BASKETBOLL MESHKUJ/ Kaosi me Ligën Unike, ja pse Tirana e Teuta refuzojnë të luajnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2022 | 9:29

BASKETBOLL MESHKUJ/ Kaosi me Ligën Unike, ja pse Tirana e Teuta refuzojnë të luajnë

Edicioni i tretë i Ligës Unike në basketbollin e meshkujve ka nisur në një kaos të vërtetë.

LIGA UNIKE

Vetëm një ditë para startit të sezonit, fillimisht Tirana e më pas Teuta, vendosën që të mos udhëtojnë për ndeshjet e javës së parë në transfertat kosovare. Dy ekipet kryesore të Shqipërisë njoftuan Ligën si dhe FSHB-në për vendimin e tyre.

Gjithçka ka ardhur pas polemikave të forta që kulmuan në ndeshjet e fundit në kampionatin shqiptar për çështjet e arbitrimit.

Si bardheblutë, ashtu edhe durrsakët hodhën akuza të rënda në drejtim të gjyqtarëve dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit, për ndeshjet e zhvilluara përkatësisht ndaj Besëlidhjes dhe Kamzës.

Fillimisht ishte Tirana që njoftoi tërheqjen e saj nga Liga Unike duke mos udhëtuar për takimin që duhej të luante dje kundër Golden Eagle Yllit, me kryeqytetasit që mes shumë dyshimesh e kishin konfirmuar vetëm në limite prezencën në këtë kompeticion.

Por e njëjta gjë vlen edhe për durrsakët, të cilët gjithashtu kanë bërë të ditur se nuk do të luajnë në ndeshjen e sotme kundër Penzës.

Një situatë vërtetë kaotike, ndërsa të premten do të ketë edhe një takim mes klubeve të Shqipërisë dhe FSHB-së, ku mbetet për t’u parë nëse do të ketë hap pas.

TAKIMI – Ekipet duket se kërkojnë garanci për rregullsinë e Ligës Unike, ndërsa “Panorama Sport” ka mësuar edhe disa prej kërkesa që priten që t’i parashtrohen si kusht Federatës Shqiptare të Basketbollit, në mënyrë që të marrin pjesë në eventin mbarëkombëtar.

Kërkesa që duhet të aplikohen jo vetëm për Ligën Unike, por mbi të gjitha për ndeshjet e Superligës, aty ku dhe janë pretendimet më të mëdha.

Një prej kushteve mendohet që të jetë hedhja e arbitrave me short, si në Ligën Unike gjithashtu edhe në kampionatin shqiptar.

Ekipet kërkojnë që gjyqtarët mos të zgjidhen në mënyrë arbitrare, pasi sipas tyre në këtë formë janë të varur nga federata.

Një tjetër kërkesë që pritet t’i adresohet federatës është edhe aplikimi i formatit që përdor Kosova për ndeshjet e Ligës Unike, teksa takimet e Superligës mes ekipeve të Shqipërisë të kenë vlerë edhe për eventin mbarëkombëtar.

Kjo për të ulur numrin e lartë të ndeshjeve dhe ngarkesën e lojtarëve.

Këto janë vetëm disa prej kushteve që pritet të vendosin klubet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

BASKETBOLL MESHKUJ/ Plas te Liga Unike, Tirana tërhiqet nga kompeticioni

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"