Ballkaniada, kur Shqipëria trondiste Jugosllavinë me një trajner serb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2016 | 22:51

Ballkaniada, kur Shqipëria trondiste Jugosllavinë me një trajner serb

Ballkaniada e 46-ës, në veçanti turneu i futbollit, është ndër faqet e shkëlqyera të historisë së futbollit shqiptar, në përfundim të së cilës skuadra kombëtare u shpall kampione e gadishullit. Pikërisht në këto ditë, ndërsa Ballkaniada e zhvilluar në Tiranë është në përvjetorin e 70-të të saj, mjeshtri Sabri Peqini, profesori, pedagogu, futbollisti, trajneri i famshëm i atij brezi, me karrierën dhe vitet që ka, është më i vjetër se vetë ai turne i paharruar e i papërsëritshëm.

sabri peqini

Në 90 vitet që i ka lënë pas Sabri Peqini, i cili fatmirësisht gë- zon një shëndet të mirë, falë një kujtese të admirueshme, rrëfehet me shumë kënaqësi për atë aktivitet, të cilin e ka ndjekur si tifoz, kur ishte i ri, vetëm 20 vjeç. Nisja çdo mëngjes nga Shijaku ku banonte, ardhja në kryeqytet me automjete të rastit duke i parë të gjitha takimet, madje në tribunën përballë, sot ai na i rikthen me detaje, në veçanti sfidat e Kombëtares bashkë me emocionet e gjithçka që e ka përjetuar nga afër.

Z. Peqini, si e kujtoni atë Ballkaniadë?

Kam qenë në moshë të re kur u zhvillua Ballkaniada. Jetoja në Shijak dhe bashkë me 3-4 shokë niseshim çdo mëngjes me mjete të rastit për të ardhur në Tiranë. Ndeshjet i kam ndjekur nga tribuna përballë, ndërsa sa kushtonte një biletë nuk më kujtohet. Më ka mbetur i paharruar entuziazmi, pasioni, dëshira dhe kureshtja për të parë skuadrën e sapoformuar kombëtare, atë pas lufte dhe futbollistët e saj bashkë me uniformën ngjyrë të kuqe me stemën e Republikës, shumë e bukur.

xhavit mneri flete nderi

Pastaj atmosfera kur ktheheshim në qytetin tonë dhe u tregonim miqve, familjes atë çfarë kishim parë, pasi ndeshjet ata vetëm i ndiqnin nga transmetimi i Mazrrekut në “Radio Tirana”. Kishte edhe tifozë të ardhur nga Mali i Zi.

Cila ishte atmosfera?

Duke qenë se kishte kohë që bëhej një propagandë për zhvillimin e saj në Tiranë, natyrisht që pritja, kurioziteti dhe interesimi ishte i madh, kryesisht për futbollin. Në çdo vend vetëm për të flitej. Stadiumi ishte i mbushur jashtë kapacitetit të tij, madje kishte edhe shumë vajza e gra. Zyrtarët e lartë të shtetit treguan seriozitet, përkushtim dhe kishte vlerësim në maksimum nga të gjithë. Shqipëria ishte edhe anëtare e FIFA-s dhe i duhej një përfaqësim e paraqitje e mirë organizative si i pari aktivitet ndërkombëtar që zhvillohej në vendin tonë menjëherë pas lufte.

enver hoxha ne tribune

Në tribunë, për të parë ndeshjet kanë qenë nga Enver Hoxha e shumë personalitete të kohës. Fjalën hapëse e ka mbajtur Nako Spiru, ndërkohë që në këtë turne nuk merrnin pjesë ekipet e Greqisë e Turqisë, si vende me preferenca perëndimore dhe jo të kampit demokratik të Lindjes. Kujtoj se Skënder Begeja ka lexuar edhe betimin sportiv, ndërsa ndeshjet janë luajtur në mesditë, kryesisht në orën 14:00.

