“Argjentina kampione, Gjermania s’ka lider”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2014 | 8:22

“Argjentina kampione, Gjermania s’ka lider”

MateusPas Boatengut, Balakut ja dhe një tjetër kampion që mendon se Gjermanisë i mungon lideri. Lotar Mateus, legjenda e “pancerave”, në një intervistë për televizionin “Sat1”, nuk beson se djemtë e Lëvit do të shkojnë në finalen e “Marakanas”. 53-vjeçari parashikon një finale 100% latine mes rivalëve më të mëdhenj, Brazilit dhe Argjentinës, ku beson se bardhekaltrit të udhëhequr nga Mesi do të shpallen kampionë bote.
Cilat janë shanset e Gjermanisë në Botëror?
Nuk besoj se Gjermania do fitojë Kupën e Botës. Ka shumë paqartësi, shumë probleme me ndërtimin e lojës dhe shumë të dëmtuar.
Mendoni se portieri Manuel Nojer do të rikuperohet?
Nuk besoj se Nojer do të jetë gati. Prandaj Vajdenfeleri është zgjedhja e duhur për ta zëvendësuar. Ai duhet të ambientohet për t’u orientuar më mirë në mbrojtje. Është një portier krejt i ndryshëm nga Nojeri.
Po sulmin si e vlerësoni?
Qendërsulmuesit klasikë (numrat “9”) kanë dalë nga moda. Lëvi do të luajë si Guardiola, duke iu besuar mesfushorëve ofensivë dhe në të vërtetë kjo është pika jonë më e fortë. Nëse do të na duhej një qendërsulmues, atëherë unë do kisha zgjedhur Stefan Kislingun. Por Lëvi nuk e bëri këtë zgjedhje. Largimi i Folandit më surprizoi, edhe pse për mua ai nuk është “9”- ta klasike.
Cila do të ishte këshilla juaj për taktikën?
Unë do e pozicionoja Lahmin të vetëm në mesfushën defensive. Ai është taktikisht i sprovuar dhe ka mentalitet mbrojtës. Në këtë rol ai është fleksibël dhe mund të përmirësohet. Sami Khedira pas një pushimi kaq të gjatë nuk do të jetë në gjendje të luajë 7 ndeshje radhazi. Nuk e di pse Mario Gëce nuk është titullar. Ai është një lojtar i shkëlqyer.
Është folur shumë për mungesën e liderëve në kombëtare, fillimisht Kevin Princ Boateng dhe më pas Mikael Balak. A ka personalitete te Gjermania?
Gjermanisë i mungon dikush që ta shkundë skuadrën kur është e nevojshme. Ky tip lojtari i mungon skuadrës. Kjo u vu re edhe në EURO 2012. Tani duhet ta pranojmë se në kombëtare nuk ka më tipa si Oliver Kahn.
Cilat janë kombëtaret favorite për të fituar në Brazil?
Ky Botëror mund të ketë një apo më shumë surpriza. Kombëtare si Italia dhe Anglia do të kenë probleme të kalojnë fazën në grupe. Faktori fushë është një favor shumë i madh për Amerikën e Jugut. Unë kam bindjen e madhe se Argjentina do të shpallet kampione bote. Në finale do të luajë kundër Brazilit, në rast se nuk përplasen rrugës. Besoj shumë te Lionel Mesi.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"