Analiza me trajnerët e ekipeve zinxhirë të Kombëtares/ Duka konfirmon Bushin, Shulku jep udhëzimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2022 | 21:22

Analiza me trajnerët e ekipeve zinxhirë të Kombëtares/ Duka konfirmon Bushin, Shulku jep udhëzimet

Armando Duka ka konfirmuar tra jnerët e ekipeve zinxhir të Kombëtares. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme, ku i pranishëm ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, dhe disa prej trajnerëve, është diskutuar për performancën, por edhe për përmirësimet, të cilat mund të bëhen që nga Kombëtarja U-15 dhe deri tek ajo U-21.

shulku_mbledhje_trajneret_ekipeve_kombetare-1536x1024

Në këtë mbledhje ata morën edhe disa udhëzime, që u shprehën nga Shulku. U theksua bashkërendimi i punës mes trajnerëve për elementët e spikatur dhe ndjekja e tyre në vazhdimësi, jo vetëm kur janë të grumbulluar me ekipet kuqezi, por edhe gjatë stërvitjeve apo ndeshjeve me klubet përkatëse. Kështu që këtë sezon, të gjithë trajnerët e ekipeve kuqezi do të kenë mundësinë të ndjekin lojtarët në klubin ku ata luajnë. Ndër të tjera, u diskutua edhe për programin vjetor që duhet të ketë çdo trajner sa u përket ndeshjeve apo turneve zyrtare, grumbullimeve, ndeshjeve miqësore apo seleksionime brenda dhe jashtë vendit.

ASNJË REFLEKTIM

Nëse në një analizë bëhen bilancet, shikohet performanca, që vit pas viti nuk ka pasur ndonjë përmirësim, atëherë ndonjëherë është e nevojshme edhe për të bërë disa ndryshime. Pak kohë më parë, në një deklaratë të drejtuesit të FSHF-së, Armando Duka, u tha se do të ketë një reflektim dhe një analizë të gjerë në lidhje me ekipet e moshave, deri tani nuk ka ndodhur asnjë gjë, por thjesht janë konfirmuar po të njëjtët drejtues, edhe pse rezultatet dhe performanca nuk kanë qenë ato që priteshin.

Me gjithë respektin e duhur për të gjithë trajnerët, Kombëtarja Shpresa në kualifikueset e fundit të “Euro 2023”, u rendit në vendin e parafundit, duke parë sipër Kosovën, Slloveninë, Çekinë dhe Anglinë, ndërkohë që Alban Bushi është trajneri më jetëgjatë, duke mbushur në dhjetor të këtë viti 6 vite në drejtimin e Kombëtares U-21.

Nëse krenohemi prej vitesh me kurset dhe diplomat pa kriter që shpërndahen, atëherë nuk ka trajnerë që mund të sjellin diçka ndryshe? Në drejtimin e ekipeve zinxhirë kuqezi janë, Armando Cungu i U-19-ës, Ervin Bulku në ekipin U-17 dhe Armand Damo në atë U-15. Ndërsa në ekipet U-16, U-18 dhe U-20, përkatësisht janë këta trajnerë: Agron Kërçova, Ardi Behari dhe Ilias Haxhiraj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"