BASKETBOLL/ Reagon Shoqata e Arbitrave pas polemikave, gjyqtarët i përgjigjen Goreas: E kemi çuar në Prokurori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 9:57

BASKETBOLL/ Reagon Shoqata e Arbitrave pas polemikave, gjyqtarët i përgjigjen Goreas: E kemi çuar në Prokurori

Një ditë pas akuzave të presidentit të Teutës, Arqile Gorea, i cili ishte shprehur ndër të tjera se humbja e skuadrës së tij në Shkodër kundër Vllaznisë (gjysmëfinalja e dytë e “play off”-it) ndodhi prej trukimit nga arbitrat në favor të ekipit vendëse, ka ardhur edhe reagimi i gjyqtarëve. Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve të basketbollit shqiptar, me anë të një deklarate për “Panorama Sport”, i është përgjigjur drejtuesit të Teutës. Kjo shoqatë i konsideron të pabaza akuzat ndaj gjyqtarëve dhe FSHB-së, ndërsa ngre disa pyetje, duke u shprehur se mos vallë këto sulme janë alibi për të mbuluar pazare dhe fiksime rezultatesh… Shoqata bën gjithashtu të ditur se arbitrat janë ta pavarur nga titullarët e federatës, ndërsa zbulon ka ngritur padit për shpifje ndaj Arqile Goreas. Më poshtë ju pasqyrojmë komunikatën e plotë të shoqatës së arbitrave dhe vëzhguesve.

Arqile Gorea

DEKLARATA – “STOP AKUZAVE PA FAKTE! Kundërpërgjigje për zotin Gorea dhe të ngjashmit e tij në komunitetin e basketbollit. Marrë shkas nga një reagim i zotit Gorea dje në gazetën ‘Panorama Sport’, pas shumë akuzash kryesisht nga ky individ, por edhe nga të tjerë aktorë të komunitetit të basketbollit, e ndiejmë për detyrë të kundërpërgjigjemi ndaj akuzave të pabaza, të cilat herë pas here hidhen në adresë të gjyqtarëve duke e bërë më të vështirë punën e tyre, e cila kërkon mbi të gjitha qetësi për t’u kryer me objektivitet. Gjykimi në basketbollin shqiptar ka problematikat e veta, të cilat kohë pas kohe jemi përpjekur t’i zgjidhim disi, por jo përfundimisht për shumë arsye. Jemi të ndërgjegjshëm që pak gjyqtarë cilësorë kemi, por edhe ata që janë të një niveli relativisht të lartë, bien pre e sulmeve nga skuadrat humbëse më së shumti. A mos vallë ky sulm i orkestruar është një alibi për humbjen(në rastin më të mirë)? Apo mos është alibi për të mbuluar pazare dy ose më shumëpalëshe për të fiksuar rezultatet sipas interesave (financiare) të momentit???

Nuk po hedhim akuza, sepse do të duhej të kishim fakte dhe s’duam të biem në pozitat e zotërisë që e bën këtë herë pas here. Por të drejtën e dyshimit e kemi sepse për çudi, dy ekipe që para 3 ditësh ndahen me 30 pikë diferencë, 3 ditë më vonë, të gjykuar nga po e njëjta treshe gjyqtarësh, përmbysin rezultatin në të kundërt (jo me të njëjtën diferencë se do të dekonspirohej gjithçka). Për çfarë akuzohet federata në këtë rast? A mos vallë e njëjta federatë ndikon tek arbitrat dy herë në mënyra të ndryshme brenda 3 ditëve??? Për interes të kujt është e gjitha kjo? Duke mbledhur çdo akuzë të hedhur nga cilido që kërkon të gjejë shkakun e humbjes tek arbitrat, situata mbetet shumë e paqartë për sa i takon ndikimit të FSHB-së. Janë aq të çuditshme pretendimet, saqë për çdo njeri që përdor logjikën minimale, nuk i dalin llogaritë.

ME KË ËSHTË FSHB-ja??? Po ja u sqarojmë një herë e mirë përgjigjen… Federata është institucion që merret me organizimin e aktiviteteve dhe miraton akte që këto aktivitete të zhvillohen brenda rregullave të përcaktuara. Për të, të gjithë anëtarët e asamblesë janë të barabartë. Ka zero ndikim te trupa e gjykimit(nëse keni një fakt të vetëm për të kundërtën, ju lutem na i servirni). Arbitrat kanë shoqatën e tyre, e cila operon me aktivitetin e saj jashtë ndikimit të titullarëve që ikin dhe vijnë në krye të FSHB-së. Në të mirë të punës (jo për t’u dhënë mend skuadrave humbëse) do të ishte analizimi i shkaqeve reale që çojnë një skuadër në humbje, gjë që nuk e kemi parë të ndodhë në shumicën e rasteve. Balta që hidhni ndaj arbitrave (pa fakte) sa herë humbni, nuk do t’ju çojë askund, aq më pak në përmirësimin e lojës. Lejoni secilin të kryejë detyrën e tij, denonconi me forcë çdo akt korruptiv të arbitrave sa herë të keni fakte dhe do keni mbështetje të plotë për t’ia prerë rrugën njëherë e mirë korrupsionit, por mos akuzoni sa herë ju duhet alibia për të mbuluar paaftësinë ose pazaret tuaja. Së fundmi, i bëjmë me dije opinionit publik se ne si Shoqatë e Arbitrave dhe Vëzhguesve, kemi bërë një kallëzim për shpifje në Prokurori kundër zotit Gorea. Presim hetim serioz nga ky organ dhe një vendim, të drejtë bazuar mbi fakte reale dhe jo mbi hamendje ose më keq akoma, tendenca dashakeqe ndaj arbitrave të basketbollit. Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve të basketbollit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"