Befason Xhoni Herbert: Shumaker është në gjendje të ulet në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 13:01

Befason Xhoni Herbert: Shumaker është në gjendje të ulet në tavolinë

Në dhjetor u mbushën plot 10 vite nga aksidenti tragjik i Mikael Shumakerit në Alpet Franceze. Që atëherë informacionet rreth gjendjes shëndetësore të legjendës së Formulës 1 kanë qenë shumë të pakta, pasi familja Shumaker ka kërkuar respektimin e privatësisë.

aaa-1

Pasi u rrëzua teksa bënte ski duke përplasur kokën në një gur, Shumaker kaloi 250 ditë në koma në spital, përpara se të lejohej të kthehej në shtëpi. Pak e kanë parë apo vizituar shtatë herë kampionin e botës që kur ai pësoi dëmtimin e tij gati fatal në tru dhe raportet për gjendjen e gjermanit janë jashtëzakonisht të rralla. Por së fundmi ish-ylli britanik i Formulës 1, Xhoni Herbert, ka folur për gjendjen Shumit, duke treguar detaje interesante.

“Unë kam dëgjuar lajme vetëm nga dora e dytë. Kam dëgjuar nga njerëz të Formulës 1, se ai është me të vërtetë në gjendje të ulet në tryezë gjatë darkës, por nuk e di nëse kjo është e vërtetë apo jo. Nuk kemi dëgjuar shumë nga familja dhe është e kuptueshme. Kjo ka qenë gjithmonë një pjesë e mënyrës së Mikaelit dhe familjes për të mbajtur gjithçka shumë private, shumë të fshehtë. Kështu ka qenë që nga periudha e tij e garave”, shprehet Herbert, i cili më tej shton: “Ne të gjithë do të donim të dinim se gjërat po ecin në një mënyrë pozitive. Por për shkak se nuk kemi asnjë informacion, mund të supozojmë se ai nuk është ende në një pozicion ku ka një shans për t’u rikuperuar. Për mendimin tim, dhe duhet ta theksoj këtë, sepse nuk kemi dëgjuar asgjë nga familja, kjo tregon se për fat të keq se ai është ndoshta në një situatë të ngjashme siç ishte menjëherë pas aksidentit. Unë supozoj se familja po pret që shkenca të dalë me diçka që shpresojmë se do të rikthejë Mikaelin që të gjithë e njihnim dhe për njerëzit që e panë atë vetëm përmes fotove televizive kur ai ishte dinamik në pistë”, deklaroi për mediat britanike Xhoni Herbert, i cili ka qenë shok skuadre me Shumakerin në vitet 1994 dhe 1995 në radhët e skuadrës Beneton. Më 3 janar Shumaker mbushi 55 vjeç, ndërsa ai vijon të trajtohet në shtëpinë e tij në liqenin e Gjenevës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"