Asnjëherë 15 gola, kapiteni Balaj: Shumë pak për këtë fanellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 21:55

Asnjëherë 15 gola, kapiteni Balaj: Shumë pak për këtë fanellë

Bekim Balaj nuk kishte shënuar asnjëherë në karrierën e tij më shumë se 13 gola gjatë një kampionati. Këtë e kishte bërë në sezonin 2011-2012 si pjesë e Tiranës, por tashmë që kanë kaluar 26 javë nga ky kampionat, kapiteni i Vllaznisë ka thyer një rekord personal për golat.

balaj

Ai ka shkuar në kuotën e 15 golave, një shifër që nuk e kishte kapur më parë në eksperiencën e gjatë që ka me disa skuadra jashtë Shqipërisë.

“Është kënaqësi që shënoj dhe po kontribuoj me golat e mi për Vllazninë. Ky klub na ka dhënë shumë neve dhe 15 gola për të janë shumë pak. Këto gola shkojnë për shokët e ekipit, familjen time dhe sigurisht për tifozët e mrekullueshëm shkodranë, që na mbështeten shumë”, ka thënë Balaj kur është pyetur pas dopietës kundër Tiranës.

Ai tashmë udhëheq renditjen e golashënuesve të Kategorisë Superiore me 15 gola. Sulmuesi kuqeblu, që prej disa muajsh mban shiritin e kapitenit, ka vetëm një dëshirë: të shpallet kampion me skuadrën e zemrës.

“Shumë lojtarë shkodranë nuk e kanë arritur një gjë të tillë, pasi u bënë 23 vite pa titullin. Unë kam fatin që jam pjesë e këtij ekipi dhe për më tepër mbaj shiritin e kapitenit. E kam një dëshirë, por është ende herët për të folur. Janë edhe shumë ndeshje dhe nuk duhet të jemi euforikë.

Duhet t’i marrim gjërat sipas radhës. Ne po punojmë fort që të vazhdojmë kështu. Kemi një vetëbesim se do të ecim sa më gjatë kështu. Normalisht që duhet të tregojmë kujdes, pasi ndeshjet sa vijnë e vështirësohen”, deklaroi sulmuesi shkodran.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"