Bajerni s’fal asgjë, pushton edhe botën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2013 | 9:06

Bajerni s’fal asgjë, pushton edhe botën

BajerniNuk ka shaka. Bajerni sjell në shtëpi edhe trofeun e Botërorit të Klubeve, trofeun e pestë për vitin 2013 (pas Bundesligës, Kupës së Gjermanisë, Champions-in dhe Superkupës së Europës), ndërsa Guardiola fiton titullin e 16-të në palmaresin personal. E bën në mënyrën më profesionale që mund të imagjinohet, duke vënë këmbën fort në gaz menjëherë, shënuar dy gola, që i heqin Raja Kazablankës ujin e entuziazmit në të cilin mund të notojë në minutat e mbetura. Nuk është e drejtë të thuhet që ndeshja nuk kishte histori, edhe për faktin se në minutën e 38-të Çtibi gabon fatalisht që të rihapë takimin (Nojer gabon në nisjen e lojës, duke u dhuruar marokenëve një top në pjatë argjendi, por ai godet jashtë me portën e zbuluar). Por, diferencat duken që në zotërimin e topit, kur në momente të caktuara shkon në 80 me 20% për kampionët e Europës.
Dante dhe Tiago – Menjëherë në avantazh me Danten që në minutën e 7-të: mbrojtësi brazilian realizon një gol tipik sulmuesi, ku pasi shërbehet nga Boateng rrotullohet dhe shkund me forcë rrjetën e Askrit. Bajerni vazhdon të sulmojë me të gjitha forcat, por gabon disa raste të mira për të shënuar golin e dytë me Mylerin fajtor. Kjo ndodh deri në gjysmën e pjesës së parë, kur Tiago finalizon me një të djathtë precize inkursionin e Alabës. Mbreti Mohamed në tribunë, pasi përshëndeti një për një lojtarët i shoqëruar nga Blater, kupton shpejt se nuk është dita e surprizave, ashtu si në gjysmëfinale me Atletiko Mineiron. Bindja e tij forcohet kur Çtibi bën gafën i vetëm përballë Nojerit.
Raja krenare – Në pjesën e dytë Bajerni është më pak i pëlqyeshëm, sepse zotërimi i tij i topit humbet thellësinë duke u bërë i ngadaltë si në kohët e fundit të Barcelonës së Pepit. Por kjo nuk është asgjë tjetër, veçse një plan për të ruajtur kontrollin e ndeshjes pa dashur të poshtërojë një komb që i kishte mirëpritur me nderimet më të mëdha. Një zbritje e bukur e El Haçemit në minutën e 56-të sjell goditjen me kokë të Jazhurit, por Nojer i kundërpërgjigjet. 7 minuta nga fundi kapiteni Metouali, heroi i gjysmëfinales, përsërit të njëjtën gafë të Çtibit, duke goditur jashtë me portën bosh. Mes këtyre rasteve, dy supershanse (e dyta një çmenduri), kur Shaqiri bën më të vështirën teksa Lahm e fton të shënojë me portën bosh, por kosovari godet traversën. Raja lë fushën mes duartrokitjeve, të cilat janë edhe për kampionët tashmë jo vetëm të Europës, por të të shtatë kontinenteve.

“Ishte trofeu i fundit i Hejnkesit, tani do shihni Bajernin tim”
Mbret edhe Pep Guardiola, i cili triumfin në Marakesh e feston me familjen në stadium (babai i tij Valenti Guardiola kishte fluturuar drejt Marokut). Edhe ai vendos rekord, duke u bërë trajneri i parë që e fiton Botërorin e Klubeve 3 herë (2009 dhe 2011 me Barcelonën). Por, ashtu si përpara finales, ia dedikon këtë trofe arkitektit të Bajernit, Jup Hejnkesit. “Këto pesë apo gjashtë muajt e fundit që unë jam në stol, jam përpjekur të shikoj shumë, analizoj dhe flas me lojtarët për të marrë trashëgiminë që më ka lënë Jup. Ky titull i takon kualitetit të këtyre lojtarëve dhe forcës së një klubi të madh. Unë kam fituar 2 nga 3 trofe të mundshëm. Viti 2013 u mbyll dhe tashmë do të ndërhyj pak më shumë në skuadër. Sepse ky titull i takon më shumë Hejnkesit se mua. Kemi fituar vetëm dy ndeshje në këtë kompeticion, por për të mbërritur deri këtu kemi fituar Champions-in. Pyetjen për sekretin e fitores së Botërorit mos ma bëni mua, por bordit dhe lojtarëve. Kjo skuadër po ecën shkëlqyeshëm, sepse ka lojtarë të mëdhenj”.

