BASKETBOLL FEMRA/ Festë e kuqe në derbi, Partizani thyen Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2023 | 21:09

BASKETBOLL FEMRA/ Festë e kuqe në derbi, Partizani thyen Tiranën

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka kompletuar të shtunën javën e nëntë me tri përballje. Partizani ka fituar kryendeshjen e javës, teksa ka mposhtur Tiranën me rezultatin 73-68 në një sfidë emocionuese në “Asllan Rusi”. Një derbi shumë i luftuar mes dy skuadrash prentendente, ndërsa në fund ishin të kuqet e Eliverta Bujarit ato që festuan, duke konfirmuar formën shumë të mirë kohëve e fundit.

DERBI BASKET

Një ndeshje e zhvilluar në temperaturat “frigorifike” të sallës, ku për të ta parë koshin e parë duhej pritur gati 2 minuta, me Enisa Qosjen që finalizoi saktë për 2 pikë për vajzat bardheblu. Tirana arrin të shkëputet deri në +10 pikë në çerekun e parë, për ta fituar më pas periodën 16-19. Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj luan më mirë edhe në periodën e dytë, teksa udhëheq gjatë gjithë kohës, duke e fituar këtë fraksion 14-21, për të shkuar në pushim me epërsinë 30-40. Por me rikthimin në parket Partizani ndryshon marsh dhe nis të fitojë terren. Të kuqet e korrigjojnë shënjestrën, ndërsa përmirësojnë gjithashtu edhe fazën mbrojtëse, duke triumfuar 22-10 në periodën e tretë, për të përmbysur në 52- 50 në shifra të përgjithshme pas 30 minutash.

Partizani është më i kthjellët në lojë edhe në periodën e fundit, duke e çuar epërsinë deri në 9 pikë, ndërsa në fund i reziston ofensivës finale bardheblu, duke marrë suksesin në derbi. Tashmë Partizani dhe Tirana ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me pikë të barabarta. Sophia Jacobsson me 19 pikë, 8 kërcime dhe 9 asistime, Ketjona Fekollari me 20 pikë e 4 kërcime si dhe Ornela Lalaj me 16 pikë, 13 kërcime dhe 1 asist, mbajtën peshën kryesore në triumfin e Partizanit. Për Tiranën shkëlqyen Morina Bojka me 25 pikë, 13 kërcime dhe 5 asiste si dhe “e zakonshmja” Aida Palko, autore 15 pikëve, 11 kërcimeve dhe e 3 asistimeve.

NDESHJE E TJERA –

Gjithçka e thjeshtë për Vllazninë ndaj Barletit të vendit të fundit, teksa vajzat kuqeblu dominuan në “Farie Hoti”, duke triumfuar me rezultatin treshifror 40-106 (6-26, 15-26, 7-30, 12-24). Një takim pa histori, i komanduar që nga fillimi nga shkodranet, të cilat u udhëhoqën nga Bernarda Rreshpja, MVP me 41 pikë, 19 kërcime dhe 7 asistime. Ndërkohë sfida me më shumë rivalitet e javës ishte ajo ndërmjet Teutës dhe Studentit në Durrës. Bregdetaret triumfuan me rezultatin minimal 58- 57 (20-19, 9-10, 13-10, 11-14, 5- 4), në një përballje që shkoi me kohës shtesë, pasi 40 minutat e kohës së rregullt përfunduan në barazim 53-53. Lojtarja e ndeshjes ishte amerikania Alexus Davis, e cila udhëhoqi Teutën me 12 pikë dhe plot 20 kërcime. Në ndeshjen hapëse të javës, Flamurtari kryesues mposhti Elbasanin në transfertë në shifra të thella 42-83, takim i zhvilluar të premten.

4

5

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"