BASKETBOLL/ Besëlidhja shou për kreun, shkatërron 122-51 Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 12:29

BASKETBOLL/ Besëlidhja shou për kreun, shkatërron 122-51 Elbasanin

Besëlidhja vazhdon ecurinë perfekte në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj, duke mbetur e vetmja skuadër që nuk njeh humbje në këtë sezon. Lezhjanët e Afrim Bilalit shënuan fitoren e tetë, teksa mposhtën Elbasanin me rezultat treshifror në takimin e vlefshëm për javën e nëntë. Besëlidhja “e ekzagjeroi” të shtunën në “Asllan Rusi”, duke regjistruar edhe suksesin më të thellë deri më tani në kampionat.

beselidhja elbasani basket

Skuadra veriore triumfoi me rezultatin 122-51 (33- 15, 25-12, 32-20, 32-4) pas një loje të dominuar tërësisht. Besëlidhja tregoi edhe një herë tjetër rendiment fantastik në sulm në të katërta periodat dhe një mbrojtje tepër solide, ndërsa Elbasani e kishte të pamundur që të përballonte të njëjtin ritëm.

Gjashtë lojtarë të Besëlidhjes prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa efikasitetin më të lartë e shënoi Vinsent Grazhdani, autor i 21 pikëve, 17 kërcimeve dhe 2 asistimeve në rreth 15 minutat që u aktivizua. Për Elbasanin pikëshënuesi më i mirë ishte Nicholas Paul, vetëm 11 pikë për amerikanin.

Me këtë fitore Besëlidhja tashmë merr vendin e parë, ndërsa është sulmi dhe mbrojtja më e mirë e kampionatit.

01

Në ndeshjet e tjera, gjithçka e thjeshtë për Vllazninë në transfertën e zhvilluar në Vlorë përballë Fierit. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 63-83, duke futur në kasafortë suksesin e pestë në kampionat.

Shkodranët e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi e komanduan lojën, duke marrë kështu një sukses me shumë vlera për zonën “play off”, e cila garanton gjithashtu edhe qëndrimin në elitë për edicionin e ardhshëm.

Sfida me më shumë rivalitet e javës ishte përballja ndërmjet Apolonisë dhe Partizanit. Fierakët fituan në fushën e tyre 93- 89 (28-20, 16-20, 24-23, 15- 20, 10-6), takim që shkoi me një kohë shtesë, pasi 40 minutat e rregullta u mbyllën në barazim 83-83. Jamarcus Jones me 18 pikë e 11 kërcime dhe Cameron Hamilton me 22 pikë, 7 kërcime dhe 8 asistime. Për Partizanin nuk mjaftuan amerikani Kevin Major, autor i 25 pikëve dhe 7 kërcimeve si dhe 23 pikët e kapitenit Abdel Gjyzeli.

02

Flamurtari bëri detyrën në transfertën e Korçës kundër Skënderbeut të vendit të fundit. Vlonjatët fituan me rezultatin e thellë 53-97 (15-31, 10-20, 18-24, 10-22), teksa u shfaqën dukshëm superiorë në të katërta periodat. Njeriu i ndeshjes ishte Dyquavis Wilkins, me amerikanin që regjistroi 31 pikë, 9 kërcime dhe 2 asistime.

03

Kujtojmë që në ndeshjen hapëse të javës së nëntë, Teuta mposhti të premten Kamzën 89-82, ndërsa këtë javë radhën për të qëndruar pushim e kishte Tirana.

04

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"