Antonio Konte: Sa e vështirë në Angli, në Itali fitohej më lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 18:47

Antonio Konte: Sa e vështirë në Angli, në Itali fitohej më lehtë

Antonio Konte pranon sesa e vështirë është Premier Liga në krahasim me kampionatin italian, ku ai udhëhoqi me sukses Juventusin drejt tre titujve kampion radhazi në Serinë A. Tekniku italian e fitoi titullin në Premier Ligë që në sezonin e tij të parë në “Stamford Bridge”, duke u renditur 7 pikë përpara Totenhemit të vendit të dytë dhe këtë sezon renditet në vend të 4-ët pas 7 javëve të para, pasi pësoi humbjen e dytë sezonale ndaj Mançester Sitit.

Konte

Në sezonin e tij të fundit në stolin e Juventusit, Konte e fitoi titullin me 17 pikë diferencë nga vendi i dytë. “Ne e fituam titullin me Juventusin dhe unë prisja një rivalitet më të madh nga Milani. Por, në vend që të ndodhte kjo, ata shitën Zlatan Ibrahimoviçin dhe Tiago Silvën te PSG-ja, duke u dobësuar. Mbrojtja e titullit nuk ishte e thjeshtë, por ishte më e lehtë. Ndërsa këtu në Angli, nga sezoni në sezon bëhet më vështirë. Shtohen rivalet për titull dhe skuadrat forcohen”, thotë 48-vjeçari.

SITI FAVORIT

Kampionët e Anglisë e kuptuan sesa të vështirë do ta kenë mbrojtjen e titullit kur Siti i Guardiolës erdhi edhe fitoi në “Stamford Bridge” të shtunën. De Bryjne shënoi të vetmin gol të ndeshjes, i cili i dhuroi trajnerit katalanas fitoren e parë të tij ndaj bluve të Londrës brenda kohës së rregullt.

“Unë mendoj se sezonin e shkuar ne bëmë me të vërtetë një punë të shkëlqyer, sepse fituam kampionatin kundër një skuadre me të vërtetë shumë të fortë, pasi sezonin e shkuar Siti kishte gjithashtu një skuadër fantastike. Ndërsa sot, pas një merkatoje të shkëlqyer, ata e kanë përforcuar më shumë skuadrën.

Nuk është e lehtë që të luash në këtë kampionat. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje me ambicie të lartë. Por në të njëjtën kohë ndonjëherë duhet të komplimentesh edhe kundërshtarin dhe të pranosh rezultatin”, përfundoi Konte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"