Barazimi ndaj Egnatias, Jazxhi: Në Rrogozhinë morëm çfarë deshëm, nuk ndalemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 22:51

Barazimi ndaj Egnatias, Jazxhi: Në Rrogozhinë morëm çfarë deshëm, nuk ndalemi

Teuta ka regjistruar një tjetër rezultat pozitiv këtë javë në kampionat, teksa ka ndalur në barazim pa gola Egnatian. “Djemtë e Detit” morën një pikë me shumë vlera në luftën e tyre për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

jazxhi

Mbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, foli për “Panorama Sport” një ditë pas barazimit pa gola ndaj Egnatias. Qendërmbrojtësi u shpreh i kënaqur për pikën e marrë dhe tani sheh te ndeshja e radhës me Erzenin, që konsiderohet si një tjetër finale.

Artan, sa i kënaqur jeni me barazimin ndaj Egnatias?

Na vjen mirë që vijmë në Rrogozhinë dhe marrim një rezultat pozitiv. Pësuam dy herë, por u anuluan falë “VAR”-it. E përgatitëm ndeshjen mirë. Egnatia është e fortë, por morëm atë që deshëm. Ecuria e skuadrës është në rritje, pavarësisht se kemi mungesa. Kemi pasur probleme në mbrojtje, por tani më vjen mirë që nuk pësojmë gol. Kishim mungesa dhe barazimi ishte objektivi ynë.

Fakti që keni oshilacione herë pas here, sa e ka rënduar psikologjikisht skuadrën?

Për hir të së vërtetës, ekipi jo vetëm që nuk është rënduar, por përkundrazi jemi plot entuziazëm për të vazhduar luftën tonë deri në fund. Këtë entuziazëm na e sjellin lojërat e mira që kemi bërë.

Çfarë sfide prisni me Erzenin?

Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre të përgatitur. Në këtë përballje dhe do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.

Ju duhen pikët, por në të njëjtën kohë edhe Erzeni po lufton për mbijetesë. E bën të vështirë ky fakt këtë duel?

Çdo ndeshje është e vështirë, andaj ne si gjithnjë hyjmë për fitore, pavarësisht se cilin kundërshtar kemi përpara. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për synimet tona dhe për të lënë atë vend ku ndodhemi aktualisht. Kemi një skuadër të palodhur në çdo aspekt dhe mendojmë vetëm për objektivat tona dhe asgjë tjetër.

Ekipet pranë jush po fitojnë. Mendoni se janë shkëputur?

Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve afër nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet ndeshje pas ndeshjeje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"