Barcelona-Bilbao është tjetër finale klasike, ja precedentët mes ekipeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2021 | 18:56

Barcelona-Bilbao është tjetër finale klasike, ja precedentët mes ekipeve

Klasikja e futbollit spanjoll është Real Madrid-Barcelona. Por historia brilante e Atletikos së Bilbaos bën që edhe finalja e Superkupës së Spanjës të jetë e bukur dhe e luftuar. Këtë të diel të dyja skuadrat do të shkruajnë një tjetër kapitull në Sevilje dhe kjo është finalja e 13-të që do të luajnë mes njëra-tjetrës.

pk_1592865203

Tri duele finale i kanë luajtur në Superkupë. Në vitet 1983 dhe 2009 trofeun e fituan katalanasit, ndërsa në vitin 2015 ishte Bilbao që triumfoi. Finalet e tjera të luajtura mes skuadrave i korrespondojnë Kupës së Mbretit dhe janë zhvilluar në vitet 1902, 1932, 1984, 1920, 1942, 1953, 2009, 2012, 2015. Për formacionin bask, finalja e nesërme do të jetë e teta në 11 vitet e fundit dhe këtë gjë e ka arritur me 5 trajnerë të ndryshëm.

Barcelona-Bilbao

Më parë ia kishin dalë Kaparros (Kupë dhe Superkupë 2009), Bielsa (Kupë dhe Europa Ligë 2012), Valverde (Kupë dhe Superkupë 2015), Garitano (finalist i Kupës që do të luhet mes Bilbaos dhe Sociedadit). Shtatë futbollistë të skuadrës së Bilbaos kanë fituar nga 1 herë Superkupën e Spanjës dhe do të kërkojnë trofeun e dytë personal.

Ata ia dolën në vitin 2015 kundër Barcelonës. Bëhet fjalë për De Markos, Balenziaga, Lekue, Ibai, Muniain, Uilliams dhe Herrerin. Këta lojtarë ishin pjesë e finales me trajnerin Ernesto Valverde dhe fituan 4-0 në mënyrë spektakolare.

BARÇA E KARIKUAR – Por Bilbao këtë herë do të ketë përballë një Barcelonë të uritur për trofe dhe të karikuar në maksimum. Për më tepër, ky duel mes tyre vjen pak ditë pasi kanë luajtur edhe në kampionatin spanjoll. Katalanasit bënë një performancë të shkëlqyer duke fituar me rezultatin 3-2, ku Leo Mesi ishte ai që udhëhoqi formacionin e Kumanit duke bërë një ndeshje mjaft pozitive.

Eliminimi i Realit të Madridit nga Superkupa e Spanjës ishte një lajm fantastik për Barcelonën, e cila tani shpreson dhe beson më shumë që është momenti i duhur për t’u rikthyer te trofetë. Bilbao është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar, por sigurisht që dueli me Realin do të ishte më i paparashikueshëm. Tani në Katalonjë shpresojnë që të rikuperojnë Lionel Mesin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"