Analizohet derbi me Lushnjën, Apolonia mbetet pa mesfushorin Stefano Omerin për 6-7 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 16:56

Analizohet derbi me Lushnjën, Apolonia mbetet pa mesfushorin Stefano Omerin për 6-7 javë

Apolonia nisi dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Korabin, që do të luhet të dielën në stadiumin “Loni Papuçiu”, në orën 14:00. Nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi, fierakët nisën javën stërvitore në aneksin e stadiumit. 

Omeri

Java për Korabin ka nisur me një analizë të shkurtër në mesin e fushës, ku stafi teknik dhe ekipi janë ndalur fillimisht te transferta e Lushnjës. Trajneri Mërgjyshi dhe stafi i tij kanë analizuar hollësisht paraqitjen e çdo reparti, ku janë evidentuar problematika jo të vogla në të dy fazat e lojës. Mërgjyshi ka qenë i prerë në seancën e djeshme stërvitore, si dhe shumë kërkues ndaj skuadrës. Ai ka kërkuar nga të gjithë lojtarët angazhim dhe vëmendje maksimale në përgatitjen e ndeshjes së radhës me dibranët që luhet në Fier.

Takimi është i një shkalle të lartë vështirësie për vetë faktin se përtej formës që po kalon Korabi, janë dy ekipe që po rivalizojnë fort me njëri-tjetrin, veçanërisht në sezonet e fundit në Kategorinë e Parë. Sikur të mos mjaftonte gjendja jo e mirë psikologjike, në Fier duhet të bëjnë llogaritë edhe me dëmtimet. Së fundmi, Artan Mërgjyshi do të jetë i privuar nga shërbimet e mesfushorit Stefano Omeri, që ka pësuar një dëmtim të rëndë në gjurin e djathtë dhe gjasat janë që të mungojë të paktën 6-7 javë.

Në fakt, 24-vjeçari këtë sezon ka vuajtur shumë nga lëndimet dhe vetëm para tre ndeshjesh u rikthye të luante sërish me Apoloninë. Në tërësi, Apolonia ka pasur probleme me dëmtimet këtë sezon, teksa thuajse për asnjë moment nuk ka qenë me kontingjentin e plotë, duke sjellë më pas edhe probleme në marrjen e rezultateve.

 

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"