Autorët e dy golave tregojnë sekretet e fitores kundër Erzenit, Beqja dhe Lloci: S’është rastësi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 11:31

Autorët e dy golave tregojnë sekretet e fitores kundër Erzenit, Beqja dhe Lloci: S’është rastësi!

Dy nga protagonistët e fitores së thellë të Teutës ndaj Erzenit ishin kapiteni Ledio Beqja dhe Matias Lloci, të cilët i dhanë avantazhin e dyfishtë skuadrës së tyre në pjesën e parë.

Lojtarët e Teutës duke festuar pas një prej golave FOTO: P.PASHOLLARI

Lojtarët e Teutës duke festuar pas një prej golave
FOTO: P.PASHOLLARI

Ishin ata gola që çliruan ekipin dhe e orientuan drejt një fitoreje bindëse që përveç pikëve ka edhe vlera morale. Kapiteni Ledio Beqja u shpreh për “Panorama Sport” se më në fund festoi për një gol të rregullt dhe më shumë akoma për një fitore në një ndeshje për ‘jetë a vdekje”.

“Kisha shënuar gola në pozicion jashtë loje, kisha goditur traversën, shtyllën dhe tani më në fund një gol i rregullt. Jam i lumtur, madje mu duk përsëri jashtë loje, por shyqyr që nuk u dha. Ishte ndeshje e vështirë, megjithatë shënuam 2 gola në fillim dhe na u bë më e lehtë. Ishte ndeshje për ‘jetë a vdekje’. Afrimet na kanë ndihmuar shumë, Gjini, Lloci dhe Faust janë lojtarë me cilësi. Tirana në Kupë është një ndeshje tjetër shumë e fortë. Shkojmë në Tiranë vetëm për fitore, asnjë rezultat tjetër”.

LLOCI –Rrugën e fitores ndaj shijakasve e hapi Matias Lloci, i cili është ngjitur kështu në kuotën e 3 golave. Pas ndeshjes ai u shpreh për “Panorama Sport” se e lumturon më shumë rezultati përfundimtar se goli personal.

“Është një fitore e pastër edhe e bukur. Asgjë nuk është rastësi, por punë dhe përkushtim e ndjenjë maksimale përgjegjësie nga të gjithë çunat. Ne do të ecim me ‘këmbë në tokë’, pa ndrojtje përballë çdo kundërshtari të radhës. Jam shumë i lumtur për golin, pasi tashmë po krijoj vazhdimësi në kampionat. Por më vjen mirë që goli im shërbeu për të hapur rrugën e fitores, sidomos në këtë moment të vështirë që jemi. Shpresoj të bëj më të mirën në fushë për të ndihmuar Teutën dhe pas këtyre golave të vijnë edhe më shumë të tjerë. E dinim që përballë kishim një ekip të mirë, por e vlerësuam drejt. Për ne ishte ndeshje me rëndësi, na dha mundësinë të marrim pikët që na duheshin aq shumë. Pjesën e dytë e menaxhuam si duhet dhe në fund festuam. Ishim më të qetë dhe kjo bëri që të mos viheshim në vështirësi për të mos pësuar”, theksoi Lloci.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"