BASKETBOLL/ Reagim kampionësh, Teuta shkërmoq Vllazninë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 15:07

BASKETBOLL/ Reagim kampionësh, Teuta shkërmoq Vllazninë në Durrës

Teuta ka rimarrë epërsinë kundër Vllaznisë në serinë e finaleve të Superilgës së basketbollit për meshkuj dhe këtë e ka bërë falë një ndeshjeje fantastike në sfidën e tretë të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Durrës.

teuta vllaznia

Kampionët në fuqi treguan të gjithë superioritetin e tyre në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, duke i shkatërruar shkodranët me rezultatin e thellë 96-68. Plot 28 pikë diferencë në favor të bregdetarëve, që pasqyrojnë më së miri epërsinë e skuadrës së Melzin Lazimit në finale e tretë, me durrsakët që tashmë udhëheqin 2-1 në finale dhe janë vetëm një sukses larg titullit kampion. Nga ana tjetër Vllaznia nuk mundi të përsëriste atë ndeshje të disa ditëve më parë në Shkodër, për t’u dorëzuar pa kushte në transfertë.

NDESHJA

Në një atmosferë të ndezur nga tifozët, Teuta e filloi lojën me tre lojtarë amerikanë në formacion (Core, Bruce, Peterson), ndërsa Gorea dhe Frenki Lilaj plotësuan 5- shen. Në radhët e Vllaznisë Shestani ishte titullari vendës i një formacioni të përbërë me 4 amerikanë (Toomer, Dobbs, Buttler dhe Cooper). Takimi u hap me një kosh për dy pikë nga Dobbs për shkodranët, ndërsa rivalitet pati vetëm në minutat e para, pasi më tej Teuta mori kontrollin e lojës dhe nisi dominim në parket. Bregdetarët janë më të rrjedhshëm në aksionet e tyre dhe kanë saktësi të lartë në sulm. Nga ana tjetër Vllznia shfaq vështirësi në organizim, gjuajtje dhe topat në tabelë. Nasir Core është ai që spikat në këtë fraksion loje, duke bërë edhe organizatorin edhe pikëshënuesin, me Teutën që e fiton 10-minutëshin e parë në shifrat 33-15.

Kjo i jep komoditetin vendësve që të luajnë pa shumë presion më pas. Vllaznia përpiqet në periodën e dytë dhe ngushton disavantazhin deri në 10 pikë. Vetëm kaq sepse momenti jo i mirë i Teutës nuk zgjati shumë. Pas pushimit pritej reagimi i shkodranëve, por në fakt ndodh e kundërta. Teuta e thellon avantazhin edhe më shumë. Agresiviteti dhe saktësia, sidomos në sulm, nuk i japin mundësi Vllaznisë të afrohet kërcënueshëm. 24 pikë diferencë janë shumë për t’u zhvlerësuar për 10-minutëshin e katërt. Pavarësisht përpjekjeve asgjë nuk ndryshon, pasi Teuta shkon e sigurt drejt fitores së dytë në serinë e finaleve.

Tashmë qetësia kalon në krahun e kampionëve në fuqi duke ua lënë presionin shkodranëve të trajnerit Damian Bekteshi, të cilët do të kërkojnë fitore me patjetër të mërkurën për të shpresuar më tej. Për sa u përket paraqitjeve individuale, njeriu i ndeshjes ishte Nasir Core. Amerikani bëri liderin duke udhëhequr durrsakët me 33 pikë dhe 8 kërcime. Spikati edhe Bruce me 16 pikë e 10 kërcime. Për Vllzaninë pikëshënuesi më i mirë ishte Toomer me 18, ndjekur nga Shestani me 15.

ROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"