EKSKLUZIVE/ “Barazimi me Egnatian aksident”, Sokol Bulku: Tiranës i duhej një “usta” për mesfushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 19:39

EKSKLUZIVE/ “Barazimi me Egnatian aksident”, Sokol Bulku: Tiranës i duhej një “usta” për mesfushën

Sokol Bulku qetëson Tiranën dhe tifozët. Barazimi me Egnatian nuk është tragjedi, ndërsa mesfushës i duhet kohë që të tregojë veten. Mesfushori që ka fituar tituj me Tiranën për “Panorama Sport” flet për startin e kampionatit të bardhebluve.

sokol bulku

Pranon që afrimi i Ngosë është i goditur, por skuadrës i duhet një tjetër bomber që të rrisë konkurrencën. Në fund, Sokoli sheh bardheblutë si një nga pesë favoritët për titullin kampion, por ekipi duhet të përqendrohet në fushën e lojës sepse atje fitohen pikët.

Zoti Bulku, Tirana në dy javë ka marrë katër pikë, por më shumë po i mëshohet faktit që mesfusha nuk funksionon?

Me sa di unë, Tirana, të tre lojtarët e mesfushës nga ata që kanë luajtur i ka të rinj.

Po, është e vërtetë. Luajnë Limaj, Totre dhe Hoti…

Luajnë për herë të parë me njëri-tjetrin dhe është normale që të kenë probleme përshtatjeje. Duan kohën e tyre sepse luajnë për herë të parë të tre dhe do të njihen. Pastaj Limaj është lojtar shumë i mirë dhe vlerat e tij i dimë të gjithë. Do të tregojë vlerat në fushën e lojës. Thjesht është çështje kohe dhe kolaudimi. Çdo gjë do kohën e vet si në çdo fushë. Nuk duhet të nxitohemi.

Çelhaka pas largimit të tij ka lënë një gropë shumë të madhe në qendër të mesfushës?

Sigurisht që kjo është më se normale. Lojtari ishte i spikatur në atë pozicion dhe skuadra e njihte, por duhet të mësohen të gjithë. Në skuadër ka ndryshime. Do të ketë largime dhe afrime nga më të ndryshmet siç ka ndodhur më parë. E rëndësishme është që treshja e mesfushës të ketë kohën e vet, të punojë e qetë dhe pa presion, siç iu dha edhe Çelhakës.

Që do të thotë?

Kur Çelhaka hyri si titullar te Tirana, në krah kishte një “usta” si Batha. Asnjë i ri në një skuadër nuk hyn dot dhe bën gjithçka mirë. Batha apo mesfushori me eksperiencë të japin siguri. Ky është problemi i Tiranës, që i ka të tre mesfushorët e rinj. Limaj e kompenson që njeh Superioren, por nëse Batha do të ishte aty do të ishte më mirë. Gjithsesi, duhej një lojtar “veteran” në krah të tyre që t’i merrte për krahu në momente të vështira.

Shumë thonë që pa mesfushë është e pamundur të fitosh në fushë apo e ke të vështirë?

Po, është pika lidhëse e skuadrës. Si sulmi dhe mbrojtja nuk bëjnë dot pa këtë repart dhe e kundërta. Ama te Tirana nuk është rasti. E përsëris kanë kohë për t’i riparuar gjërat.

Tirana ka afruar Majkëll Ngonë pas një viti ndarje. Ka bërë mirë apo keq?

Për çështjen e Ngosë do të them se nëse nuk do të vinte Ngoja, titullarë do të ishin Xhixha e Seferi si dhe një nga të rinjtë. Pra, Tirana do të ishte mangët. Me atë që kam parë në fushë ka bërë shumë mirë. Gjithsesi, një sulmues i katërt me stofin e titullarit duhej në skuadër që të mbante në lëvizje treshen Seferi, Xhixha dhe Ngo. Do të kishim konkurrencë dhe konkurrenca të bën të japësh maksimumin.

Kë shihni favorite për titullin këtë vit?

Kam parë Vllaznia-Teuta. Ndeshja më pëlqeu shumë. Kishte ritëm dhe them se do të jenë dy pretendente të denja. Plotëso këtu Tiranën, Partizanin dhe Laçin. Të pesta skuadrat janë shumë të forta, pa harruar ekipet e tjera. Do të jetë një kampionat shumë i luftuar.

Tirana mund ta fitojë titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë ashtu siç kërkon Orges Shehi?

Shiko, sepse po shoh se është bërë tragjedi e madhe që barazoi Tirana me Egnatian. Jemi në javën e dytë. Është një skuadër e re. Nuk mund ta bëjmë traumë këtë fakt. Për më tepër që i mohuan penalltinë në fund të ndeshjes. Tirana duhet të jetë e qetë. Ka edhe 34 takime dhe mbi 100 pikë në lojë.

Të gjitha skuadrat kanë gabuar. Partizani, Vllaznia, Laçi. Fillimi kështu është. Sa të marrë masat skuadra dhe ekipi do të ecë. Në fund do të bëhen llogaritë. Ose më saktë pa parë një apo dy faza nuk mund të alarmohet askush te Tirana. Bardheblutë e kanë stofin e kampionit ashtu si edhe stolin. E njëjta histori vlen edhe për Partizanin apo ndonjë skuadër tjetër. Te Tirana është trajneri që do të mendojë për zgjedhjen dhe kjo është më se normale.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"