ANALIZA/ Spaleti, pesë dilemat si do të ndalë Milanin dhe Higuainin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 19:37

ANALIZA/ Spaleti, pesë dilemat si do të ndalë Milanin dhe Higuainin

Imagjinoni një prej tabelave që përdorin, nëpër filma, detektivët e angazhuar me një çështje të ndërlikuar për të qartësuar idetë e për të gjetur lidhjet. Imagjinoni që një të tillë e ka, në zyrën e tij, Spaleti. Imagjinoni që atje vendos, me ngjitëse të zeza dhe të kaltra, foto e shënime për të lidhur pikat në prag të derbit. Pamja do ishte pak a shumë kjo. “Fashikujt e Spaletit”: detyra për të përmbushur “për të qenë gati”, siç u shpreh trajneri toskan në daljen e fundit publike.

spaleti

RIGJALLËRIMI – Fotoja e parë është ajo e Perisiçit: “Të rikthehet sërish i Tmerrshmi”. Në serinë e gjashtë fitoreve radhazi, Ivan është pa dyshim ai që ka mbetur prapa. Një sezon më parë, në këtë periudhë, Ikardi dhe kroati ishin referencat e Interit: sot krahu i majtë është “fikur”. Më shumë hije se dritë, e mbi të gjitha një distancë të madhe mes Ivanit të Botërorit dhe atij të kampionatit e Champions-it. Çështje fizike, ndoshta: dje pushoi me Kroacinë, nga sot në “Appiano” duhet të përkushtohet për të qenë gati.

TË RIAFTËSUARIT – “Fashikulli” i Perisiç lidhet me ata të Brozoviç-D’Ambrozio-Vrsaliko. Janë tre të dëmtuarit: duhen monitoruar mbi të gjitha nga pikëpamja fizike. Kanë lënë grumbullimet e kombëtareve dhe konsiderohen të aktivizueshëm: por nuk mjafton, për një ndeshje si derbi. Brozoviç është lojtari që duhet të diktojë kohët e manovrës nga mesfusha. Dy mbrojtësit e djathtë janë në balotazh, do fitojë ai që tregon formë më të mirë: Spaleti i vëzhgon me “lupën zmadhuese”.

MENAXHIM – Në tabelë ndodhet një shënim, ku shkruhet: “Energji”. I bashkohen një sërë nënkategori në përgatitjen për derbin: në të parën, më të rëndësishmen, janë rikthimet (nga kombëtaret); e dyta quhet Barcelona. Sot luajnë Keita në Sudan; Ikardi, Lautaro e Miranda në Arabinë Saudite; Vesino në Japoni: do rikthehen nesër, ndërsa amerikano-jugorët do jenë në gatishmëri të plotë vetëm të enjten. Do monitorohen për derbin, e sidomos duhet menduar që të mërkurën 24 tetor presin Barcelonën në Champions. Ndoshta nuk do ketë rrotacion, por Galjardini titullar nuk do ishte surprizë.

KUNDËRMASAT – Fytyra e Higuainit është rrethuar me të kuq: përreth, mbi të, janë ngjitur fotot e Shkrinjarit e De Vrajt: dy “kolosët” që do bllokojnë një nga sulmuesit e paktë që ka shënuar më shumë se Ikardi në Serinë A. Limitimi i furnizimeve për argjentinasin dhe ndalja e qarkullimit të topit në krahë është diçka mbi të cilën duhet punuar: stërvitja taktike dhe vëmendja konstante e qendërmbrojtësve do jenë kundërmasat parësore.

POTENCIALI – Poshtë, në të djathtë, ndodhet piktura e një “Ninxhe”: Naingolan është “arma sekrete”. Kohët e fundit mesfushori është rikthyer në formën më të mirë, gjatë pauzës ka punuar edhe në ditët e pushimit. Do duhet të ndjekë nga pas kundërshtarët e të “dialogojë” vazhdimisht me Ikardin. Të hënën më pas do çmontohet gjithçka. E do vendoset fotoja e Mesit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"