Balaj: Egnatian e eliminojmë me tifozët shkodranë, pse mos të shënoj 3 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 10:22

Balaj: Egnatian e eliminojmë me tifozët shkodranë, pse mos të shënoj 3 gola

Vllaznia do të tentojë gjithçka për të përmbysur Egnatian në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët në orën 18:00 do të presin rrogozhinasit, pasi ndeshjen e parë e kanë humbur minimalisht 0-1. Para kësaj përballje ka qenë kapiteni i kuqebluve Bekim Balaj, i cili ka dalë përpara mediave për të folur në lidhje me këtë takim. Sulmuesi që kryeson kampionatin me golat e shënuar shprehet optimist për kalimin në finale, teksa shpreson që të shënojë golat e kualifikimit. Edhe pse i ndërgjegjshëm për mungesat, Balaj beson se Vllaznia mund ta përmbysë Egnatian, këtë edhe me ndihmën e tifozëve.

balaj

Keni humbur 0-1 në ndeshjen e parë, sa e vështirë do të jetë për të përmbysur një skuadër si Egnatia?

Duke parë rezultatin e ndeshjes së parë dhe se si shkoi ai takim, vijmë për të luajtur në mënyrën më të mirë ndeshjen e dytë, kërkojmë të kthejmë rezultatin dhe të shkojmë në finale. Sigurisht që nuk është e lehtë. Egnatia ka treguar një formë të mirë gjatë gjithë kampionatit, por në ndeshjen që kemi luajtur me ata në Shkodër kemi bërë shumë mirë.

Sot pritet të ketë një numër të madh tifozësh, të cilët janë një ndihmë shumë e madhe për të arritur kualifikimin. Tifozëria është mësuar me golat e Balajt tani, por këto javët e fundit kanë munguar pak…

Mund të them se nuk ka asnjë shkak, por jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç duhet. Ama si unë dhe skuadra do të gjejmë forcat për të shkuar përpara dhe për ta kthyer këtë situatë.

Përpara janë dy përballje me Egnatian, një për Kupë në Shkodër dhe të dielën në Rrogozhinë për kampionat. Mund të themi se luhen fatet e sezonit?

Kështu si ka shkuar kampionati të le përshtypjen sikur mund të zgjidhet me një ndeshje, por ka ende 4 ndeshje për t’u mbyllur. Mendoj se skuadra ka bërë mirë deri tani. Luajmë për të arritur finalen. Duhet të bëjmë maksimumin për t’u marrë gjithçka këtyre ndeshjeve. Duhet që të jemi entuziastë dhe optimistë për të arritur maksimumin në këto ndeshje që na kanë mbetur.

Në mbrojtje do të jeni pa Stojanoviç dhe Hakaj, mendoni se do të ndikojë mungesa e tyre?

Janë lojtarë që kanë mbajtur peshën e gjithë sezonit. Dihet pesha dhe cilësia e tyre, por që do të bëjmë çdo gjë të jetë e mundur dhe lojtarët që zëvendësojnë Hakajn dhe Stojanoviçn, e dinë peshën e fanellës dhe do të luajnë për skuadrën.

Për të përmbysur Egnatian duhen minimalisht dy gola. Do të dëshironit që ta mbyllnit me dy gola të shënuar?

Dëshira është e madhe pse jo edhe 3 gola. Përtej sarkazmës për të shënuar 1, 2 apo pse jo edhe 3 gola, e rëndësishme është fitorja dhe kualifikimi. Do të provojmë çdo gjë, me ndihmën e Zotit e të tifozëve shpresojmë që t’ia dalim.

Sa herë që i janë dashur tifozët, Vllaznia i ka pasur në krah. Mendoni se do t’i keni edhe kësaj here?

Jam i bindur që këtë sezon pavarësisht luhatjeve, mbështetja e tifozëve ka qenë e madhe dhe ndihma e tyre është e domosdoshme. Në këtë fazë finale, në këtë sprint të fundit dhe unë shpresoj dhe besoj se nesër (sot) do t’i kemi në krah për të arritur te suksesi.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"