BASKET/ Presidenti i Teutës “ndez” kampionatin: Uroj që të mos konsiderohet pazar dhe prostitucion sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 17:28

BASKET/ Presidenti i Teutës “ndez” kampionatin: Uroj që të mos konsiderohet pazar dhe prostitucion sportiv

Vitet e fundit Teuta ka pasur rolin e protagonistes kryesore në basketbollin shqiptar, me durrsakët që mbyllën një 2022-sh të shkëlqyer si kampionë dhe fitues të Superkupës. Në prag të rikthimit në parket për gjysmën e dytë të sezonit, presidenti i durrsakëve, Arqile Gorea, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për ecurinë dhe objektivat e skuadrës së tij.

Arqile Gorea

Arqile Gorea

Por Gorea është ndalur edhe te kundërshtarët, ndërsa edhe një herë tjetër ka ngritur zërin, duke bërë të ditur se në kampionat ka “ekstratendencë”, ashtu sikurse e quan ai, për të favorizuar skuadrat në garë.

Gorea, një tjetër vit që konfirmoi Teutën në majën e basketbollit shqiptar, si kampione dhe kryesuese e kampionatit…
Teuta vazhdon përpjekjet e saj për të debutuar me sukses, duke justifikuar dëshirat e sportdashësve durrsakë, të sponsorëve tanë dhe ambiciet e lojtarëve dhe stafit për të qenë në krye të klasifikimit. Por mbi të gjitha unë vlerësoj faktin se Teuta ka dhuruar spektaklin. Sporti është sport, me fitore apo humbje, por mbi rezultatet Teuta ka dhuruar spektakël dhe fatmirësisht ky spektakël ka bashkudhëtuar me fitoren. U shpallëm kampionë të dimrit në vazhdën e sukseseve të vitit të kaluar, njëkohësisht morëm edhe Superkupën.

Çfarë prisni nga pjesa e dytë e sezonit?
Pjesën e dytë të sezonit e mendoj me një luftë akoma më “të egër” sportive, sepse ambiciet rriten edhe nga ekipet e tjera, ku për hir të së vërtetës kemi përpjekje edhe nga shumë klube për të qenë seriozë dhe me dinjitet në kampionat. Por nga ana tjetër ne gjithmonë do të vazhdojmë me seriozitet përpjekjet tona për të ruajtur traditën dhe dëshirat e lojtarëve, të tifozërisë dhe të stafit, për të dhuruar gjithmonë mbi të gjitha kontribute dhe rezultate në zhvillimin e basketbollit shqiptar.

Cilin shikoni si kundërshtarin më të rrezikshëm?
Kjo pjesë është alternative, sepse ka një lloj rrëmuje në renditjen e kualiteteve sportive, mundësive dhe dëshirave sportive e administrative.

Kur thoni dëshirave administrative, me konkretisht kujt u referoheni?
Në njëfarë mënyre e kam thënë edhe në herë të tjera, që ka një lloj biznesi në sport, që sidomos spikat shumë në basketbollin shqiptar. E përsëris, sepse ne nuk kemi asnjë lloj ndryshimi në standardet e menaxhimit të situatave sportive, duke filluar që nga arbitrimi i ndeshjeve, marrja e vendimeve për vendndodhjen e zhvillimit të aktiviteteve. Për të vazhduar deri tek ato detaje që në dukje nuk u jepet rëndësi, por që për një sy të stërvitur që njeh basketbollin dhe konjukturat, kuptohet fare qartë se nga shkon ekstratendenca, të cilën është vështirë ta komentojmë, sepse ende nuk ka filluar faza e dytë.

arqile gorea

Ndërkohë do ta nisni me Kupën, çfarë synimesh keni në këtë kompeticion?
Kupa e Republikës është kompeticion që për hir të së vërtetës skuadra po përgatitet shumë seriozisht. Ajo që mund të garantoj është se ne do të dhurojmë përsëri spektakël, pastaj uroj që le të fitojë më i miri për sa u përket kualiteteve në parket.

Le të ndalemi pak më konkretisht te kundërshtarët, cilët shikoni si rivalët më të fortë?
Për mendimin tim Tirana ka një ekip shumë të mirë. Janë një skuadër luftarake, me titullarë, me lojtarë me emër dhe me ambicie. Por kjo nuk mjafton për të marrë buqetën e rezultateve, pasi përveç përpjekjeve dhe përgatitjes serioze duhet edhe menaxhim apo administrim. Këtu spikat ekipi i Besëlidhjes, të cilët me shumë pasion, ndoshta deri në “orgazëm”, kërkojnë trofetë. Kemi një lëvizje serioze edhe te Vllaznia, që pretendon të dalë nga zona e rrezikuar. Ndërsa kemi gjithashtu edhe ekipin tradicional të Kamzës, i cili me kominoshet e sekretarit të federatës, shkruan jo vetëm numrat e fanellave, por edhe emrat e arbitrave dhe gjithashtu shkruan edhe rezultatet. Urojmë që të kemi, nuk po them një klimë absolutisht barazie, por një klimë deri diku morale që kampionati i basketbollit të mos konsiderohet as pazar dhe prostitucion sportiv, sepse brenda janë të inkuadruara përpjekjet, ambiciet, mundi dhe djersa e lojtarëve, klubeve dhe sponsorëve, si dhe emocionet e tifozëve. Të gjitha këto janë gjërat më të shenjta për sportin dhe nuk duhet luajtur.

A do të ketë lëvizje në radhët e Teutës për sa i përket merkatos?
Ne kemi ekip të mirë mbi të gjitha, jo se Teuta ka pasur lojtarët më të mirë në këto vitet e fundit, por kemi pasur grupin më të mirë. Ne i kemi kushtuar vazhdimisht rëndësi grupit dhe kualitetit moral të lojtarëve. Pra, jemi munduar të kërkojmë lojtarë që duan fitoren dhe jo statistikat, sepse ka një problem shumë të madh me lojtarët e huaj, të cilët në përgjithësi në shumicën e rasteve kërkojnë statistikat për t’u shitur dhe për të qenë prezentë në merkato. Por luajtja për statistika individuale dëmton rezultatin e ekipit, sepse nuk shpërndahet loja dhe “privatizohet” topi, duke dëmtuar kështu skuadrën.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"