Asllani, mesfushori kuqezi ka mahnitur Lele Adanin: Është si Zhorzhinjo, me goditje dënimi si Ksabi Alonso

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2021 | 0:20

Asllani, mesfushori kuqezi ka mahnitur Lele Adanin: Është si Zhorzhinjo, me goditje dënimi si Ksabi Alonso

Mesfushori i lindur në Elbasan por i rritur në Itali ka qenë nga ata fëmijë që gjithmonë mbanin një top futbolli me vete. Kristjan Asllani filloi te moshat e skuadrës së Empolit U-17 dhe më pas tek U-19. Sezonin që lamë pas ai spikati me skuadrën Primavera ku dhe u shpallën kampionë të Italisë pas 20 vitesh duke mposhtur moshatarët e Juventusit dhe Interit.

kristjan asllani

Asllani, një mesfushor me tipare mbrojtëse ishte protagonist gjatë gjithë vitit ku numëron 25 ndeshje dhe 9 gola të shënuar, një prej tyre edhe në finalen e fituar 5-3 ndaj Atalantës. Këtë sezon Asllani debutoi me ekipin e parë të Empolit duke luajtur në Kupën e Italisë dhe para 1 jave debutoi për pak minuta në Serinë A. Shqiptari shihet si një talent premtues nga stafi i Empolit dhe pak nga pak po inkuadrohet në fushën e lojës.

Në një emision të ditës së djeshme në Itali, me ish-kampionë si Vieri, Kasano, Ventola dhe Adani, ky i fundit ka folur me superlativa për shqiptarin duke e vlerësuar për cilësitë e tij: “Asllani, ky mesfushor është i aftë që të shkojë të luajë titullar dhe në skuadra të mëdha. Ai i ngjason Zhorzhinjos së Çelsit, ka një të djathtë natyrale shumë të saktë, gjuan mirë edhe me këmbën e majtë. Ka një teknikë të shkëlqyer, një koordinim shumë të mirë në pozicionin ku luan. Është një lojtar që dominon, që i jep ritëm skuadrës, i fortë edhe në luftën në ajër. Goditjet e dënimit, nga pesë gjuajtje, katër i shënon gol, si një Ksabi Alonso”, përfundoi Daniele Adani.

lele adani

Asllani është grumbulluar nga Kombëtarja Shpresa dhe ka luajtur vetëm në një ndeshje miqësore në muajin maj të këtij viti dhe në grumbullimin e fundit ai nuk ka qenë prezent. Shpresojmë që stafi i FSHF-së dhe trajneri i U-21 të tregojnë kujdesin e duhur sepse puna për të siguruar të ardhmen e ekipit kombëtar fillon që te moshat.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"