Bashkia e Beratit hap “thesin”, ja shuma që akordon për Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 16:30

Bashkia e Beratit hap “thesin”, ja shuma që akordon për Tomorin

Në Berat po bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur skuadrën në këtë moment të vështirë dhe shumë delikat. Lëvizja më e fundit për të mbështetur Tomorin ka ardhur Këshillit Bashkiak i Beratit, që ka të bëjë me financiare. Sipas një informacioni zyrtar nga klubi, mësohet se nën kujdesin e kryebashkiakut Ervin Demo, është hartuar dhe miratuar në të njëjtën kohë edhe buxheti i vitit 2024 për skuadrën e Tomorit.

TOMORI

Ky buxhet kap shifrën e 355 milionë lekëve (të vjetër). Në ndryshim nga viti 2023, buxheti i ri është rritur me 25 milionë lekë. Këshilltari Krenar Suku, i cili përfaqëson grupin e mazhorancës në Këshillin Bashkiak ka treguar për “Panorama Sport”, se Bashkia Berat e ka vlerësuar drejt situatën ku ndodhet skuadra e Tomorit dhe ka miratuara një buxhet rekord për ta mbështetur ekipin.

“Me statusin e dyfishtë, si kryebashkiak i Beratit dhe president i Tomorit, Ervin Demo, ka insistuar për mbështetjen e skuadrës. Me mirëkuptimin dhe mbështetjen në bllok të të gjithë këshilltarëve, u arrit që të akordojmë për klubin e futbollit në buxhetin e vitit 2024, shifrën rekord prej 355 milionë lekëve. Kjo shifër nuk është një rastësi, përkundrazi është një tregues i qartë se Bashkia Berat dhe titullari i saj janë duke dhënë një mesazh të qartë mbështetje për Tomorin.

Të gjithë këshilltarët presin nga stafi teknik dhe skuadra e Tomorit, të bëhet e pamundura për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Tomori nuk do të jetë kurrë vetëm dhe pa mbështetje. Bashkia ka dhënë me këtë rast një mesazh të qartë mbështetje. Ne besojmë se të gjithë faktorët brenda dhe jashtë skuadrës po kontribuojmë që të eliminojmë vështirësitë e momentit dhe të sigurojmë qëndrimin në kategori”, u shpreh për gazetën kreu i grupit të këshilltarëve të mazhorancës në Këshillin Bashkiak të Beratit, Krenar Suku.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"