Barazuan duelin e “Play-Off”-it, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Dytë akuzon: Këta arbitra shiten për shuma…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 14:37

Barazuan duelin e “Play-Off”-it, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Dytë akuzon: Këta arbitra shiten për shuma…

Devolli “djeg” Sopotin me… barazim. Ndeshja e luajtur në Bilisht u mbyll vërtet pa gola, por me fitues ama. Ishin vendësit ata që festuan dhe kjo falë rregullores (që favorizon ekipin i cili renditet më lart në renditje).

SOPOTI FLAMURTARI

Nëse të besuarit e Erindi Maneshit kanë ende shanse për të tentuar ngjitjen në Kategorinë e Parë, librazhdasit e lënë me kaq këtë rrugëtim.

Duhet thënë se u zhvillua një ndeshje e fortë. Pa kaluar 11 minuta, vendësit fitojnë penallti, pas një faulli ndaj Gonzales brenda zonës.

Është Pere që gjuan, por portieri Blloshmi bën heroin.

Pavarësisht rasteve nga të dyja ekipet, pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0. E dyta nisi vrullshëm me miqtë, që këmbënguli për të gjetur golin e fitores. Barazimi nuk i bënte punë, e megjithatë rrjeta nuk erdhi kurrë.

Në të 88-ën Devolli kishte shansin të shënonte, pasi fitoi tjetër penallti, por Blloshmi është i pakalueshëm. Priti edhe gjuajtjen e Fifos. Minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i takimit nuk sollën ndonjë ndryshim rezultati. Kështu, 0-0 mbyllet takimi dhe është Devolli që do të luajë takimin e dytë me Labërinë në një fushë asnjanëse.

TRAJNERI – Sopoti ka kontestuar direkt gjykimin. Me t’u mbyllur ndeshja, janë ankuar për vendimet e kryesorit Silvio Dyrmishi dhe ndihmësve të tij.

Trajneri Luan Brasha e ka cilësuar skandaloz arbitrimin, aq sa dyshon se mund të kenë marrë ryshfet. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, ai tha:

“Jemi në 2022 dhe ka ende gjyqtarë të tillë që për shuma banale parash shiten dhe bëjnë gjykime të turpshme.

U nisëm për një ndeshje të pastër dhe nuk pritëm një pisllëk të tillë që na çoi dëm gjithë djersën e këtij sezoni.

Sikur të mos mjaftonin dy penallti inekzistente që na akordoi kundër, ky palo gjyqtar na mohoi një të tillë neve dhe duke u bërë palë me vëzhguesin na çuditën kur në fund nuk akorduan më shumë se 1 minutë shtesë.

Edhe pse vendësit kishin 10 minuta që qëndronin të shtrirë, duke vonuar lojën. Nuk kam asnjë dyshim që gjyqtari ka marrë ndonjë ryshfet, pasi nuk ka asnjë shpjegim tjetër ajo çka bëri”.

SKE

SKE 1

THANAS GJATA / LEDION QOSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"