Basketboll meshkuj/ Vllaznia mposht me tri shifra Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 15:54

Basketboll meshkuj/ Vllaznia mposht me tri shifra Skënderbeun

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka nisur dje fazën e dytë, me sfidën hapëse të javës së 12-të ndërmjet Skënderbeut dhe Vllaznisë. Gjithçka e thjeshtë për shkodranët, të cilët fituan me rezultatin e thellë 65-105 në Korçë. Një takim i komanduar nga kuqeblutë e Damian Bekteshit, të cilët e nisin kështu me këmbë të mbarë pjesën e dytë të sezonit.

VLLAZNIA BASKET

Nga ana tjetër korçarët vijojnë kampionatin e vështirë, duke koleksionuar vetëm humbje në çdo takim që kanë zhvilluar. Vllaznia e bëri diferencën në periodën e parë dhe të tretë, duke siguruar kështu fitoren e tetë në kampionat, që i ngjit momentalisht shkodranët në vendin e dytë në renditje. Takimi startoi me diktatin e miqve, të cilët thuajse i mbyllën llogaritë që në 10-minutëshin e parë, duke fituar 13-34, për të shkuar më pas në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 33-53.

Kuqeblutë e thellojnë edhe më tepër diferencën e pikëve në çerekun e tretë, teksa e fitojnë periodën 15- 34, duke kryesuar 48-87 pas 30 minutash lojë. Perioda e fundit mbetet një formalitet, teksa shkodranët e administrojnë lojën me qetësi, duke dalë me triumf treshifror 65-105 nga pallati i sportit “Tamara Nikolla”. Java e 12-të do të vijojë sot me ndeshjen ElbasaniPartizani, sfidë që do të startojë në orën 19:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Më tej të shtunën do të jetë radha për tri takimet e tjera: Flamurtari-Kamza, BesëlidhjaTeuta dhe Tirana-Apolonia.

BASKET

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"