se shpesh gjykoni edhe në Arabinë Saudite, ku stadiumet janë zakonisht të mbushur plot?

Do të veçoj dy ndeshje: AC Milan – Totenham dhe Selltik Gllasgou – Real Madrid, ku atmosfera ishte mbresëlënëse. Po ashtu, edhe në stadiumin “Ali Sami Yen” atmosfera ishte e mrekullueshme.

A i keni dhënë më shumë futbollit apo futbolli ju ka dhënë më shumë, si në aspektin financiar ashtu edhe në të gjitha aspektet e tjera?

Bëra gjyqtar për të ndihmuar futbollin dhe për të mirën e tij. Ky ka qenë qëllimi im. Megjithatë, futbolli më ka dhënë mua shumë më tepër. Arbitrimi ka qenë dhe është një shkollë jetësore për mua. Kam përjetuar gjëra që kurrë nuk i kisha imagjinuar. Arbitrimi është pasion. Kam qenë në shtete dhe vende ku si person privat ndoshta kurrë nuk do të kisha shkuar. Kjo vlen më shumë për mua se sa vlera financiare, edhe pse ne gjyqtarët nuk marrim shuma të mëdha. Jam shumë mirënjohës ndaj familjes për mbështetjen (pasi që jam mbi 50 ditë në vit larg familjes) dhe ndaj Federatës Zvicerane dhe Sandro Shrer, gjyqtarit tim, për besimin që ka treguar ndaj meje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"