Sa i njihte lojtarët që grumbulloi Ljubisa Broçiç?

ljubisha brocicSkuadra kombëtare pas lufte u krijua me futbollistë që aktivizoheshin me klubet shqiptare, por edhe ata që luanin jashtë në Itali, si Boriçi, Llambi, të cilët iu sugjeruan trajnerit Broçiç nga dy zëvendësit e tij, Karapici e Jakova. Ai e filloi punën dhe pak kohë më pas skuadra kombëtare mundi 5- 1 në Shkodër në një miqësore Malin e Zi me Broçiç në stol, një trajner nga Beogradi, që pati meritën të sillte në kombëtare një stil të ri loje, duke aplikuar skemat e kohës si nga 2-3-5 të ndryshonte në 3-2-5 duke luajtur me tre mbrojtës, një variant.

Një stil që përdorej edhe në Europë. Skuadra jonë dallohej për disiplinë, për dominimin në lojën në ajër, ishte e shpejtë dhe e rrezikshme në kundërsulm me Parapanin, Mirashin, Boriçin, Biçakun e Telitin. Dy ishin të huaj, të dy portierë që u aktivizuan me skuadrën kombëtare në atë turne. Ndaj Jugosllavisë e Bullgarisë luajti Dod Tahiri, malazez ky, por që aktivizohej me Vllazninë, ndërsa në sfidën me Rumaninë, atë decizive, Broçiç në mënyrë surprizë aktivizoi italianin Poselli, i ndodhur prej disa vitesh në Vlorë me familjen dhe i aktivizuar me Flamurtarin. Kujtoj se lejohej që një sportist të aktivizohej në atletikë dhe futboll, si Begeja që konkurronte vrapues në garat e atletikës e Sllave Llambi në kërcim së larti.

Çfarë mbani mend nga takimi i parë, Shqipëri-Jugosllavi?

Ka qenë ditë e diel. Tirana ziente që në orët e para të mëngjesit. Kishte entuziazëm të madh, në veçanti në stadium, por edhe kureshtje për të parë skuadrën kombëtare të sapokrijuar pas lufte. Janë vitet e kulmit të miqësisë midis Shqipërisë e Jugosllavisë, por edhe të bllokut demokratik ballkanas.

stadiumi qemal stafa

Ndeshja u zhvillua nën një shi të madh që filloi pas 20 minutash lojë dhe e rëndoi terrenin, çka nuk lejoi të luhej një takim i bukur. Ne ishim në avantazh me dy gola në pjesën e parë, realizuam edhe një të tretë nga Pal Mirashi, por që u anulua padrejtësisht nga vijërojtësi. Një 3-0 na siguronte fitoren. Në pjesën e dytë epërsia e skuadrës jugosllave ishte e dukshme sidomos në aspektin fizik, pasi ata ishin futbollistë me shumë eksperiencë.

shqiperi jugosllavi ne shi

Edhe pse në një terren tërësisht me baltë, ata shënuan tre gola. Kur mbaroi ndeshja, nuk lëvizte asnjë nga stadiumi nga shiu i tmerrshëm, një ciklon i vërtetë që vazhdonte pa pushim, duke krijuar vështirësi edhe në rrugë, pasi uji arriti deri në gati gjysmë metër lartësi.

Po për Boriçin kapiten?

Ndeshja me Bullgarinë dhe fitorja 3-1 ndaj një ekipi të fortë është e lidhur me Loro Boriçin. Jo vetëm për golat që realizoi, por që në atë takim u shfaq një lider i vërtetë që pas humbjes me Jugosllavinë na hapi shpresën për titull. Dy golat e tij kanë vulën e triumfit, ndër të cilët të dytin me penallti, pas një faulli të rëndë të një mbrojtësi bullgar në zonë ndaj Telitit. Në atë takim Teliti-Biçaku-Boriçi e Mirashi kanë qenë fenomenalë.

borici me trofeun

Për Boriçin ruaj një konsideratë të veçantë si futbollist, trajner dhe kapiten. Transmetonte një kulturë të madhe, elegant, i jashtëzakonshëm ka qenë. E kam parë kur luante në Itali në krah të Piolës te Lacio, ndërsa unë isha nxënës në Peskara dhe udhëtonim me tren të dielën për në Romë për ta ndjekur. Në Ballkaniadë ka qenë simbol i skuadrës sonë. Me fanellën kuqezi me stemën e shqiponjës e kujtoj gjithmonë.

kameramane

Jam entuziazmuar kur në FSHF kam parë në muzeun e saj të vendosur në një kornizë fanellën me Nr. 9 të Loro Boriçit, atë të Ballkaniadës. Boriçi ishte autoritet dhe personalitet i madh në fushë e jashtë saj. Pastaj gjatë karrierës më ka lidhur puna, e kam pasur mik në kombëtare, federatë, kudo.

