Atalanta në Ligën e Europës, Berisha: I solla fat unë, ashtu si Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2017 | 21:01

Atalanta në Ligën e Europës, Berisha: I solla fat unë, ashtu si Shqipërisë

Nëse Atalanta ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, shumë meritë ka padyshim edhe Etrit Berisha. Portieri i përfaqësueses shqiptare ka ruajtur në 11 ndeshje portën të paprekur në këtë sezon me klubin e tij dhe falë një serie të shkëlqyer rezultatesh pozitive, tani Atalanta ka siguruar një vend në futbollin e rëndësishëm.

Në një intervistë për faqen e klubit, Berisha ka treguar edhe emocionet e tij për këtë arritje me klubin, ndërsa mendon se është pikërisht ai që sjell shumë fat ngado që shkon.

etrit berisha

Etrit ke vënë firmën mbi një sezon historik për Atalantën…

Jam i lumtur si në aspektin personal, si për atë që ka bërë skuadra. Që nga dita e parë që erdha në Bergamo, kam parë mundësitë e kësaj skuadre. Kam parë një skuadër e cila kishte shumë dëshirë për të bërë diçka të tillë dhe unë isha i bindur që nga fillimi se mund t’ia dilnim mbanë. Edhe pas një fillimi të vështirë.

Kishte zhgënjim, pasi nuk arrinim të fitonim, por gjëja më e rëndësishme ishte se shihnim që kishim një grup të fortë. Mbi të gjitha ishte trajneri, një njeri që ka bërë diferencën dhe që na çoi drejt shumë gjërave të mira. Kur hynim në fushë, e dinim të gjithë se çfarë duhej të bënim.

Detyra juaj ishte të prisnit topin dhe e keni bërë mirë. Nëse do të zgjidhnit pritjen më të mirë, cila do të ishte?

Mua më ka pëlqyer shumë një e tillë. Ajo ndaj gjuajtjes me kokë të Khediras me Juventusin në ndeshjen e kthimit. Ishim në vështirësi, ajo pritje ishte e rëndësishme. Dhe mua më pëlqejnë ato ndërhyrje që shërbejnë për diçka, që rezultojnë vendimtare pasi të mundësojnë të fitosh ndeshjen. Nuk është e njëjta gjë nëse bën një pritje kur po fiton 3-0 apo mundesh.

Por pas ndeshjeve, bashkë me përgatitësin e portierëve shohim në video jo pritjet, por ku mund të përmirësohem. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, pasi të ndihmon të rritesh dhe të kërkosh objektiva gjithnjë e më të lartë.

berisha

Si të duket që je bërë pjesë e historisë së Atalantës?

Është e bukur. Kur je duke arritur një objektiv, e kupton se rritet pritshmëria nga të gjitha anët. Pasi të gjithë presin edhe më shumë. Rritet trysnia, por forca jonë ishte që të mos vuanim nga ky aspekt.

Një sforco e vogël për një sezon të shkëlqyer…

Do të ishte edhe më shumë nëse do të përfundonim në vendin e katërt, pasi ai është pozicioni që sipas meje është më i duhuri dhe që do të meritonim për atë që kemi treguar në fushë, kemi humbur pikë në ndeshje në të cilat meritonim që të fitonim. E rëndësishme është që të mos gabojmë deri në fund dhe pastaj të shohim çfarë bën Lacio.

Disa shokë të skuadrës për kualifikimin europian kanë bërë disa premtime: Kaldara dhe Grasi kanë qethur flokët, Konti dhe Frojler janë bërë bjondë. Ti a ke programuar ndonjë gjë të ngjashme?

Nuk kisha bërë asnjë premtim. Në të kaluarën, në Kombëtare, unë dhe Basha kishim premtuar se nëse do të arrinim të paktën në gjysmëfinalet e Europianit me Shqipërinë, do të ishim qethur në zero, edhe pse për të në fakt do të ishte më e lehtë pasi ka pak flokë (qesh).

Në fillim Europiani me Shqipërinë e pastaj Europa me Atalantën, dy arritje historike në pak kohë…

Do të thotë se jam unë që u sjell fat. Pastaj kur bën paraqitje të bukura, gjërat ecin në rrugën e duhur.

Përkthyer dhe përshtatur nga Panorama Sport Online

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"