Bajrami: Sezonin e kaluar na mungoi konkurrenca, tani duam trofe për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 22:16

Bajrami: Sezonin e kaluar na mungoi konkurrenca, tani duam trofe për Skënderbeun

Skënderbeu merr formë të plotë tashmë dhe pritet që në javët në vijim të zhvillojë përgatitjet për të qenë gati për sezonin e ri. Afrimi i Sadriut dhe Rexhepit, por edhe fakti që është zgjidhur çështja e vizave për dy ganezët, pritet që të sjellë jo vetëm një ekip të plotë, por të shtojë edhe konkurrencën në grupin e drejtuar nga Memelli. Konkurrencë e cila duket se do t’i bëjë mirë skuadrës për ta rritur më shumë cilësisht.

melos bajrami

I këtij mendimi është qendërmbrojtësi i Skënderbeut, Melos Bajrami, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” pranon se gjithçka është në të mirë të ekipit dhe se kjo pritet të risë cilësinë e Skënderbeut për sezonin e ri. Për Bajramin, cilësia në ekip është rritur dhe Skënderbeu është gati për të synuar objektiva më madhorë sesa mund të ketë prodhuar sezoni i kaluar.

SEZONI I RI – “Jemi duke u përgatitur për sezonin e ri dhe gjithçka mund të them se po ecën mirë deri në këto momente. Kemi mundur të rritemi dita-ditës dhe të punojmë fort për të qenë gati për sezonin, por që tani do të fillojë pjesa më e rëndësishme. Pas bashkimit të grupit, i cili tashmë është i plotë, na pret një punë me e madhe në këto javë të mbetura, për të qenë sa më të kompletuar fizikisht me qëllim që të përballojmë ngarkesën e sezonit”.

KONKURRENCA – “Do të jetë një sezon tjetër, pasi elementët cilësorë të një viti më parë i kemi në grup, plus që kemi afruar edhe lojtarë të tjerë që do të na japin një dorë të madhe. Jam shumë i lumtur që Rexhepi dhe Sadriu janë bashkuar me ne. Do të jenë një ndihmë e madhe. Konkurrenca është e shtuar tashmë dhe kjo na ndihmon që të japim më të mirën. Çdo lojtar është i fokusuar për të dhënë maksimumin me qëllim që të fitojë pozicionin si titullar. Një konkurrencë e shtuar na ka munguar vjet dhe tashmë jemi të bindur se mund të ecim përpara”.

OBJEKTIVAT – “Këtë vit, ndryshe nga sezoni i kaluar kemi më shumë objektiva. Presim që të jetë një grup kompetitiv dhe të luftojë për vendet e larta të renditjes. Duam të shmangim sikletet e mbijetesës që na kanë bezdisur jo pak vitin që shkoi, por edhe të luftojmë për kupën që është një tjetër objektiv yni. Besoj se me elementët që kemi në grup mund t’ia arrijmë. Cilësitë i kemi. Mjafton të përqendrohemi dhe të japim maksimumin siç bëmë në pjesën e dytë të sezonit që shkoi. Nëse e nisim atje ku e lamë rrugëtimin tonë atëherë do të jemi mirë”, përfundoi Melos Bajrami”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"