Me Rumaninë vendosi goli i Telitit…

Ka qenë e shtunë në mesditë. Kohë e mirë, ndonëse ishim me çadra në duar, nga frika e një shiu. Stadiumi ishte mbushur dy orë para fillimit të takimit. Ishte një ndeshje me shumë emocion e ankth, pasi fitorja na jepte vendin e parë, barazimi të tretin dhe humbja të fundit. Rregullorja përcaktonte se për fitimin e kupës, në rast barazimi të pikëve do të merreshin në konsideratë fitoret, pastaj golavarazhi. Nëse edhe ky ishte i barabartë, do të luhej një tjetër takim, pastaj koha shtesë në rast barazim rezultati.

ekipi kombetar para rumanise

Nëse nuk do të kishte gol edhe në shtesën 2×15, atëherë nuk do të kishte skuadër kampione, por dy vende të para. Rumunët kishin një skuadër teknike. Në fillim të pjesës së dytë, arbitri jep një faull për prekje të topit me dorë jashtë zone nga portieri rumun nga porta nga sahati. Heshtje në stadium, kur Teliti vendosi topin dhe u përgatit për të gjuajtur. Me Telitin unë kam luajtur edhe te Dinamo në vitet ’50 dhe kujtoj se kishte një goditje të fuqishme me të djathtën.

Ndonëse rumunët kishin një portier shumë të mirë, Teliti mori hov dhe pasi pa një hapësirë që kishte lënë barrikada rumune, me saktësi e forcë e dërgoi topin aty, ngjitur me tokën, në krahun e majtë të portierit rumun. Në minutat e mbetura kundërshtari sulmoi, por mbrojtja ka luajtur shumë mirë në atë takim. Pas vërshëllimës së arbitrit, shpërtheu entuziazmi e festë e madh në shkallët e stadiumit e në fushë kur lojtarët festonin bashkë me trajnerin Broçiç. Pastaj u zhvillua një parakalim i të gjithë sportistëve dhe ceremonia e dhënies së kupës kapitenit Boriçi.

Cila ishte jehona me Shqipërinë kampione Ballkani?

Jehona ishte e madhe, pasi askush nuk e kishte menduar surprizën që do të bënte Kombëtarja jonë, pasi ishin Jugosllavia e Rumania pretendente. Madje, vendi i parë u sigurua në bazë të golavarazhit, pasi si Shqipëria dhe Jugosllavia e mbyllën me 4 pikë, por me diferencë të një goli 6-4 Shqipëria, ndërsa 6-4 Jugosllavia kupën e morëm ne. Ballkaniada pati një ndikim të madh në vijim për futbollin shqiptar, nxiti pasionin, u krijuan klube të reja, si Partizani e Dinamo, filloi pjesëmarrja në ndeshje ndërkombëtare me klube e përfaqësuese.

gazeta sporti pas ndeshjes

Dua të them se rezultati në fushë u arrit me shumë meritë, përjashto humbjen me Jugosllavinë, e zhvilluar në kushte aspak sportive, si ndaj Bullgarisë e Rumanisë, fitoret erdhën me ndeshje të bukura. Ai ishte një turne i organizuar shumë mirë edhe në aspektin mediatik. Kishte shumë gazetarë, kameramanë shqiptarë, por edhe të huaj. Sa keq që nuk kemi pjesë filmike nga ai aktivitet, pasi nuk kam parë të shfaqen fragmente loje. Edhe shtypi i huaj, ai jugosllav në veçanti, e konsideronte surprizë të madhe, deri të pabesueshme fitoren e shqiptarëve.

ballkaniada futboll

Nuk e di edhe fatin ku ka përfunduar kupa e fituar në atë Ballkaniadë, të cilën e mori kapiteni shqiptar Boriçi kur ai u ngjit në podiumin e nderit që ia dha sekretari i Federatës Sportive Shqiptare, Kristo Papajani, bashkë me kurorën me gjethe ulliri që ai e vuri në kokë. Kush e ideoi, çfarë simbolike përfaqësonte, nga duart e Boriçit ku përfundoi, pastaj fakti që nuk është treguar asnjëherë interes për gjetjen e saj… Fakti është se ajo është zhdukur dhe vitet kanë bërë të harrohet e të humbasë pa asnjë gjurmë. Sa keq, i vetmi trofe zyrtar që kemi fituar, nuk është më!

