Çfarë Bajerni, shkatërrohet Barça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2013 | 10:14

Çfarë Bajerni, shkatërrohet Barça

Bajern-Barcelona 4-0Bajerni është një stuhi futbolli, e cila sa vjen e bëhet më e frikshme. Pasi keqtrajtoi Juventusin, ata kanë shkatërruar në “Allianz Arena” edhe “madhërinë” e tij, Lionel Mesi, por mbi të gjitha Barcelonën, pikën e referimit sa herë që flitet për futbollin europian. Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampioneve përfundon në shifrat 4-0, ku ata që shënojnë janë Myler në pjesën e parë, Gomez, Roben dhe sërish Myler në pjesën e dytë, duke u dhënë një leksion të vërtetë futbolli katalanasve, të cilët nuk goditën kurrë në mënyrë të rrezikshme gjatë gjithë 90 minutave. Pas një pjese të parë naive, por të ekuilibruar, e dyta është bërë spektakolare nga ana e kampionëve të Gjermanisë, të cilët të udhëhequr nga Myler mbi të gjitha, por edhe nga Riberi e Roben, ku më në fund holandezi tregohet deciziv në një ndeshje decizive, kanë prerë biletën për në finalen e “Uembli”-t. Bindja mbi kualifikimin e bavarezëve vjen edhe nga dorëzimi i katalanasve, të cilët këtë herë në “Kamp Nou” vështirë se do të mund të ofrojnë një përmbysje tjetër, si ajo që bënë me Milanin, ku fituan pikërisht 4- 0. Gjithsesi, këto shifra duken të frikshme këtë herë, sepse përballë nuk do të jetë kuqezinjtë, por Bajerni, ndaj të cilëve nevojitet realisht një mrekulli sportive për të kaluar.
Siguri bavareze Bajerni e nis më mirë takimin dhe Roben menjëherë ka mundësinë që t’i kalojë shumë shpejt në avantazh të tijtë, por Valdes shpëton rrjetën me këmbë. Më pas Lahm tenton me të djathtë, por Pike mbrohet dhe devijon në goditje nga këndi, ndonëse mes këtij aksioni gjermanët pretendojnë një penallti për një prekje me dorë. Gjithsesi, goli ndihet në ajër dhe ai nuk do të vonojë, duke shpërblyer “vrasësin” Myler, i cili si gjithmonë gjendet në vendin dhe kohën e duhur, duke shtyrë në rrjetë një asist me kokë të Dantes. Minuta e 25-të e i gjithë stadiumi shndërrohet në një arenë gladiatorësh dhe euforia e tifozëve dhe e skuadrës së Hejnkesit tremb edhe Barcelonën, e cila nuk bën asgjë për t’u përgjigjur. Natyrisht që zotërimin e topit spanjollët nuk kanë harruar ta bëjnë, por manovra e tyre sulmuese duket në nivel amatorësh, për të mos folur pastaj për golat që së fundmi janë me pikatore. Të vetmen shkëndijë e ofron Mesi, por Dante e anulon “mbretin” e futbollit, i cili duket shumë i plagosur nga dëmtimi muskulor. Prandaj, nëse “Pleshti” nuk reagon, Bajerni i afrohet sërish golit, por edhe këtë herë një rrëmujë në zonë ofron vetëm një tjetër rast të diskutueshëm për penallti për prekje të topit me dorë nga Sançezi, ndonëse për arbitrin është gjithçka e pavullnetshme dhe skuadrat i drejtohen tunelit të stadiumit me avantazhin vendës, 1-0.
Ortek bavarez Nëse pjesa e parë ishte thjesht një shi i rrëmbyer, në të dytën skuadra e Hejnkesit shndërrohet në mënyrë surprizë në një ortek, i cili vetëm 4 minuta pas vërshëllimës së arbitrit dyfishon shifrat. Ai që realizon këtë herë është Gomez. Pas një goditjeje nga këndi, Myler kërcen mbi gjithë të tjerët në zonë dhe shërben me kokë për Gomezin, i cili vetëm pak centimetra larg portës godet fluturimthi dhe karikon energjitë e ekipit. Gjermanët shpërthejnë dhe tashmë asgjë nuk mund t’i frenojë, duke qenë se Barcelonës së frikshme këtë herë i kishte mbetur vetëm emri dhe asgjë më shumë. Prandaj, Riberi me shokë bëhen edhe më agresivë drejt zonës spanjolle dhe pasi francezi rrezikon një rast flagrant në zonë, goli i tretë nuk vonon. Këtë herë ai që e shënon është Roben, i cili me të majtën e tij fal gabimet e shumta që bëri kundër Juventusit. 3-0 dhe kualifikimi është i hipotekuar, por Bajerni nuk ka mëshirë për Barcelonën dhe vazhdon ta keqtrajtojë, aq sa 8 minuta nga fundi Myleri shndërrohet në makthin e katalanasve dhe feston dopietën e tij, por mbi të gjitha shpartallon mbrojtjen rivale dhe i jep skuadrës sigurinë e të qenit në finalen e Champions-it, më 25 maj në “Uembli”.

