Angli spektakolare ndaj Iranit, Saka: U treguam të gjithëve cilësinë tonë, shkarkuam kaq shumë presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 20:11

Angli spektakolare ndaj Iranit, Saka: U treguam të gjithëve cilësinë tonë, shkarkuam kaq shumë presion

Në moshën 21 vjeç e 77 ditë, Bukajo Saka u bë lojtari i dytë më i ri që shënon më shumë se një gol në një ndeshje të Botërorit për Anglinë. Dhe sulmuesi i Arsenalit nuk do të kishte zgjedhur debutim më të mirë në një Kupë Bote për të lënë disi pas zhgënjimin për penalltinë e humbur kundër Italisë në finalen e Europianit.

GettyImages-1443271990 copy

“Nuk mund ta përshkruaj ndjesinë, është e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur dhe krenar. Përveç golave ne fituam gjithashtu dhe kjo është me të vërtetë një ditë speciale. Na duhej kjo nisje e mirë. Nuk kemi luajtur në mënyrën më të mirë përpara se të vinim në Botëror. Kishte shumë spekulime për formën tonë, por ne i treguam të gjithëve sesa shumë cilësi kemi dhe çfarë mund të bëjmë”, tha sulmuesi i Arsenalit.

“Është fantastike të arrish një fitore pas kaq shumë presioni. Por ne duhet të tregojmë vazhdimësi, sepse pas pak ditësh vjen ndeshja e dytë dhe duhet të fitojmë sërish. Personalisht ndihem shumë mirë. Ndiej mbështetjen dhe dashurinë e tifozëve, stafit teknik dhe shokëve të skuadrës. Kjo është gjithçka kam nevojë. Ndihem gati për të dhënë 100% dhe do të vazhdoj ta bëj këtë sa herë të vesh fanellën e kombëtares”.

Dy golat, por edhe loja që Saka tregoi kundër Iranit, u cilësuan si një kërcënim për rivalët e ardhshëm të Anglisë nga ishmesfushori Xhermein Xhenas, i cili komentoi për “BBC”: “Sa herë Saka është në kontakt me topin, ai sulmon direkt kundërshtarin dhe e driblon atë. Është një tmerr për çdo mbrojtës që do ta ketë përballë”.

DETAJI – Sulmuesi mbante veshur palestrinat e Arsenalit në ndeshjen me kombëtaren, duke tërhequr edhe vëmendjen e tifozëve të kryesuesve të Premier Ligës. “Saka me palestrinat e Arsenalit për ndeshjen e sotme. I kam sytë me lot”, shkruante një tifoz në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër postonte: “Bukajo Saka me palestrinat e Arsenalit në debutimin e tij në një Botëror me Anglinë. Tmerrësisht krenar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"