Asnjë gol i pësuar në 480 minuta, Birja: Dua të thyej rekorde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 22:30

Asnjë gol i pësuar në 480 minuta, Birja: Dua të thyej rekorde

Korabi nuk quhet më surprizë. Kanë kaluar dy ture në Kupën e Shqipërisë dhe janë krye të Grupit A në Kategorinë e Parë. Më shumë se 5 fitoret në të dyja kompeticionet, vëmendjen ta tërheq golavarazhi. Janë 9 gola të shënuar dhe 0 të pësuar.

Birja6

Merita pa diskutim është kolektive, por më shumë se kujtdo i takon portierit. Kadri Birja e ka ruajtur rrjetën e paprekur për plot 480 minuta (kujtojmë që turi i dytë me Tiranën shkoi deri në shtesë). Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” është vetë gardiani 31-vjeçar që rrëfen sekretin e pathyeshmërisë.

Jeni i kënaqur nga nisja që i keni bërë kampionatit?

E kemi nisur mjaft mirë këtë sezon, por nuk kemi vend për eufori. Këto janë vetëm ndeshjet e para dhe kemi rrugë të gjatë përpara. Për të realizuar objektivin që kemi për këtë sezon, na duhet të qëndrojmë fort me këmbë në tokë. Duhet të punojmë shumë çdo javë dhe të vlerësojmë maksimalisht çdo përballje. Duhet të mbajmë këtë ritëm dhe nuk do të jetë e lehtë. Besoj se me seriozitet e përkushtim në stërvitje do të marrim frytet nga çdo përballje.

Në 5 ndeshje të luajtura nga Kupa në kampionat, nuk keni pësuar asnjë gol.  Cili është sekreti i pathyeshmërisë?

E vërtetë, por nuk është meritë vetëm imja. Ekipi zbaton me fanatizëm në fushë detyrat e ngarkuara nga stafi. Besoj se ky është sekreti i pathyeshmërisë. Si çdo portier edhe unë dëshiroj që të pësoj sa më pak gola dhe do bëj çmos që ta thelloj këtë rekord personal.

Kryesoni së bashku me Burrelin, por Besëlidhja dhe Dinamo kanë nga një ndeshje më pak. Sa i vështirë është Grupi A këtë sezon?

Kampionati sapo ka filluar dhe besoj se është herët për të bërë llogaritë. Janari do të nxjerrë më pas edhe ekipet që do synojnë për më lart. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Tani na duhet të mendojmë për Partizanin B. Duhet të jemi seriozë dhe të mos e mbajmë mendjen te kreu. Nëse veprojmë kështu, gjërat do të ecin mbarë. Koha do ta tregojë sa të fortë jemi për të synuar më lart. Kampionati është shumë i fortë dhe të gjitha ekipet janë thuajse në të njëjtin nivel, pa shumë diferenca.

A e ka kontingjentin e duhur Korabi për të arritur objektivat sezonal?

Kemi një ekip me moshë të re, me djem që kanë dëshirë për të punuar dhe për t’u rritur profesionalisht. Jemi vetëm 3-4 lojtarë me eksperiencë dhe neve na takon që të bëjmë urën lidhëse me djemtë e rinj. Besoj se forca jonë është grupi dhe në qoftë se do të bashkëpunojmë mirë, do arrijmë edhe objektivin që kemi për këtë sezon.

Birja personalisht çfarë synimesh ka?

Tani jam në një moshë që më duhet të ndihmoj sa më shumë ekipin. Është viti i tretë që luaj për këtë qytet e këto ngjyra dhe ndihem mjaft mirë. Nuk kam ndonjë synim personal. Synimi i vetëm është të ndihmoj ekipin jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes.

Këtë të shtunë luani me Partizanin B. Çfarë vështirësie mbart kjo transfertë?

Është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Çdo ekip meriton vlerësim maksimal, pa marrë parasysh rezultatet dhe pozicionin. Ne po punojmë çdo ditë për këtë takim dhe do të futemi në fushë sikur po luajmë ndaj Tiranës. Çdo ndeshje vlen tri pikë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"