Cila ishte ndeshja më e bukur?

Kujtoj se ajo midis Bullgarisë e Rumanisë, jo vetëm për 4 golat, por pati tension deri në fund. Nga 2-0 për bullgarët të fortë fizikisht, në 2-2 me një lojë teknike të rumunëve. Pastaj, ajo Shqipëri-Bullgari. Nga një fillim jo i mirë deri në meslojën e pjesës së parë kur pë- suam edhe një gol, më pas skuadra jonë luajti një ndeshje të shkëlqyer. Por, ndeshje më e bukur e gjithë turneut mendoj se ka qenë ajo midis Rumanisë e Jugosllavisë që u mbyll 2-1. Lojë e bukur e një niveli të lartë e koncept taktik deri në minutat e fundit e nuk dallohej cila skuadër kishte sulmin më të mirë.

tabela shqiperi bullgari

Jugosllavët kishin dy sulmues të mirë si Çajkovski e Brozoviç, ndërsa rumunët portierin Lazareanu e sulmuesin Mecarosh. Rumunët u treguan më të saktë kur realizuan radhazi dy herë. Pastaj takimi Jugosllavi-Bullgari, gjatë të cilit jugosllavët, përveç pikëve, kërkonin edhe golavarazhin. E, në fund, ai që pati më shumë emocion se çdo takim tjetër, Shqipëri-Rumani. Ndërsa golin e Boriçit me Bullgarinë do ta vlerësoja më të bukurin e Ballkaniadës kur ai realizoi me një gjuajtje të shkëlqyer e befasuese për të gjithë.

Hulo Hadëri goditi arbitrin në pushim të ndeshjes

Ka ndodhur në pushim të ndeshjes, Shqipëri-Rumani. Arbitri jugosllav Matançiç, gjatë pjesës së parë që u mbyll 0-0 shfaqte tendenca në arbitrim, me objektivin që takimi të mos kishte fitues, pasi çdo rezultat tjetër favorizonte Jugosllavinë, e cila ishte në kuotën e 4 pikëve. Në disa episode loje, vendimet e tij ishin të dyshimta dhe krijonin protesta nga spektatorët. Në pushim të ndeshjes, ndërsa ai po futej në dhomat e zhveshjes, drejtori i administratës së Lojërave, Hulo Hadëri, duke debatuar me të e godet, çka krijoi tension e zhurmë të madhe jo vetëm në mjediset e “Qemal Stafës”. Me fillimin e pjesës së dytë, skuadra shqiptare realizoi golin e fitores me gjuajtjen e Telitit, fitoi takimin dhe mori trofeun, ndërsa Hulo Hadëri u pezullua me një afat disamujor nga funksionet që kishte në kryesinë e Federatës Sportive Shqiptare.

ARBITRAT SHQIPTARË

arbitrat shqiptare

Çdo skuadër kishte sjellë edhe një arbitër kryesor, të cilët u aktivizuan edhe si anësorë në pesë takimet e turneut. Vetëm Shqipëria u përfaqësua me tre arbitra: Qazim Dervishi arbitër ndërkombëtar, Kulla e Jakupi si vijërojtës. Qazim Dervishi drejtoi si arbitër kryesor përballjen e ditës së parafundit, JugosllaviBullgari. Ndërsa në sfidën përcaktuese Shqipëri-Rumani, arbitër kryesor ishte Matançiç, dy vijërojtësit ishin përfaqësues nga dy vendet që luanin: Rumuni Istrati dhe shqiptari Dervishi. Në këtë turne rumuni Istrati, jugosllavi Matancic gjykuan nga dy ndeshje, ndërsa Dervishi dhe bullgari Zllatarev nga një takim.

UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"