HejnkesHejnkes: Ju thashë që e njoh Barçën
Karriera e gjatë e “Don Jup” e ka mësuar të qëndrojë me këmbë në tokë. E tregon edhe pas një fitoreje 4-0 ndaj Barcelonës, sepse e njeh forcën e katalanasve. Për trajnerin e Bajernit, edhe pse Mesit me shokë i duhet një fitore me 5 gola diferencë, ai nuk e quan të mbyllur kapitullin e kualifikimit. Nuk kursen edhe ironinë, kur e pyesin nëse i telefonoi apo jo Guardiolës për t’u konsultuar përpara ndeshjes.
Një fitore madhështore e Bajernit, që mesa duket e ka prerë biletën në finale që në ndeshjen e parë? E kishit menduar se do ta mundnit kaq lehtësisht Barcelonën?
Jemi shumë të lumtur. Dinim që mund të fitonim, por jo me këtë rezultat. U treguam fantastikë. Në fakt, ky sezon ka qenë i tillë. Kemi luajtur futboll të jashtëzakonshëm brenda edhe jashtë fushe. Është një punë në grup. Por ne nuk jemi kualifikuar ende. Kemi edhe 90 minuta të tjera përpara. Thjesht sot duhet ta shijojmë këtë sukses.
Cili ishte çelësi i këtij triumfi?
Disiplina në mbrojtje ishte decizive, e shoqëruar me presingun në mesfushë. Në fakt, loja në grup ishte e shkëlqyer. Lojtarët i përmbushën me përpikëri kërkesat e mia. Barcelona është superskuadër. Unë e pëlqej shumë, sepse luan futbollin më argëtues në kontinent. Por ne treguam se jemi një skuadër më e mirë.
Nuk e kishit imagjinuar ta mundnit Barcelonën me një poker, edhe po të ishit këshilluar me Pep Guardiolën?
Unë ju thashë që nuk do t’i telefonoj, sepse nuk kam nevojë ta bëj. Deklarova që e njoh këtë skuadër po aq sa Bajerni im.
Jeni shumë pranë finales dhe me këto ritme dukeni se nuk do të kini rivalë cilëndo skuadër që do të keni përballë më 25 maj…
Këto dy sezonet e fundit skuadra ka shkuar shumë pranë trofeve pa mundur dot t’i fitojë ata, por uria nuk na ka munguar asnjëherë. Luftojmë për të fituar çdo ndeshje, pak rëndësi ka rivali. Mirëpresim cilëndo skuadër, por le të shkojmë një herë atje. Sot ndodhi diçka. Më 1 maj mund të ndodhë diçka tjetër. Duhet të mundim Barcelonën një herë.

MylerMyler: Bëra 13 km, mos prisni të dribloj 4 lojtarë
Tomas Myler është lojtari i parë që e godet 4 herë portën e Barcelonës në një ndeshje Champions-i në 10 sezonet e fundit. Lojtari më i mirë i ndeshjes dhuroi asist dhe shënoi dy gola në triumfin historik të gjermanëve. “Nga unë mos prisni që të dribloj 4 lojtarë, por kam bërë 13 kilometra në fushë, çka është detyra ime. Shkoi gjithçka shumë mirë. Në ndeshjet e mëdha jam deciziv, ndoshta sepse psikologjikisht jam një nga lojtarët më të ftohtë. 4-0 është një rezultat ëndrrash, por duhet të tregojmë se kemi të njëjtën energji edhe në ‘Kamp Nou’, – tha sulmuesi. Ndërsa Alaba shtoi se në Barcelonë do të jetë e vështirë, pavarësisht se katalanasve do u duhen 5 gola. “Na pret një detyrë shumë e vështirë në Spanjë, prandaj duhet të jemi të përqendruar ashtu si sot (dje)”, – tha mbrojtësi austriak.

