Bejzde i jep besim të rinjve dhe brazilianit që shkëlqente në Superiore, Laçi mat forcën me Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2023 | 12:09

Bejzde i jep besim të rinjve dhe brazilianit që shkëlqente në Superiore, Laçi mat forcën me Vorën

Laçi zhvilloi të shtunën në stadiumin e vetë një ndeshjeje miqësore kundër Vorës, duke barazuar 1-1. Në fundin e pjesës së parë shënoi për skuadrën që militon në Kategorinë e Parë mbrojtësi Eglentin Gjoni, i cili për shumë vite ka qenë kapiten i kurbinasve. Ndërsa në pjesën e dytë, bardhezinjtë barazuan me mesfushorin Serxho Ujka, i cili ktheu në gol një penallti të fituar nga mbrojtësi braziliani, Paulo Zhunior.

laci vora

Në këtë test trajneri Skerdi Bejzade u dha më tepër mundësi lojtarëve që kishin marrë pak minuta në dy javët e para të kampionatit. Mungesat te Laçi ishin të shumta, pasi pesë futbollistë janë grumbulluar me Kombëtaret U-21 dhe U-19, pikërisht Agan Mjaki, Ajdi Dajko, Stiven Bibo, Arlind Kurti dhe Ledjo Tresa. Risi e testit me Vorën ishte aktivizimi në pjesën e dytë i mesfushorit brazilian, Uilliam Kordeiro Melo, i cili është një emër i njohur në kampionatin shqiptar, pasi në vitet e kaluara ka qenë pjesë e Partizanit dhe Kukësit.

Loja në përgjithësi ka qenë e ekuilibruar, teksa goli i avantazhit të skuadrës së Artan Mërgjyshit erdhi pas një goditjeje dënimi, ku Gjoni përfitoi në zonë. Bejzade hodhi në fushë si zëvendësues Ujkën, Bajramajn, Kryeziun, Qaton, Sobovalen, Melon dhe Manellarin. Laçi dominoi në 45 minutat e dyta, por shënoi vetëm një gol dhe ndeshja u mbyll 1-1. Te kurbinasit ra në sy edhe aktivizimi si titullar i sulmuesit nigerian, Olavale, për të cilin klubi nuk ka dhënë ende detaje.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"