Asnjë mik dhe eksperiment çdo ndeshje, zbulohen sekretet e Lerdës te Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 21:59

Asnjë mik dhe eksperiment çdo ndeshje, zbulohen sekretet e Lerdës te Partizani (E PLOTË)

Partizani i trajnerit Franko Lerda mbetet një ekip kameleon dhe i paparash ikueshëm, jo vetëm për kundërshtarët, por edhe vetë lojtarët e skuadrës, pasi formacioni vendoset disa orë para ndeshjes. Arsyet pse ndodhin këto eksperimente janë të shumta, po vulën e vendos trajneri italian, i cili merr përsipër përgjegjësitë për formacionin dhe rreshtimin që hedh në fushë. 

franko lerda

Me përjashtim të dy javëve të fundit, trajneri në 11 ndeshje në kampionat, ka hedhur 10 formacione të ndryshme. Madje, edhe në rastin e vetëm ku ruajti formacionin, siç ishte ndaj Kukësit dhe Luftëtarit, italiani u kritikua për pjesën e parë ndaj Luftëtarit, se po luhej me 5 mbrojtës.

Gjithsesi, Lerda ka treguar se di të reflektojë brenda një ndeshjeje, duke pranuar “gabimet” e përzgjedhjes dhe me lëvizjet ka arritur të marrë rezultatet që deri në këto momente e mbajnë Partizanin në vend të parë në kampionat.

KARAKTERI DHE RREGULLAT

Në përgjithësi trajnerët italianë janë “maniakë” të taktikës, por edhe të disiplinës dhe korrektësisë në stërvitje. I tillë është edhe Franko Lerda, madje në disa aspekte është më i rreptë, mbase nga karakteri i tij i nxehtë. Partizani i këtij sezoni është shquar për përplasje të brendshme dhe burimi kryesor konsiderohet trajneri.

franko lerda1

Në pjesën më të madhe përplasjet kanë ardhur për shkak të rregullave të punës që ka trajneri, i cili është strikt në çdo gjë, ku nuk toleron as veten. Përplasja e karaktereve ka bërë që Lerda të mos ketë të përkëdhelur, apo miq të ngushtë në skuadër. Kjo ka ndikuar te disa personazhe, që të mos e përtypin këtë metodë pune. Ata kanë qenë mësuar me trajnerët paraardhës që të bënin ndonjë batutë, apo edhe trajneri e ka pasur stil pune që ka përdorur përkëdhelinë për të zbutur tipat e vështirë.

Zbatimin e rregullave italiani i ka të shenjta, ku vlerëson edhe detajet, që shpesh nuk bien në sy. Madje, ai këtë e ka treguar që në hapat e parë në fazën stërvitore në Slloveni, pasi nuk lejonte të hynin në fushë pa urdhrin e tij, as mjekët apo punëtorët kur ishte e nevojshme. Miqtë e Lerdës mbeten drejtuesit e Partizanit, që i kanë besuar në të gjitha rastet, duke i dhënë të drejtë edhe kur trajneri e ka kaluar masën me sherret.

PËRZGJEDHJA E FORMACIONIT

Eksperimentet në formacionin e Partizanit në këto 11 javë kanë qenë të lidhura me dëmtimet, pezullimet, por edhe me alternativat e shumta që ka trajneri në dispozicion. Në të shkuarën pak a shumë dihej se cili është formacioni stabël i Partizanit, por me Lerdën nuk ndodh kjo. Italiani ka lënë të kuptojë se në ekip nuk ka të paprekshëm apo të pazëvendësueshëm, gjë të cilën e ka treguar çdo javë duke ulur në stol edhe heronjtë e titullit kampion, apo të ardhurit me bujë në merkaton e verës.

Lerda Partizani

Për Lerdën, parësore në përzgjedhjen e formacionit është angazhimi javor i futbollistëve në stërvitje, si dhe saktësia në zbatimin e detyrave dhe ushtrimeve. 53- vjeçari ua ka bërë të qartë lojtarëve që në fillim filozofinë e tij të punës dhe ata që nuk kanë ditur ta kuptojnë, mesazhin e radhës e kanë marrë duke e parë ndeshjen nga stoli, apo tribuna e stadiumeve.

franko lerda

Përveç profesionalizmit të tij, Lerda ka edhe luksin që të ketë nën urdhra dy formacione të mundshme, gjë e cila bën që ai të mos e vrasë mendjen për individë që nuk stërviten mirë, apo që mungojnë për arsye të ndryshme. Këtë gjë ai e shprehu edhe në rastin kur Romero pas tri minutave lojë u ndëshkua me karton të verdhë dhe humbi ndeshjen me Kukësin: “Nuk është problem mungesa e Romeros, pasi kemi të tjerë të gatshëm për të luajtur”.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"