Lahm në qiellin shtatë: Është e pabesueshme!
“Ta mbyllësh vitin 2013 me një tjetër titull është thjesht e pabesueshme. Kur rivali luan shumë prapa është gjithnjë e vështirë. Ndonjëherë ia kemi bërë vetes jetën të vështirë, por goli i parë e thjeshtoi shumë punën tonë”, – tha kapiteni Filip Lahm pas ndeshjes. Mbrojtësi, tashmë i natyralizuar si mesfushor, u shpall dhe lojtari i dytë më i mirë i turneut. Kapiteni i Bajernit kritikoi dhe skuadrën që mund të kishte luajtur më mirë: “Na vjen keq, sepse në pjesën e dytë mund të kishim bërë më shumë nga çfarë dhamë. Por pozitive ishte që ishim të përqendruar dhe skuadra kërkoi të shënonte shumë shpejt”.

Myler: Trofeu i fundit i një viti të frikshëm
Edhe për Tomas Mylerin, Bajerni shënoi një arritje të jashtëzakonshme në Marakesh. “Është rezultati i fundit i një viti të frikshëm. Tani duhet thjesht ta shijojmë këtë trofe pa menduar shumë për të ardhmen. Kazablanka nuk ishte aspak një skuadër e lehtë për ne, sepse nuk hiqte dorë kollaj, edhe pse ishte në disavantazh të dy golave. U treguam pak të paqartë në momente të caktuara, por Bajerni fitoi 2-0 dhe në fund kjo është ajo që ka rëndësi”, – tha sulmuesi, i cili nuk e kurseu batutën në fund: “Duke qenë se kjo fitore erdhi shumë pranë Krishtlindjeve, nuk ka shumë nevojë për t’u analizuar”.

Frenk Riberi fiton “Topin e Artë”
Pas finales, FIFA ka dhënë edhe çmimet e turneut. Kështu “Topi i Artë”, jo ai i 13 janarit, por ai i “Marok 2013”, është i gjithi i Frenk Riberisë (Golden Ball). Mesfushori francez është shpallur lojtari më i mirë i turneut. Edhe trofeu i “Silver Ball” ka mbetur në Mynih. Presidenti Blater ia dorëzoi atë kapitenit Filip Lahm. Ka prestigj edhe për vendësit e Raja Kazablankës. Kështu “Bronze Ball” e ka fituar sulmuesi i skuadrës së Faouzi Benzartit, Mouhsine Jazhur. Këto çmime u dhanë menjëherë pas ndeshjes finale. Fituesit i zgjodhën gazetarët. Për triumfin, Bajerni arkëtoi edhe 3.6 milionë euro.

“Këpuca e Artë” ndahet mes 4 lojtarëve
Sezar Delgado i meksikanëve të Monterreit, Ronaldinjo i brazilianëve të Atletiko Mineiros, Dario Konka i kinezëve të Guangzhusë dhe marokeni i Kazablankës, Mouhsine Jazhur, kanë ndarë “Këpucën e Artë” të Botërorit. Të katër lojtarët e sipërpërmendur e mbyllën turneun në kuotën e 2 golave secili. Në 8 takimet e “Marok 2013” u realizuan plot 28 gola në total, me një mesatare prej 3.5 golash për ndeshje. Interesim i jashtëzakonshëm edhe nga publiku në shkallët e stadiumit. Kështu, në total, FIFA lajmëroi se ka shitur 277.330 bileta, me një mesatare prej 34.666 personash për ndeshje.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"