Ankth te Flamurtari, Pollozhani dyshon për punën e re. Zbulohen 2 alternativat nëse refuzon Ahmataj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2019 | 22:06

Ankth te Flamurtari, Pollozhani dyshon për punën e re. Zbulohen 2 alternativat nëse refuzon Ahmataj

Artim Pollozhani, në mëdyshje për të pranuar detyrën e drejtorit te Flamurtari. Shkak është kriza që ka mbërthyer klubin vlonjat. Burime pranë kapitenit Pollozhani bëjnë me dije për “Panorama Sport” se lojtari po e shikon me vëmendje ofertën e Idrizit për të marrë detyrën e drejtorit sportiv.

Pollozhani

E ndërsa është i joshur nga një eksperiencë e re dhe drejtuese, pasi pritet që t’i japë fund futbollit të luajtur, Pollozhani po ngurron për ofertën konkrete. Kapiteni ende nuk ka mbyllur llogaritë e vjetra me Flamurtarin dhe në këto kushte vështirë se mund të hapen të reja. Pak ditë më parë, Idrizi dhe Pollozhani u takuan në Tiranë, ku administratori i propozoi edhe detyrën e re. Ai do të mbajë postin e drejtorit sportiv, por do të bëjë edhe rolin e menaxherit në klubin vlonjat dhe do të afrojë lojtarë, duke pasur dorën e lirë.

Flamurtari goli

Pavarësisht nga kjo, burime pranë kapitenit të Flamurtarit bëjnë me dije për gazetën se Pollozhani ende nuk u ka thënë një “po” të plotë drejtuesve vlonjatë për këtë propozim dhe është duke e menduar. Janë të mëdha gjasat që në fund të vijë një përgjigje negative prej shqiptarit nga Maqedonia, për shkak të pasigurisë që klubi ofron për të tashmen dhe të ardhmen.

“Pollozhani do të jetë drejtues i lartë i klubit. Do të merret me merkaton, strukturat e klubit. Pollozhani nuk do të jetë vetëm drejtor, por do të jetë i plotfuqishëm në klub. Së bashku me Edmond Liçajn do të përcaktojnë politikat e klubit”, tha administratori Idrizi në numrin e djeshëm të gazetës.

TRAJNERI – I pavendosur për propozimin, jo vetëm Pollozhani, por edhe trajneri Julian Ahmataj. Bisedimet vijojnë që të jenë të hapura dhe kjo ndoshta për shkakun se Ahmataj për të ardhur në Vlorë kërkon më tepër siguri, duke marrë parasysh problemet financiare të sezonit të shkuar.

ahmataj

E ndërsa përgjigjja nga trajneri duhet që të jepej javën që u mbyll, do të shikohet se çfarë do të ndodhë në këtë javë të re. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri Ahmataj ka konfirmuar shkurtimisht se bisedimet vijojnë. “Jemi në bisedime me drejtuesit e Flamurtarit. Kemi zhvilluar disa takime”, tha shkurtimisht Ahmataj.

PANKINA – Ama në Vlorë e kanë një plan B për trajnerin. Në rast të refuzimit nga Ahmataj, do të shikohen të tjera alternativa, ndërsa këtë gjë e lë të kuptohet edhe administratori Idrizi. “Në masën më të madhe për trajner të Flamurtarit flitet Julian Ahmataj siç e dini edhe ju, por gjërat janë të gjitha të hapura, presim”, tha ai. Gazeta mëson se nëse trajneri Ahmataj nuk do të pranojë të vijë në Vlorë, gjasat janë që çështja të zgjidhet brenda familjes.

Licaj-Memushi

Drejtimin e ekipit mund ta marrë drejtori Edmond Liçaj që më parë ka qenë trajner i Flamurtarit kur klubi drejtohej nga Shpëtim Gjika. Por, Liçaj ka qenë trajner i kuqezinjve edhe në sezonin 1991-1992 ku edhe i nxori kampionë. Një tjetër emër që lakohet është edhe Eqerem Memushaj. Edhe Memushaj është një nga trajnerët e suksesshëm shqiptarë, teksa me Flamurtarin ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"