RumenigeRumenige: Ëndërr të mundësh 4-0 më të mirët në botë
Karl-Hainc Rumenige nuk ka përjetuar një natë si kjo e mbrëmshmja në karrierën e tij jo vetëm si zyrtar në Zebener Shtrase, por edhe si futbollist. Zv/presidenti i Bajernit të Mynihut tha se ishte një ëndërr e bërë realitet të mundte 4-0 skuadrën më të mirë të botës. “Unë nuk kam përjetuar kurrë një natë si kjo. Të fitosh 4-0 ndaj skuadrës më të fortë në botë është një ëndërr. Ishte një ndjesi fantastike”, – deklaroi shefi i bordit të skuadrës, pas vërshëllimës finale të Viktor Kasait. Kur gazetarët e “Sky”-t e ngacmojnë nëse në këtë sfidë Lionel Mesi ishte Tomas Myleri, Rumenige iu përgjigj se gjermani luajti një ndeshje të shkëlqyer, por argjentinasi ishte jashtë formës së tij në “Alianz Arena” dhe nuk i tregoi vlerat e vërteta.

Roura-cropRoura: Arbitri gaboi, por Bajerni ishte super
Zhordi Roura ka kri tikuar arbitrimin pas ndeshjes, por ka pranuar se Bajerni ishte superior dhe e meritoi fitoren.
E prisnit një humbje 4-0?
Sigurisht që jo. Bajerni ishte me të vërtetë i shkëlqyer. Ne patëm probleme për të bërë diferencën në sulm dhe mbi të gjitha u lejuam shumë hapësira në mbrojtje. Kjo na kushtoi.
Pse çaluat në sulm?
Patëm disa mundësi për të barazuar, kur ndeshja ishte 1- 0. Nëse do të kishim shënuar, gjërat do shkonin ndryshe.
Si iu duk arbitrimi. Disa gola ishin të parregullt…
Ishte një arbitrim i dobët. Pati mjaft parregullsi gjatë ndeshjes. Gjithsesi, nuk duhet ta përdorim arbitrin si justifikim. Bajerni e meritoi fitoren. Por duhet pranuar se kemi qenë disi të pafat nga gjyqtarët sivjet në Champions…
A nuk do ishte e nevojshme që të kishit bërë më shumë se një zëvendësim?
Nuk ishte e nevojshme, pasi lojtarët që ishin në fushë po luanin me shpirt. Menduam se nuk do të ndryshonte asgjë.
Ndeshja e kthimit?
Ne jemi Barcelona dhe nuk dorëzohemi asnjëherë, edhe pse duhet të jemi realistë për pozitat tona. Jo vetëm që jemi mundur 4-0, por kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim më të mirën në shtëpi.
Duhej aktivizuar Lionel Mesi?
Më mirë të jetë në fushë, sesa në stol. Bajerni arriti të ushtrojë gjithë kohën presing tek ai dhe, duke përfituar nga fakti që nuk është në maksimumin e formës, e penguan disi që të bëjë diferencën.

Mesi: Nuk isha i dëmtuar, s’besoj te përmbysja
Lionel Mesi ka qenë gjatë gjithë kohës në hije, duke mos lëvizur shumë gjatë fushës. U duk qartë që argjentinasi nuk ishte në formë të mirë fizike. Në fakt, ai vendosi edhe një rekord negativ, pasi përgjatë gjithë 90 minutave e preku topin vetëm 72 herë gjithsej, çka është edhe shifra e tij më e ulët gjatë këtij sezoni futbollistik. “Nuk isha i dëmtuar. Isha gati të luaja, pasi nuk ndieja probleme fizike”, – tha argjentinasi. “Bajerni e dominoi ndeshjen, ishin superiorë. Është shumë e vështirë që ta rikuperojmë këtë rezultat. Tani duhet të sigurojmë titullin kampion në Spanjë dhe të mundohemi të fitojmë duelin e kthimit kundër Bajernit të Mynihut”, – deklaroi ylli argjentinas pas ndeshjes.

Martinez: Katalanasit ishim ne
Havi Martinez refuzon ta konsiderojë skuadrën e tij të kualifikuar: “Këtë sezon kemi zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme dhe nuk e di nëse ishte kjo më e mira. Por di të them se ishim ne ata që luajtëm si Barcelona. Për momentin jemi skuadra më e mirë, nuk mund të them se jemi kualifikuar, kemi edhe 90 minuta të tjera. Sigurisht që jemi favoritë për të shkuar në ‘Uembli’, por e patë atë çka i ndodhi Milanit në ‘Kamp Nou’? Për mua, ta ndërroja fanellën me Ksavin ishte fantastike”.

