“Arbitrat duhet të kenë respekt”, Ferko: Janari është i varfër, garë e ashpër për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 13:35

“Arbitrat duhet të kenë respekt”, Ferko: Janari është i varfër, garë e ashpër për ngjitjen

Alfred Ferko “zbërthen” planet e Flamurtarit. E kënaqin afrimet e deritanishme, por pranon se janar nuk ka shumë mundësi zgjedhjeje.

ferko

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, drejtori tregon planet për merkaton dhe lë të hapur vend edhe për afrime të tjera. Përtej vështirësive, ka bindjen se do të “godasin”. Garën e shikon të ashpër për ngjitjen, por jo të pamundur. Një këshillë e ka edhe për gjyqtarët.

Ferko, si po ecin përgatitjet në këtë minifazë?

Kemi nisur minifazën për periudhën e mbetur të kampionatit. Janë duke ecur shumë mirë përgatitjet. Dy ndeshjet miqësore do ta ndihmojnë trajnerin për të krijuar një figurë më të qartë për ekipin dhe mënyrën se si duhet të luajnnë ndeshjet në vazhdim. Grupi po stërvitet mirë. Nuk kemi mungesa. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë ecuri.

Keni realizuar tri afrime deri tani. Si i vlerësoni?

Jemi futur në merkato dhe kemi afruar tre lojtarë, duke nisur nga Idriz Batha. Kemi afruar një lojtar me origjinë nga Kosova, Arton Podrimcaku. Mendojmë se do të jetë një mbështetje e mirë, pasi ka një eksperiencë në një kampionat siç është ai suedez që është vërtetë i fortë. Një tjetër afrim është Gersi Diamanti, një rikthim në shtëpi. Ne i dimë jashtëzakonisht mirë cilësitë e tij dhe ndaj e afruam. Menduam që të afrojmë lojtarë me një moshë relativisht të re.

A do të ketë të tjerë surpriza në merkato?

Natyrisht që po mendohemi. Do të jemi të kujdesshëm. Merkato e dimrit nuk të ofron shumë mundësi. Nuk do të marrim shumë, por diçka të saktë dhe që na shërben për të arritur objektivat që kemi.

Me largimet janë mbyllur llogaritë?

Largime nuk do të ketë më. Ashtu sikundër është shprehur edhe presidenti Sinan Idrizi. Do të ketë vetëm afrime dhe ato do të jenë cilësore.

Si e vlerësoni garën?

Gara është e ashpër dhe ne pak a shumë i njohim. I kemi parë veprimet e tyre dhe atë që ata mendojnë për Flamurtarin. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Absolutisht nuk i druhemi. Ne do të bëjmë kampionatin tonë. Do të bëjmë atë që ne dimë të bëjmë. Pjesa tjetër pak rëndësi ka çfarë mendojnë ata zotërinjtë, apo ata që kanë në dorë ndeshjet. Ju drejtohem arbitrave, duhet të kenë respekt ashtu sikundër kemi pasur ne kur ata kanë ardhur në Vlorë.

E shikoni të vështirë këtë garë për objektivin?

Natyrisht që është një garë e vështirë. Por ka shumë ndeshje dhe janë të gjitha pikët aty. Ne duhet të fitojmë dhe asgjë më tepër se kaq.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"