ANALIZA/ Rruga drejt grupeve, ja çfarë i duhet Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2023 | 22:34

ANALIZA/ Rruga drejt grupeve, ja çfarë i duhet Partizanit

Pas atij zhgënjimi ndaj BATE Borisov, Parti zani u kthye në fushë ndaj Atletik Eskaldes, ku fitoren e kishte më shumë se detyrë. Nëse i bëjmë një analizë Partizanit të kësaj ndeshjeje, na rezulton të jetë diçka shumë e ndryshme me atë ndaj BATE Borisov, ndikuar nga çfarë lojtarët bënë në fushë, por edhe nga qasja e ndryshme e kundërshtarit.

partizaniiii

Duhet thënë se ai gol i Mbasë i jep një siguri të madhe të kuqve për kualifikimin në ndeshjen e dytë, por i shpëton edhe nga turpi.

Nëse Partizani nuk do të fitonte në Andorrë ndaj një skuadre e cila luante me ekipin dhe trajnerin e dytë, pas një eksodi të çuditshëm para ndeshjes me “demat”, padyshim do të përbënte një nga pikat më të ulëta të të kuqve në arenën europiane. Gjithsesi, le t’i rendisim Partizanit disa gjëra të mira që u vunë re në këtë përballje dhe disa elemente negative, një pjesë e të cilave janë vënë në dukje edhe më parë.

GOLI – Ajo dhuratë e portierit ndaj Mbasë, i cili arriti ta bllokojë si një “gjahtar” dhe më pas t’ia rrëmbejë topin, është padyshim gjëja më e mirë e Partizanit në këtë ndeshje dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.

FITORE E SHËMTUAR – Të fitosh shëmtuar është një veçori që Partizani i Kolelës, Mehmetit e Dajës nuk e ka pasur. Ka ndeshje si ajo ndaj Atletik Eskaldes, kur loja nuk del dhe është shumë e vështirë ta çash kundërshtarin, por kur arrin të kesh durim dhe të shfrytëzosh momentet e dobësisë së tjetrit, tregon për një skuadër të duruar. Megjithëse ishte një fitore ndaj një ekipi thuajse amator, kjo duhet vlerësuar.

FATI – Raste pafund të humbura e gola të pësuar me aksione pa shpresë. Kjo ka qenë kronika e Partizanit të muajve të fundit. Në situata të tilla ndikojnë disa faktorë, por fati ka peshën e vet. Ky i fundit ndaj Eskaldes më në fund u kthye në anën e Partizanit, që nuk e pati aftësinë për të shënuar vetë, por një gabim i portierit i dha fitoren.

NDËRTIMI – Duhet thënë se problemet ishin më të mëdha se aspektet pozitive. Në ndeshjen ndaj Atletik Eskaldes u duk sikur Partizani kishte ardhur me duart lart në këtë ndeshje. Thuajse në asnjë moment gjatë ndeshjes nuk pamë një aksion logjik të të kuqve, ku të çekuilibronin kundërshtarin. Pjesa më e madhe e aksioneve ishin ndërmarrje individuale. Skuadra e kuqe nuk ishte e sigurt me topin në këmbë dhe s’e kishte të qartë veprimin e radhës.

FINALIZIMI – Të kuqtë i patën disa raste të mira edhe në atë sfidë “të mefshtë” ndaj Eskaldes, por dukej sikur po t’i lije edhe dy ditë në fushë, nuk do të shënonin. Kombinimet brenda zonës dhe filtrimet mungonin. Kur dilnin para portës, lojtarët dukej sikur gjuanin pa përgjegjësi, a thua se do të dilnin edhe pas 10 sekondash para portës.

PËRGJEGJËSI TË KOTA – Ndaj Atletik pamë lojtarë që merrnin topin dhe lëviznin pa busull e nuk e lëshonin derisa ta humbnin. Në disa raste sikur u dukej se mund t’i driblonin të gjithë dhe fusnin veten në situata shumë të komplikuara.

FORMA – Lojtarë të caktuar u dukën sikur nuk ishin në ditën e tyre. Padyshim mund të pritej më shumë nga një si Eros Grezda, pavarësisht se ishte ndeshja e parë si titullar. Andi Hadroj gjithashtu nuk ishte në ritmin e tij të zakonshëm. Përmendëm këta të dy, por 90% e aktorëve që ishin në fushë meritonin notë negative në atë përballje.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"