Lahm: Vendosi mbrojtja dhe disiplina
Kapiteni di të japë recetën e suksesit në gjysmëfinalen e parë ndaj Barcelonës. Për Filip Lahmin ishte pikërisht puna në mbrojtje dhe disiplina taktike çelësi i fitores së jashtëzakonshme të Bajernit në Mynih. “Ishim të organizuar mirë në mbrojtje dhe të disiplinuar taktikisht. E para është disiplina. U mbrojtëm shumë mirë, ushtruam presing dhe një skuadër teknike si Barcelona e pati të vështirë të gjente hapësira. Por edhe në fazën e ndërtimit të lojës ishim thuajse perfektë”, – deklaroi mbrojtësi. 29-vjeçari i shpëtoi kartonit të verdhë dhe do të jetë në fushë pas një jave në “Kamp Nou”.

Roben: Çmenduri, duhet të jemi krenarë
Arjen Roben ishte lojtari i dytë që mori notën më të lartë pas Tomas Mylerit, lojtarit të ndeshjes. Për “holandezin fluturues” ishte një fitore e shkëlqyer dhe një hap i rëndësishëm për të thyer dominimin e katalanasve në Europë. “Është fantastike që ta mundësh 4-0 skuadrën që ka dominuar në kontinent këto vitet e fundit. Është çmenduri, prandaj duhet të ndihemi krenarë. Por, edhe pse rezultati është i thellë, ne kemi edhe një ndeshje tjetër për t’u quajtur finalistë në ‘Uembli’. Duhet të shkojmë të përqendruar në Barcelonë. Bajerni ka të drejtë ta shijojë në maksimum një mbrëmje të tillë”, – tha mesfushori.

FC Bayern Muenchen v Barcelona - UEFA Champions League Semi Final: First LegNOTAT
BAJERN MYNIH
NOJER pa notë: Ai që i bëri pis dorëzat ishte Bartra në minutën e 69- të, edhe pse vetë Nojer ishte përgatitur për një ndeshje ndryshe.
LAHM 7: Zhduk Sançezin nga fusha, pas 30 minutave të para ku Barcelona ishte ende në jetë, por në të dytën e detyron që të ndërrojë edhe krahun e lojës me Pedron. Provokon prekjen e topit me dorë nga Pikeja, por arbitri nuk ia akordoi penalltinë.
BOATENG 6: Kjo notë duket e çuditshme në mbrëmjen që Bajerni mundi Barcelonën 4-0, por fundja edhe kjo është e ekzagjeruar për Boatengun, duke qenë se nuk bëri asgjë në fushë falë dominimit bavarez.
DANTE 7: Ndeshje madhështore e brazilianit që, përveç paraprin kundërshtarët nga çdo top që prisnin të luanin, i shërben Mylerit me kokë për avantazhin e ndeshjes. Perfekte spërkata që ofron në mesin e pjesës së parë, teksa i mohon Mesit një gol të bërë… dhe të mendosh që i kushtoi Bajernit vetëm 5 milionë euro.
ALABA 7: Vlen i njëjti diskutim si i Lahmit. “Burgos” Pedron dhe ofron asistin për golin e katërt të takimit që Myler nuk e gabon. Më shumë se kaq është e vështirë t’i kërkosh.
MARTINEZ 7: Një mundës fantastik, i cili i shton edhe pak bagazh mesdhetar këtij Bajerni muskuloz në mesfushë. Mbase nuk vlen realisht 40 milionë euro, por në ndeshje të tilla e tregon peshën e tij në formacion dhe Iniesta e vuajti mirë atë.
SHVAJNSHTAIGER 7.5: Martinez i mbron shpatullat dhe ai ndan në dysh mesfushën e Barcelonës me një presing mbytës, por edhe me ndryshime të shpeshta loje. Nga këmbët e tij nis aksioni i golit të tretë, shënuar nga Robeni, duke konfirmuar se Shvajni është kthyer në nivelet madhështore.
ROBEN 8: I dytë vetëm ndaj Mylerit në rangun bavarez dhe jo vetëm për golin e shënuar. Mbulon si një mbrojtës krahu, ofron dyfishimin e markimit ndaj kundërshtarit, vrapon sikur të ishte një djalë i ri, por e jashtëzakonshmja është se këtë herë pason topin. Mbase, fakti që Bajerni ka zyrtarizuar blerjen e Gëces e motivoi siç duhet holandezin…
MYLER 8.5: Dy gola, njëri prej të cilëve i shënuar me një këmbë të vetme, pasi kishte kërkuar zëvendësimin për dëmtim, dhe një asist. Një paraqitje me “p” të madhe, një sulmues i padukshëm që shndërrohet në një vrasës perfekt. Fantastik!
RIBERI 7: Dominon dhe shtyp Alveshin. Edhe pse mund të pritej më shumë nga ai, e vërteta është që francezi u sakrifikua më shumë se kushdo tjetër në krah dhe mbase ka ruajtur ndonjë goditje të fshehtë për ndeshjen e kthimit.
GOMEZ 6.5: Nuk është Manxukiç dhe dallohet qartë kur i kërkohet të bëjë presion ndaj kundërshtarit. Por golat di t’i bëjë, di të fshihet nga një pozicion jashtë lojë dhe të vërë në vështirësi këdo. Me pak fjalë, ar i kulluar. Zëvendësohet nga Gustavo kur kishin mbetur dhe 20 minuta dhe mesfushori i bën siç duhet detyrat e shtëpisë, faulle me breshëri për të mos lënë Barcelonën të ngrihet.

