Apolonia e nis ndaj Vllaznisë, Kolela: Dimë si t’i mundim, gati strategjia për suksesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2020 | 11:30

Apolonia e nis ndaj Vllaznisë, Kolela: Dimë si t’i mundim, gati strategjia për suksesin

Apolonia e nis këtë sezon në transfer tën e Shkodrës. Rikthimi në Superiore përkon me përballjen ndaj kuqebluve. Pasi ka kaluar me sukses “premierën” e tij zyrtare si trajner ndaj Turbinës, italiani i Apolonisë, Xhovani Kolela, synon që diçka të tillë ta arrijë edhe në kampionat, sot në orën 16:45. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri italian është shprehur optimist.

KOLELA

Jeni i kënaqur nga loja e skuadrës në Kupë?

Po, jemi mjaft të kënaqur nga ndeshja e Kupës. Skuadra bëri një paraqitje të mirë në lojë dhe në rezultat. Ka qenë vetëm ndeshja e parë, por do të vazhdojmë të rritemi ndeshje pas ndeshjeje.

Cila është gjendja e skuadrës në prag të sfidës me Vllazninë?

Ndeshja e Kupës me Turbinën ka qenë edhe si test paraprak për Vllazninë. Situata në grup është e mirë dhe nuk kemi probleme serioze. Skuadra është e motivuar dhe me moral të lartë.

E njihni mjaftueshëm Vllazninë për të ndërtuar strategjinë tuaj?

Mendoj se e njohim mirë kundërshtarin dhe e kemi studiuar me kujdes lojën që zhvillon. Edhe miqësorja ndaj tyre na ka ndihmuar t’i njohim më mirë. Është një ekip cilësor. E dimë që nuk do të jetë e lehtë përballë tyre, por ne e kemi të qartë strategjinë tonë, mënyrën se si do t’i kundërvihemi një skuadre që luan në fushën e vet.

Do të dëshironit që ndeshjen e parë në kampionat ta luanit në Fier?

Në të vërtetë, faktori fushë ka ndikimin e vet deri diku, por kampionati luhet edhe në transfertë. Në kohën kur futbollit i mungojnë tifozët, pak rëndësi ka se ku luan. E rëndësishme është që skuadra të luajë qetë, pa ngarkesa dhe të shfaqë më të mirën në çdo fushë.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe për çfarë rezultati luani në Shkodër?

Unë kurrë nuk përgatis një skuadër për të qenë humbëse, cilido qoftë kundërshtari dhe sado i fortë qoftë ai. Kemi respektin dhe vlerësimin më të madh për Vllazninë, por nuk do të shkojmë të bëjmë inferiorin përballë saj. Përkundrazi, nuk do të ndikohemi nga fusha dhe do të kërkojmë të realizojmë objektivin tonë në këtë takim, që është rezultati maksimal, fitorja. Me këtë mentalitet dhe me këtë objektiv do të luajmë në çdo ndeshje, jo vetëm kundër Vllaznisë.

Me aq sa i njihni ekipet e tjera, cilat i shihni pretendente për titull?

Nuk jam aq i mirë në parashikime (qesh), ndaj dhe nuk mund të bëj dot një përcaktim të tillë. Ndoshta me kalimin e javëve do të duket më qartë se cilat ekipe do të kenë profilin e pretendentes këtë sezon.

Po Apolonia, i qëndroni deklaratës se do të renditet në 5-6 të parat?

Absolutisht që po, në mënyrë të padiskutueshme! Ne po rritemi ndjeshëm dhe mendoj se 5-6 vendet e para është minimalja që mund të arrijë Apolonia. Megjithatë, kampionati është i gjatë, i paparashikueshëm dhe plot të papritura, ndaj ne duhet të punojmë hap pas hapi për të mos zhgënjyer në pritshmëritë që ka ndaj skuadrës sonë.

Çfarë mesazhi keni publikisht për lojtarët tuaj para Vllaznisë?

Asgjë speciale, thjesht të luajnë çlirët, pa trysni dhe pa komplekse. Të kenë besim të fortë në vetvete, të zhvillojnë lojën që dinë të bëjnë dhe rezultati nuk do të mungojë. Unë kam besim te skuadra ime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"