BARCELONA
VALDES 5.5: Nëse Barcelona rrezikon të pësojë gol pas çdo goditjeje këndi, atëherë fajtor për këtë është edhe Valdesi, i cili nuk gjen kurrë kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk është kurrë reaktiv kur i kërkohet. Mjafton të shohësh golat e Mylerit dhe atë të Robenit për të kuptuar…
ALVESH 4: Humb duelin direkt me Riberinë dhe turpërohet nga Dante e Myler në aksionet e dy golave të gjermanit. Ku do ta ketë pasur mendjen vallë?
BARTRA 5: E nis keq me disa gabime të mëdha dhe nuk tregon sigurinë e denjë për të qenë titullar te Barcelona. Gjithsesi, kjo humbje nuk do të mbetet në përgjegjësitë e tij, duke parë dominuesit e listës së “Topit të Artë” që ishin inekzistentë në fushë.
PIKE 5: Vështirë që një si ai t’i japë i vetëm siguri mbrojtjes në mungesë të Pujolit. Gabimin trashanik e bën rastin e golit të parë, kur më i gjati në fushë sheh t’i humbë një top i lartë.
ALBA 4: Roben e driblon sa herë që do dhe në fushë ngjason me një biril me të cilin stërviten bavarezët. Nervat nuk e mbajnë dhe Roben, përveçse e turpëron, e detyron që të mos luajë as në ndeshjen e kthimit.
KSAVI 6: I vetmi nga Barcelona që përpiqet të bëjë diçka, sepse ai të paktën nuk e humb kurrë topin dhe sakrifikohet. Por në fund, as ai nuk mund ta shmangë këtë humbje historike.
BUSKETS 5.5: Meriton këtë notë për kurajën që tregon, sepse ndryshe nga shokët e tij të repartit ai di të luftojë gjithmonë dhe nuk bën komplimente kur duhet dhënë edhe ndonjë shqelm, për të shmangur disa aksione që mund t’i kishin dërguar shifrat mbi 4-0.
INIESTA 5: Duket i inspiruar, por është një dështim i plotë, falë edhe një sulmi që nuk e ndihmon në asnjë nismë të tij ofensive.
PEDRO 4.5: Vrapon sa e gjithë skuadra e marrë së bashku, por nuk mund ta mbajë i vetëm peshën e sulmit, duke qenë se kundër Bajernit këtë nuk e bëri dot as Mesi.
MESI 3: Nuk duhej të luante, pikërisht kështu sepse, nëse pa të në fushë të gjithë do të thoshin se me Mesin do kishte shkuar ndryshe, dje argjentinasi ofroi një ndeshje edhe më të dobët se ajo me Milanin në “San Siro”. Mbase problemet fizike kanë ndikuar, por jo aq sa për të mos tentuar një gjuajtje drejt portës.
SANÇEZ 4.5: As vetë Sançezi mbase nuk e ka kuptuar arsyen se pse dje iu desh të vraponte mbi 10 kilometra në orën e parë të lojës, kur asnjëri nga shokët e tij nuk i pasoi edhe një top të vetëm…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"